Superfuçia e Ballkanit
Tri hidrocentrale në lumin Devoll me një fuqi të përgjithshme të instaluar prej 340 MW, dy hidrocentrale të reja mbi Drin, ai i Skavicës me 400 MW dhe ai i Ashtës me 40 MW fuqi, park eolik në zonën Karaburun Llogora, ku mullinjtë e erës do të japin së bashku 500 MW, parqe eolike gjithashtu në Lezhë dhe në Gjirokastër, të cilat së bashku me Karaburunin do të japin 1200 MW, më shumë se ç'prodhon gjithë Italia, TEC me naftë në Vlorë, TEC-e me naftë e me gaz në Fier, TEC me qymyrguri në Porto-Romano. Të gjitha projekte të vendosura e të nënshkruara. Këtyre do t'u shtohen centrale atomike, biomasive, foto-voltaike e kushedi ç'lloje të tjera. Po të mblidhet së bashku fuqia e tyre arrin në dhjetëramijëra megavatë, ndërsa fuqia e përgjithshme e instaluar sot në Shqipëri nuk i kalon të 1500 MW dhe nevojat e vendit do të mbuloheshin ndoshta me 2500 MW.
Disa herë kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria do të kthehet në një superfuqi energjitike të Ballkanit. Dhe këtë plan ai e ka me tërë mend e po e realizon me hapa të shpejtë, shumë më shpejt nga ç'presin ndoshta përfituesit e tij dhe nga ç'tremben njerëzit e shqetësuar për të ardhmen e vendit. Madje të duket sikur tempi i nënshkrimeve të kontratave nga Ruli dhe Berisha ka ardhur duke u përshpejtuar sa më shumë që afrojnë zgjedhjet parlamentare e me to ndoshta edhe largimi i kësaj qeverie.
Po si ka mundësi të veprohet kaq shpejt, të ecet me hapa gjigantë vetëm në këtë fushë, atë të superfuqisë energjitike, ndërkohë që sektorët e tjerë të jetës së vendit pluskojnë në pasiguri, ose janë krejt të paralizuar? Përse bën kaq pak ose aspak kjo qeveri për infrastruktura të ndryshme, si rrjetin rrugor, rrjetin hekurudhor të vendit, impiantet filtruese e dezitat e plehrave, përse nuk bën asgjë për nxitjen e prodhimit vendas, sidomos në bujqësi e blegtori, për të mos thënë në industritë e lehta e të rënda? Përse kaq pak në reformat e ndryshme politike e ligjore (përveçse kur ka interesa personale), ndërkohë që plani i superfuqisë energjitike të Ballkanit ecën pa njohur pengesa e prapësime?
Përgjigja është në të vërtetë e thjeshtë: Të gjitha veprat energjitike që u përmendën më sipër (me përjashtim, për paradoks, të TEC-it me naftë të Vlorës që po ndërtohet në një nga plazhet më të bukura e më historike të Shqipërisë), nuk janë investime ose bashkinvestime të shtetit shqiptar, por janë thjesht investime kompanish të huaj që gjejnë në Shqipëri parajsën mjedisore dhe ligjore. Ato janë të gjitha marrëveshje të tipit koncesionar, ku kompania e huaj, duke paguar shuma simbolike prej një eurosh, bëhet për dhjetravjeçarë pronare e tokës, e ujërave dhe e ajrit të Shqipërisë. Pra modeli është që kompania italiane, greke ose austriake inverston 200, 500, 950 milionë euro, ndërton e pastaj bën natyrisht biznesin e vet, duke e shitur energjinë sa e ku të dëshirojë. Po Shqipëria çfarë fiton? Në njoftimet zyrtare thuhet se do punësohen 100 ose 200 vetë gjatë ndërtimit, do paguhet aksh taksë e më shumë... asgjë. Ndonjëherë thuhet që një pjesë e energjisë do t'i mbetet vendit tonë, por kjo pjesë është krejt e paqartë. Normalisht nuk ka pse të përfitohet energji, derisa investimin e bën tjetri. Pra me mbarimin e veprës, energjia do të ketë atë çmim që ka tregu në përgjithësi dhe nuk dihet a do të jetë më e leverdisshme ta blesh energjinë nga kompania siciliane Moncada, që do të ngrejë mullinjtë e erës në Karaburun, apo ta marrësh nga Bullgaria ose Kosova, pasi sikurse dihet në importin e energjisë distancat e transmetimit nuk luajnë ndonjë rol të madh, ndryshe nga ç'ndodh në importin e birrës me kamionë ose të naftës me tankera.
