E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtaraku, anulohet tenderi 2.5 milionë euro

Anulohet tenderi 2.5 milionë euro për aparaturat në Spitalin Ushtarak. Pas ankesave për korrupsion të disa prej firmave në garë, kooperacioni italian dhe Ministria e Mbrojtjes kanë pezulluar të gjitha procedurat. 

Ato do të ribëhen edhe një herë në shtator. Lajmin e kanë bërë me dije për gazetën, burime të sigurta nga Spitali Ushtarak. Një sërë aparaturash të rëndësishme janë planifikuar për t'u blerë në spital. Tavolina për sallat e operacionit, mikroskop elektronik, llamba ndriçimi, por edhe pajisje sterilizuese, janë disa prej zërave kryesorë të tenderit. Pas dyshimeve që pa u hapur tenderi për kushtet e garës, njëra prej firmave madje u ankua tek ministri i Mbrojtjes Oketa, me anë të një letre dërguar në adresë të tij. "Mendojmë se është abuzuar  me mënyrën se si janë përcaktuar kushtet e garës dhe specifikimet e aparaturave", kanë sqaruar përfaqësuesit e firmave. Në letrën dërguar ministrit firma Furtune s.r.l., i ka kërkuar që duke ushtruar kompetencën që i jep ligji të ndikojë në anulimin e procedurave tenderiale. Kjo pasi sipas kësaj firme, gara është pilotuar për kompani të veçanta. Çka do të thotë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur abuzime. Aparaturat mjekësore që parashikohen në tender janë mjaft të rëndësishme për pacientët. Por nga ana tjetër edhe transparenca në garë, do të ndikojë në cilësinë e tyre, aq më shumë kur bëhet fjalë për një vlerë të konsiderueshme parash.                                    z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›