Dosjet dhe dy thënie, të cilat janë të kundërta vetëm në dukje
Në fakt nuk është nevoja të na i kujtojë ndonjë politikan vuajtjet e të persekutuarve të diktaturës. Libra kujtimesh janë shkruar nga ish-të burgosur politikë e të afërm të tyre rreth vuajtjeve, por vetëm nga një vizitë njeriu mund të njihet me shumë gjëra që nuk i di dhe as që mund t’i konceptojë me të treguar a lexuar.
Aty ndodhen qelitë ku, për javë e muaj, një i burgosur mbahej 19 deri 24 orë, pa bukë, pa ujë, në baltë, duke përjetuar rrahje e tortura, vetëm sepse nuk ishte dakord me dogmën zyrtare, ose sepse ishte denoncuar nga ndonjë i afërm, shok a fqinj, si shkëmbim që regjimi t’i shikonte ata me sy të mirë.
Burgje e kampe të tilla ekzistonin në mbarë Shqipërinë. Ato ngjallnin frikë e tmerr në zemrën e çdo njeriu që mendonte ndryshe. Dhe ironia është se përgjegjësit për këto vuajtje ose pasardhësit e tyre, sot thonë se ata kishin vepruar sipas ligjeve të kohës, duke pranuar tërthorazi se ajo ishte koha e shtazërisë njerëzore dhe ata ishin udhëhequr nga instinkte.
Por, vetvetiu lind edhe pyetja; Përse ish kampet naziste bota i ktheu në qendra përkujtimore, ndërsa në Shqipëri i hapet rruga përkujtimit të përgjegjësve kryesorë për krimet më të rëndat kundër njerëzimit në historinë shqiptare? Duhet njeriut të jetë antikomunist fanatik për të ngritur pyetje të tilla, apo njerëzit duhet të kujtohen të pyesin vetëm kur mizoritë të ndodhin përsëri?
Para se fleta të kthehet, ajo duhet lexuar, pasi kështu e kaluara mund t’i shërbejë së tashmes, njësoj si detyra për të kujtuar duhet t’i shërbejë drejtësisë. “Një perde duhet hedhur mbi mizoritë e së kaluarës”, - tha Winston Curchill pak pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth së njëjtës periudhë, filozofi amerikan, Xhorxh Santayana, lëshoi paralajmërimin tashmë të njohur se “ata që harrojnë të kaluarën, dënohen ta përsërisin”. Dhe këto dy thënie janë të kundërta vetëm në dukje, sepse për viktimat, harresa është një akt zemëgjerësie dhe besimi në të ardhmen, ndërsa për autorët e mizorive, harresa është mohim i përgjigjësisë dhe mbyllje në të kaluarën.