Ajo çka asnjëherë nuk përmendet në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është kostoja mjedisore që kanë vepra të tilla dhe që e paguan, edhe pse jo me para të shkoqura, edhe pse jo sot, menjëherë, por nesër dhe në mënyrë të sigurt Shqipëria. Kostoja mjedisore përmbledh gjithë atë që ndodh me shkatërrimin e një mjedisi të caktuar, për pasojë të përmbytjes nga ujërat e një lumi, të ngritjes së TEC-eve, të prishjes së cilësisë së ajrit etj, por edhe atë që mund të shprehet si fitim i munguar. Konkretisht, në qoftë se me ndërtimin e një hidrocentrali do të përmbyten 1000 hektarë tokë bujqësore e kullota, bashkë me 200 shtëpi, duhet përllogaritur prodhimi bujqësor dhe blegtoral që humb nga përmbytja, plus vlerën konkrete të shtëpive etj., të cilat duhen rindërtuar diku gjetkë. Të mos flasim pastaj edhe për vlera të tjera, si arkeologjike, turistike etj. Kështu, në qoftë se vërtet do të ngrihet parku eolik në Karaburun, ai veçse që do të futet në Parkun kombëtar të Llogorasë, do ta ulë ndjeshëm vlerën turistike të gjithë krahinës, qysh në anën vizive e deri florën e faunën ose në rrugët e shtegtimit të zogjve, ngaqë mullinjtë e erës parashikohet të ngrihen vetëm 100 m larg nga njëri-tjetri. Këto humbje u duhen shtuar humbjeve në blegtori, apikulturë e çfarëdotjetër që kultivojnë fshatarët e Dukatit dhe më gjerë.
Po kufizohemi në këtë shkrim veç në veprat e ardhshme energjitike, në kuadrin e "superfuqisë", dmth. nuk po përmendim koncesionet e tjera, si tetë fabrikat e çimentos që do të degradojnë krejt ultësirën e Shqipërisë së veriut, nga Fushë Kruja deri në Shkodër. Sa është kostoja mjedisore e prerjes së gjithë atyre pyjeve, e rrënimit të bujqësisë, sidomos frutikulturës e vreshtarisë; po ndonjë vlerë historike-turistike do t'u mbesë më atyre vendeve të mbjella kudo me histori, me vendbanime prehistorike, me kështjella, kisha e manastire?
Le të kthehemi tek energjia. A ka ndonjë strategji në bazë të gjithë këtyre veprave, ndonjë harmoni që t'i lidhë ato me njëra-tjetrën dhe me nevojat e vendit? Ngritja e termocentraleve, hidrocentraleve e parqeve eolike kryesisht nga firma italiane, shtrimi kabllove nëndetare, njëkohësisht koncesionet për gjithë këto fabrika çimentosh, përkundrazi të krijojnë përshtypjen e thellë se veprat në fjalë s'kanë të bëjnë aspak me ndonjë planifikim kombëtar për Shqipërinë. Nëse ka aty brenda planifikim kombëtar, ai ka të bëjë po, me Italinë, kur prishen këtu peizazhe, siç nuk lejohet në Itali, ose edhe me Greqinë, kur zhvendoset në Porto Romano një TEC që qytetaria greke nuk e pranon. Sikur të kishte shqetësim të vërtetë të qeverisë shqiptare për të ardhmen energjitike të Shqipërisë, ajo do të kishte ripërtërirë rrjetin e transmetimit të energjisë, ku ka sikurse dëgjojmë 30-40 përqind humbje, ose do të kishte investuar vetë në një hidrocentral ose park eolik, si vlerë strategjike për vendin. Por jo: në skemën e superfuqisë, Berisha dhe Ruli nuk janë aspak arkitektë, vizionarë, projektues; ata janë thjesht sekserë. Sekseri është personi që ofron një pasuri që nuk është e veta; ai dallohet nga shkathtësia, marifetllëku, mungesa e skrupujve. Pasuria në këtë rast është toka e Shqipërisë. Fatlumsia e dy personave të zgjuar për keq, apo të djallëzuar te dreqi, është që qeverisin mbi një popullsi ende miope dhe të paditur. Askush nuk duket se po ua ndalon dot dorën në këtë shitje të pashembullt të vendit. Në mos gaboj, ishte gazeta lokale e Peshkopisë ajo që shkruante se përmbytja e më shumë se 200 fshatrave në Dibër me rastin e ngritjes së një hidrocentrali si investim italian, ishte një katastrofë që nuk kishte arritur t'ia shkaktonte trevave të Gjergj Kastriotit as pushtimi osman.
Pra kjo është e vërteta për superfuqinë energjitike. Në këtë rrugë siç po ecin sekserët tanë nuk është vështirë jo më superfuqi të Ballkanit, por edhe superfuqi energjitike të Europës ta kthesh Shqipërinë. Nguli këtu gjithë centralët bërthamorë që refuzon Italia, Gjermania e Austria dhe ja ku e krijove superfuqinë.
Vetëm se mbetet pyetja, nëse kemi të bëjmë vërtet me një superfuqi apo mos është thjesht superfuçi? Kur merr mushtin nga një fuçi, ajo që mbetet quhet bërsi. I thonë ndryshe, sipas krahinave, edhe bërthokla, grizga, patushtina, cipura. Ndërkohë që Italia dhe vende të tjera me ngritjen e këtyre vendeve do të marrin energjinë e pastër, në Shqipëri do të mbeten gazrat CO2, mbetje të ndryshme kimike, rrezatime bërthamore dhe peizazhe të rrënuara. E pra bërsi të llojeve të ndryshme dhe sa të duash. Nuk është atëherë shumë më e udhës dhe logjike ta quajmë Shqipërinë superfuçinë e ardhshme të Ballkanit?