Dosjet dhe Gërdeci
Elsa Ballauri
Le të mos i ngatërrojmë gjërat dhe të gënjejmë veten se këto dy tema të mëdha, tashmë të ekspozuara plotësisht në vëmendjen e qytetarëve shqiptarë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Unë nuk do të merrem me hipotezat se sa e interesuar është politika qeverisëse për të servirur njërën në vend të tjetrës dhe për të larguar vëmendjen nga ajo që është më ...e para në listë. E po, cila është më e para në listë?
Mendoj se nuk ka një përgjigje të lehtë për këtë. Përpara disa ditësh, një mikesha ime më pyeti me sinqeritet dhe naivitet: "A është shumë e rëndësishme hapja e dosjeve pikërisht tani?". Natyrisht me këtë ajo nënkuptonte informacionet e ardhura në vite për makinacione në dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, a janë ato ashtu siç kanë qenë apo janë zhdukur. Sidomos ajo donte të gjente një përgjigje në një pyetje të dyshimtë, se a mund të bëhet gjë vërtet mbi këtë çështje, kur dihet që shumë njerëz që mbajnë përgjegjësitë e shtetit shqiptar kanë pasur të kaluar aktive në bashkëpunimin me policinë sekrete? Më pas, mikesha ime shtoi edhe një tjetër meditim: "…tani le të vazhdohet me Gërdecin se historia e dosjeve ka ikur…".
Ajo e shprehu shumë mirë shqetësimin momental të njeriut, i cili do një orë e më parë të rregullojë të tashmen dhe të mos ta shqetësojë më gjumin me ngjarje të frikshme. Mua më erdhi shumë për shtat pyetja e saj dhe fillova të mendoj për listën: Dosjet apo Gërdeci, Gërdeci apo Dosjet?...
Dosjet, gjithsesi, është një term, i cili shpjegon pak atë fenomen që ne duhet ta kishim zgjidhur përfundimisht dhe që unë preferoj ta quaj Lustracion. Procesi 'Dosje' nuk mund të qëndrojë i vetëm nëse ai nuk ndërthuret në fenomenin e Lustracionit ose Rishikimit të Historisë. Do të ishte i përgjysmuar. Aktualisht kjo po kërkohet nga politika shqiptare, të bëhet ligji mbi figurën e pushtetarit, të aprovohet dhe …. Zoti e di se a do të zbatohet, apo do të ketë fatin e shumë ligjeve të tjera. Kush do ta mbajë përgjegjësinë e implementimit?… Lustracioni ishte një nga ligjet e Greqisë dhe Romës së lashtë, që mundësonte purifikimin e figurës së politikanëve. Për fat të keq, ne shqiptarëve na ka kaluar prej kohësh momenti i natyrshëm për ta vënë në vend drejtësinë sociale dhe për të shprehur konsideratën për vuajtjet që iu shkaktuan shqiptarët, shqiptarëve. Ai moment nuk iku rastësisht, atë ne e lamë të ikte, madje e ndihmuam të ikte me dëshirën që të ikte për të mos u kthyer kurrë. Një vend, një popull që është i pandjeshëm ndaj vuajtjes së vet apo të bashkëkombësit, që nuk arrin ta njohë ende ndjenjën e humanizmit, nuk mund ta krijojë dot këtë ndjenjë papritmas, i shtyrë nga komuniteti evropian, apo i shtyrë nga një tjetër rast i hidhur në listë siç është Gërdeci. Shqipëria nuk hyn në vendet që mund të bëjnë politikë të madhe dhe të vërtetë. Por pavarësisht nga këto të meta, mendimi im është se edhe me zor, ne duhet të punojmë për ritualin e purifikimit, ne e kemi të nevojshëm atë. Le ta bëjmë si një rit ndaj parimit të paqes dhe prosperitetit tonë. Le ta bëjmë, sikurse grekët dhe romakët e lashtë si një rit për të ndihmuar brezat e rinj që të kuptojnë se e ardhmja e tyre do të jetë e qëndrueshme, le ta bëjmë për mijëra shqiptarë që nuk kthehen sot në vendin e tyre se kanë humbur besimin. Por, edhe nëse nuk na ndihmon dot zemra, të paktën hap pas hapi, brez pas brezi, të na ndihmojë arsyeja.
Nëse procesi i Lustracionit do të ndodhte natyrshëm, nuk do të kishim një Gërdec dhe nëse nuk e zgjidhim problemin e së kaluarës, Gërdecin do ta kemi si makth nëpër ëndrra. Por nga ana tjetër, nëse do mbarojmë ligjin për figurën e pushtetarit dhe do harrojmë Gërdecin, atëherë asnjëherë nuk do të zbatojmë ligjin që hartuam. Në njëfarë mënyre, Gërdeci dhe Dosjet kanë të njëjtën pasojë psikologjike dhe ndikojnë njëlloj në konstruktin social e politik të Shqipërisë së ardhshme.
Në këtë logjikë është edhe historia e Rafael Lemkin, eruditi dhe juristi i talentuar hebreo-polak, i cili krijoi termin Genocid dhe shkroi për të parën herë Ligjin Kundër Krimeve ndaj Njerëzimit. Ai kishte vëzhguar masakrat e pas Luftës së Parë Botërore, ato të Turqve kundër Armeneve, Asirianëve dhe Pondeve. Kur mori pjesë ne gjyqin e Nurenbergut pas Luftës së Dytë Botërore, Lemkin e quajti atë ditë "më të zezën në jetën e tij", sepse kuptoi që ishte zgjidhur vetëm një çështje, ajo e genocidit nazist dhe nuk ishte kujtuar asgjë nga historia e hershme e para Luftës. Atë e trishtoi harresa e së kaluarës, si një mjeshtër i madh e dinte që krimi i pandëshkuar sjell tjetrin, madje me përmasa akoma më të mëdha.
Çështja e gabimeve dhe krimeve njerëzore nuk është një çështje e njëherë të vetme, ato duhen parë në kompleksitetin e tyre, sepse njëra ndihmon apo dëmton tjetrën. Nuk është vetëm ngjarja në vetvete që duhet rikuperuar, por është marrëdhënia humane, sociale dhe psikologjike e njeriut ndaj ngjarjes ajo që e ndihmon apo e lufton krimin.
Nëse do t'i rikthehemi listës, çështja e dosjeve nuk duhej të figuronte më atje, sepse duhej të ishte zgjidhur me kohë,… por edhe çështja e Gërdecit s'do të ishte asgjëkund, sepse përgjegjësia politike dhe qytetare që do të kishim ndërtuar me vite nuk do të na e lejonte krijimin e një "krematoriumi" të quajtur Gërdec.