E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e 97, Gjinushi: Berisha dënohet me burg përjetë

Share

Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të grupit parlamentar të PD, njëherësh dhe nënkryetar i kësaj partie, Astrit Patozi, sipas të cilit duhet të hapen dosjet e vitit 1997 dhe për të parë të inkriminuarit në ato ngjarje tragjike. Për kreun socialdemokrat që asokohe ka qenë pjesë e opozitës teksa President ishte Sali Berisha, njëherësh dhe kryetar Kuvendi në momentin kur komisioni “Ngjela-Braho” hetoi këto ngjarje të dhimbshme për shqiptarët, Patozi ka ngatërruar adresë në kërkesën e tij për hapjen e dosjeve, pasi PD ka vite që është në pushtet dhe kishte kohë për t’i hapur. Madje Gjinushi nuk ka ngurruar të bëjë dhe ironi me nënkryetarin demokrat, duke e akuzuar se ia ka me hile Berishës këtë kërkesë.

“Kujt ia kërkon Patozi tani hapjen e dosjes së vitit 1997, kur partia e tij ka gati shtatë vite në qeverisjen e vendit. Mos e kërkon për Salën? Qenka me kunj një kërkesë e tij për hapjen e dosjes së vitit 1997, pasi pas saj hapet dhe dosja e 14 shtatorit të vitit 1998″, ka qënë deklarata e kreut të PSD. Gjinushi ka këmbëngulur fort se nëse hapen këto dosje të këtyre dy viteve dënimi më i madh për përgjegjësit është përjetë në burg. “Patozi ta shohë dosjen e këtyre dy viteve, ku Saliu është përgjegjës. Sidomos dosja e grushtit të dështuar të shtetit e vitit 1998, është e rëndë për Saliun. Pasi sipas ligjit, për organizimin dhe tentativën për grusht shteti dënimi është me burgim të përjetshëm. Të gjykohet Sali Berisha që është drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor për ngjarjet e vitit 1997 dhe të 1998″, është shprehur ish-kreu i Kuvendit, kryetari i PSD, Skënder Gjinushi./shqiptarja.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›