Alarmues financimi i partive politike
Prof. Dr. Kastriot Islami
1. Informaliteti i ekonomisë dhe partitë politike Ekonomia shqiptare është në një pjesë të konsiderueshme informale. Bilancet e dyfishta dhe pagesat kesh janë karakteristika tipike të sjelljes së shumicës së bizneseve. Tregu mbetet i deformuar dhe korrupsioni i administratës ende shumë i lartë. Tendenca për krijimin e monopoleve dhe kapjen e shtetit mbeten pjesë e rëndësishme e mentalitetit dhe praktikës së drejtuesve të lartë politikë dhe jo rrallë herë edhe pronarëve e menaxherëve të bizneseve të fuqishme. Mekanizmat e kontrollit mbeten ende të dobët. Për rrjedhojë, pavarësisht një rritjeje relativisht të lartë vjetore në nivelin prej 4-6 për qind, brishtësia është ende tipar i stabilitetit makroekonomik e monetar. Dhe kjo e bën ende zhvillimin jo të qëndrueshëm. Politika është përgjegjëse për këtë situatë dhe njëkohësisht e implikuar, direkt apo indirekt. Financimi i partive dhe fushatave përbën një zonë opake, ku partitë takohen për të bashkëvepruar me aktorët e biznesit e të medias dhe për të gjeneruar apo për t'u implikuar në këto dukuri.
2. Informaliteti i financimit partiak/elektoral...
Pothuajse të njëjtat tipare mund të thuhen për "tregun politik". Financimi i partive politike është në masë të konsiderueshme informal. Shpenzimet elektorale shumë të larta. Deklarimet i ngjajnë në shumë raste bilanceve të dyfishta. Transparenca është e dyshimtë. Donacionet dhe pagesat kesh mbeten tipari themelor i transaksioneve partiake. Veçanërisht pjesa e shpenzimeve elektorale për administrimin/mbrojtjen e votës ka arritur shifra të konsiderueshme, duke qenë kryesisht informale, pothuajse e padeklaruar. Kanalet informale të transaksioneve kalojnë në masë të konsiderueshme midis partive, bizneseve dhe medias, duke nxitur korrupsionin e klientelizmin nga njëra anë dhe duke bërë evazivë kufijtë midis politikës, medias e biznesit nga ana tjetër. Në mënyrë direkte përmes angazhimit direkt në politikë apo përmes sponsorizimeve të politikës për interesa financiare, biznesi është bërë pjesë e kësaj rritje të panatyrshme të shpenzimeve elektorale dhe e nxitjes së "korrupsionit elektoral". Nga ana tjetër edhe rritja galopante e shpenzimeve elektorale ka nxitur korrupsionin. Ndoshta treguesi real i shpenzimeve elektorale në terma të PBB në Shqipëri të jetë nga më të lartët në Evropë dhe pa asnjë dyshim disa herë më i lartë se në vendet e zhvilluara të BE.
3. Informaliteti i financimeve partiake dhe degjenerimi i sistemit politik...
Eksperienca e vendeve të ndryshme demokratike dhe aktualiteti i viteve të fundit kanë treguar se, shpesh, përdorimi i mjeteve financiare të konsiderueshme luan një rol qendror në konkurrimin për fitimin dhe ruajtjen e pushtetit politik. Një sistem, në të cilin disponimi i mjeteve financiare bëhet faktori kryesor për arritjen e suksesit zgjedhor do të krijonte minimalisht tri probleme themelore për sistemin politik e demokracinë: i )Nga njëra anë, rritja e kostos së veprimtarisë partiake forcon në mënyrë të konsiderueshme tendencën drejt një orientimi plutokratik të sistemit politik, duke deformuar kështu barazinë e shanseve në tregun e ideve, programeve dhe ekipeve; ii) Nga ana tjetër, rritja e kostos së veprimit politik të partive përbën një burim të fuqishëm dhe nxitës të korrupsionit; partitë politike dhe aktorët politikë që nuk kanë shuma të mëdha financiare detyrohen t'i gjejnë ato në një mënyrë apo tjetër që të mbeten në "tregun informal" të konkurrimit politik; iii) Njëkohësisht këto dukuri negative sjellin degjenerim të përgjithshëm të proceseve demokratike. Në të vërtetë fushatat elektorale të dominuara nga forma propagande me natyrë krejtësisht komerciale mbysin debatin publik për problemet e shoqërisë dhe për propozimet për zgjidhjen e tyre nga kandidatë e partitë e ndryshme. Pra, preket rëndë thelbi i konkurrimit demokratik, për rrjedhojë edhe vetë sistemi demokratik.
