E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pandehmat e Del Pontes

Në librin e saj të fundit, “Gjahu, kriminelët e luftës dhe unë”, Karla Del Ponte, ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, pohoi në ikje e sipër, se një trafik organesh nga trupat e të burgosurve serbë, ka ndodhur në vitin 1999 në një fshat të thellë të Shqipërisë.

Akuza solli ngritjen e një komisioni hetimor ad hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pas një propozimi bërë nga delegacioni rus. Historia vazhdoi me hapjen e një hetimi nga Prokuroria e Beogradit, një prokuror i së cilës vizitoi Shqipërinë. Pra, akuza hipotetike po ndjek evolucionin e saj institucional.

Me gjithë ambiguitetin që përmban ky “zbulim” i vonuar në lidhje me burimin nga vjen, çuditërisht lajmi u pasua nga një mobilizim i ethshëm mediatik, që duket se nuk buroi vetëm nga sensacioni i përmbajtjes së deklaratës akuzuese, e cila synon të përdhosë jo vetëm një familje të thjeshtë fshati së bashku me bashkëfshatarët e saj, por një komunitet të tërë.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se kur u pyet nga një gazetar në lidhje me akuzën e ish-Kryetares së Tribunalit të Hagës, fshatari i fshatit të thellë malor, objekt i akuzës së rëndë për transplant organesh e trafikim të tyre, fillimisht nuk arriti dot të befasohej. Kjo për shkak se nuk kish dëgjuar më parë për dukurinë e transplantit. Por, pas shpjegimit të bërë se ç’nënkuptonte ky transplant dhe trafikim organesh, së pari ai u habit së tepërmi me sukseset dhe çudirat që bëka sot shkenca në botë për të shëruar sëmundjet e njeriut nëpërmjet zëvendësimit të organeve. Më pas, natyrisht ai u ndje i fyer në thellësinë e qenies së tij.

Porse për shkak të akuzës poshtëruese, kjo familje e thjeshtë fshatare u bë e famshme dhe fshati u bë dëshmitar i vizitorëve nga gjithë kontinenti: gjithfarëlloj gazetarësh, prokurorësh dhe hetuesish ndërkombëtarë.

Rasti deshi që znj. Del Ponte të zgjidhte si vend të krimit të supozuar një zonë ku unë kam jetuar dhe punuar si mësues fshati rreth 5 vjet.

Duke njohur mirë potencialet teknologjike të këtij fshati të thellë, ashtu si gjithë shqiptarët dhe me shumë gjasa si vetë autorët e kësaj akuze, mendimi i parë që më erdhi ndër mend ishte se, para se të jenë të aftë të kryejnë procesin e transplantimit, banorët e kësaj zone më lehtë mund të dërgojnë një sondë në planetin Mars.

Po përse znj. Del Ponte e lëshoi këtë akuzë menjëherë sapo u largua nga posti i saj i prokurores, ndërkohë që ajo i kishte të gjitha mundësitë për ta nisur këtë hetim në kuadrin efunksioneve të saja?

Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur ndaj të gjitha instancave të Gjykatës së Hagës, sado që shqiptarët s’e kanë pasur kurdoherë të lehtë të kuptonin mobilizimin e veshur “me objektivitet të rreptë” të Karla Del Pontes, në përpjekjet e saj për të simetrizuar fajin mes shqiptarëve dhe serbëve. Njihet botërisht se Shqipëria përshëndeti aktin e dorëheqjes të ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili iu vetëdorëzua me të marrë aktakuzën nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Mos vallë znj. Del Ponte kërkon me anë të kësaj akuze të fitojë miq të rinj, apo thjesht u nxitua të denoncojë pa shqyrtuar mirë faktet përkatëse? Dhe së fundi, duhet të jetë ajo e ndërgjegjshme për pasojat e një akuze të tillë?

Një fjalë e urtë thotë se, kush do të vrasë qenin, e akuzon atë më parë për sëmundjen e tërbimit. Kjo na jep të drejtën të shohim qartë se, dhe një herë më shumë, krimi po përpiqet të vishet me petkun e virtytit.

Nga ana tjetër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka nisur një hetim mbi këtë akuzë të dyshimtë, si zakonisht me procedura të ngarkuara, financuar nga taksapaguesit evropianë.

A ka pasur kjo Asamble të njëjtin vullnet dhe energji për të zbuluar të vërtetën e krimeve të kryera në Kosovë? Është e qartë se procedurat e gjata të hetimit nuk do bëjnë gjë tjetër veç të hedhin ca më shumë pluhur mbi të vërtetën e krimeve të bëra në rajon, duke i lënë ato përjetësisht të pandëshkuara dhe në harresë të plotë.

Arsye më tepër kjo për të menduar se fjala është për përpjekje që synojnë të destabilizojnë shtetin e sapoformuar të Kosovës, që po lufton për konsolidimin e identitetit të tij kulturor dhe institucional, që kërkon hapësirën e tij në Evropë dhe që përpiqet të çlirohet nga ankthet e së shkuarës.

Në një kohë kur bota e përparuar përpiqet të zbusë pengesat e bashkëpunimit serbo-shqiptar, sipas standardeve dhe modeleve evropiane, kjo akuzë kontribuon më tepër për një përjashtim të pakthyeshëm të shqiptarëve, për një mohim të njohjes, për t’i poshtëruar ata në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Znj, Del Ponte duhet ta dijë që eksperienca e hidhur në Ballkan ka dëshmuar se asnjë komb nuk i braktis vlerat e tij, dhe se mbrojtja e dinjitetit njerëzor nuk është vetëm simptomë e situatës së sotme, por simboli i saj efikas.

Së fundi, lind pyetja se cili do jetë reagimi i znj. Del Ponte, kur pas vitesh hetimi e propagande, do zbulohet falsiteti i akuzave të saj?

A do t’i mjaftonte popullit shqiptar dhe familjes së fshatit malor një kërkim i thjeshtë ndjese? Kam ndjesinë që dhe kjo ndjesë nuk do të kërkohet. Fundja, si me historinë e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve deri më sot.

*Ambasador i Shqipërisë në Francë. Reagimi është botuar dje në revistën gjeopolitike “Courrier des Balkans”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›