Politikanët e Shqipërisë, kriza globale dhe disa vargje të Kadaresë"
Kriza globale nuk ka prekur Shqipërinë, - thonë politikanët tanë. Nuk e di se çfarë quajnë krizë këta drejtues shteti! Nafta në Shqipëri shitet me çmimin më të shtrenjtë se të gjithë shtetet e tjera, edhe pse në vendet e tjera të botës nafta po bën ulje drastike dhe ecën me ritmin e bursave. Po çmimet e shportës? Nuk ka mundësi asnjë pensionist që t’i blejë ato. Ka shtresa të tjera të popullsisë, që taksa e sheshtë e kësaj qeverie nuk i lë as t’i afrohen tregut.
Për çfarë mosprekjeje nga kriza flasin këta njerëz të çuditshëm që banojnë në qendër të Tiranës dhe vetëquhen politikanë? Mos vallë këtë e deklarojnë, sepse nuk ndjejnë gjë në xhepin e tyre? Sepse me pagat që marrin dhe korrupsionin që bëjnë, as që u shkon ndër mend se sa rriten çmimet?
“Politikanëve” tanë që u ngrysën me bluzë leshi në dhomë e kuzhinë dhe u gdhinë me kostume Armani në vila, sikur edhe njëqind kriza globale të kalojnë nëpër Shqipëri, nuk u preket qime floku. Dhe sërish do të dalin të deklarojnë me paturpësi të madhe se Shqipëria nuk do të preket nga kriza (!).
Shqiptarëve do t’u ngelet të kujtojnë disa vargje të shkëputura nga "Laokonti", poezi e të madhit Ismail Kadare.
"Po s'ndërron kurrë ai arti i skulpturës / gënjeshtrën mbi të ka ngrirë përgjithnjë / I mbërthyer në dëshminë e vet të rreme / të vërtetën kujtoje dhe qaj për të...”
Faleminderit gazeta “Shekulli” që na jep mundësinë.