4. Financimi i partive, shpenzimet elektorale dhe korrupsioni...
Rritja e financimit nga fondet publike i partive, pa vendosur paraprakisht kufij të rreptë për shpenzimet elektorale, nga eksperienca e shumë vendeve të tjera demokratike, tregon se nuk i ka eliminuar këto probleme, përkundrazi i ka theksuar, bile në nivele të tilla ndryshe nga çmendohej. Rritja e ka përkeqësuar situatën, sidomos ka rritur korrupsionin, sepse janë futur më shumë para në sistem, përmes një rritje të fortë të çmimit që grupet e interesit apo kompanitë do të duhet të japin në favor të kandidatëve dhe partive. Me sa duket në këtë rast funksionon ligji që "sa më të larta të jenë shpenzimet elektorale, aq më i lartë është korrupsioni dhe anasjelltas".
5. Alarmi i vendosjes së një sistemi politik përgjithësisht plutokrat...
Përsa i përket donacioneve dhe shpenzimeve të partive, mungesa e mekanizmave të qartë, transparente e tërësisht të kontrollueshëm përbëjnë bazën e dukurive negative që ndikojnë në deformimin e "tregut politik". Donacionet në shumicën e rasteve jepen kesh, bile shpesh duke mos u deklaruar nga kompanitë e biznesit për shkak frikës së tyre, eventualisht pas përcaktimit të fituesit të zgjedhjeve, nga veprimi politik selektiv represiv apo nisur nga fakti që ekzistojnë biznese që u japin donacione të dy palëve. Po ashtu një përbërëse e fuqishme e këtij informaliteti vjen nga pagesat në kesh të të gjithë aktiviteteve partiake/elektorale, në mënyrë të tejskajshme ato që lidhen me pagesën e komisionerëve në veçanti dhe të administrimit/ruajtjes së votës në përgjithësi. Pjesa më e madhe e deklarimeve për shpenzimet e fushatave janë fiktive dhe shumë të reduktuara po të krahasohen me shpenzimet në realitetet. Kontrolli/auditi i shpenzimeve partiake/elektorale ka qenë fiktiv dhe pothuajse ka munguar duke u pranuar/zhvilluar në heshtje informaliteti në të dy aspektet, donacionet e shpenzimet. Mund të thuhet pa asnjë hezitim se kjo çështje është deri tani keqrregulluar. Dimensioni i gravitetit është rritur progresivisht. Në shumë raste, ndikimi i tij është i ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo përbën një moment alarmi për sistemin partiak, e për rrjedhojë atë politik në vendin tonë, i cili merr goditje sistematike në këtë këndvështrim për t'u kthyer gradualisht në një sistem plutokrat, pra në një sistem politik, ku fituesi vendoset nga ai që zotëron më shumë mjete financiare. Dezinjimi i sistemit të ri zgjedhor ka krijuar kushtet që kjo dukuri të shmanget, por jo ende të eliminohet. Kjo do të varet fuqimisht nga mënyra e zbatimit të sistemit. Po ashtu mbetet parësore mënyra e financimit të partive dhe e fushatave elektorale. Në një artikull të ardhshëm do të sugjeroj elementët kryesorë të një financimi të shëndetshëm partiako-elektoral.