E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, sot votohet për mandatin e komisionit

Nesër pritet të zhvillohet mbledhja e parë e komisionit për reformën, ku do të vendoset për axhendën e punës  

TIRANË- Kuvendi pritet të votojë sot për kohëzgjatjen e mandatit të komisionit për reformën zgjedhore, e cila do të marrë sërish në shqyrtim Kodin Zgjedhor të kthyer me dekret të Presidentit të Republikës. Pak ditë më parë, konferenca e kryetarëve i dha zgjidhje procedurës që do të ndiqet për rregullimin teknik të Kodit. Me shumicë votash, veçanërisht me këmbënguljen e mazhorancës, konferencakryetarëve vendosi të ringrejë komisionin e posaçëm të reformës elektorale, ndërkohe që mandati i saj pritet të përcaktohet vetëm sot me vendim të Kuvendit. Ringritja e komisionit për reformën zgjedhore erdhi si rezultat i paqartësisë që u krijua se cili komision do ta shqyrtonte dekretin. Kjo sepse, në nenin 86 të Rregullores së Parlamentit, thuhet se një dekret i Presidentit për rishqyrtim ligji diskutohet në komisionin që e ka shqyrtuar atë fillimisht. Për pasojë, i vetmi autoritet për ta bërë këtë ishte komisioni i hartimit të Kodit Elektoral. Duke qenë se komisioni për reformën kishte pushuar së funksionuari që prej datës 15 nëntor, atëherë konferenca e kryetarëve u detyrua që të mblidhej sërish për të vendosur për një zgjatje të mandatit, që në bazë të rregullores mund të shkojë deri në 8 javë. Por, drejtues të partisë më të madhe opozitare janë shprehur se afati do të jetë shumë më i shkurtër, pasi ndërhyrja që do të bëhet në këtë Kod do të jete thjesht teknike, dhe ka lidhje pikërisht me aktin e përcaktimit nga ana e Presidentit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në datën 3 dhjetor, Presidenti i Republikës e ktheu Kodin për rishqyrtim, me argumentin se drafti krijonte mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pikërisht në këtë paragraf do të përqendrohen edhe dy partitë kryesore në vend, ku paraprakisht është rënë dakord që kjo çështje të rregullohet përmes një dispozite kalimtare. Ndërkohë që ndryshimi i këtij afati do të sjellë domosdoshmërisht edhe ndryshime të afateve sa i përket ngritjes së komisioneve zgjedhore duke filluar që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Megjithatë, ende ekspertët e dy partive kryesore nuk kanë gjë të shkruar, pasi axhenda e punës pritet që të përcaktohet vetëm nesër, kur anëtarët e komisionit të reformës zgjedhore do të zhvillojnë edhe mbledhjen e parë.

Bylykbashi: Në kod do ndërhyhet  edhe për çështje të tjera

TIRANË- Eksperti i PD-së në hartimin e ligjit zgjedhor, Oerd Bylykbashi tha dje se amendimi i nenit të kontestuar nga Presidenti i Republikës sjell si nevojë ndryshimin e afateve edhe për komisionet zgjedhore. “Amendimi i nenit që përcakton afatin e dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, mund të sillte si nevojë edhe rishikimin e një seri dispozitash të tjera në pjesë të tjera të kodit në mënyrë që tëharmonizohen afatet dhe procedurat e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve nga institucionet, duke filluar që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”- tha Bylykbashi. Duke pasur parasysh se nga votimi i Kodit mund të duhen maksimalisht 2 muaj, shtoi kësaj dhe 3 javë për t’u dekretuar nga Presidenti dhe 2 të tjera për të hyrë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, ngritja e KQZ, shtyhet për në muajin e dytë ose të tretë të vitit të ardhshëm. Por sipas kodit të ri listat paraprake të zgjedhësve duhet t’i dërgohen këtij institucioni brenda 6 muajve, afat i cili konsiderohet i skaduar me amendimin që do t’i bëhet kodit pas kthimit nga Presidenti. Ndaj dhe mendohet se ky do të jetë një nga afatet e para në të cilat do të ndërhyhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›