PS dhe juristët: Kodi Penal të bëhet nga e para
Opozita dhe ekspertët juridikë e shoqërisë civile kanë hedhur dje idenë e ribërjes së Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale për shkak se është i vjetruar dhe paraqet shumë probleme. Mendimet e ekspertëve të fushës së drejtësisë janë shprehur dje në tryezën e organizuar nga selia rozë me temë Drejtësia në sfidën e integrimit, ku u trajtua çështja e reformës penale si prioritet kyç. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, në fjalën e mbajtur në këtë takim, pas një analize të bërë mbi situatë e drejtësisë në vend, doli në përfundimin se është i nevojshëm hartimi i një Kodi të ri Penal dhe të Procedurës Penale. Kjo ide është mbështetur edhe nga nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili ka vlerësuar se krijimi i një Kodi të ri përkrahet nga socialistët, por, sipas tij, duhet vullneti i të dyja forcave politike për të mundësuar një gjë të tillë.
Që në nisje të fjalës së tij, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu ka shprehur shqetësimin në lidhje me reformën në drejtësi dhe në fushën e të drejtës penale, duke nënvizuar se jemi të vonuar në reforma. Ai kujtoi se problemet vijnë edhe për shkak të mungesës së njohurive pasi legjislacioni penal është nga Kodet e para që u bë pas viteve 90 dhe u bë me atë pak përvojë shtetit shqiptar iu dha në atë kohë. Duke vijuar më tej analizën e tij, Abdiu tha se pas vitit 1995, lidhur me Kodin e Penal dhe me Kodin e Procedurës Penale, koha ka treguar se kanë nevojë për rishikim. Mendoj se ka ardhur koha që Kodi Penal të bëhet i ri. Insistoj për këtë gjë sepse është ndryshuar nëntë herë kodi, është ndryshuar aq shumë sa 51 dispozita ose janë hequr ose janë ndryshuar. Të gjithë këto ndryshime janë bërë në kohë të ndryshme me mentalitete të ndryshme, nga ministri apo dikastere që kanë menduar se duhen kaluar në situata të caktuara emergjence,- vlerësoi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka deklaruar se jo të gjitha ndryshimet e kryera mbi këto Kode janë kryer me maturi, gjë që ka shkaktuar edhe humbjen e Kodit bazë. Ndaj, sipas tij, këto kodet duhet të ribëhen. Kodi Penal ekzistues është prekur shtatë herë nga Gjykata Kushtetuese, në dispozitat e tij, por më i rëndësishëm nga këta ka qenë ai që lidhej me heqjen e dënimit me vdekje. Në përgjithësi i Kodi Penal ekzistues do të shtyhet me zor edhe pas këtyre ndryshimeve që ju keni menduar, të cilat më duken se jo të gjitha janë të mira, pasi një pjesë i ka nxjerr koha, një pjesë i çmon mazhoranca dhe një pjesë i çmon opozita,- nënvizoi Fehmi Abdiu. Ai këshillon partitë politike që të gjitha ndryshimet në kod të shikohen nga një grup specialistësh.
Pak minuta pas këtij propozimi, organizatori i kësaj tryeze, Fatmir Xhafaj, ka shprehur miratimin për një Kod të ri Penal për të gjitha arsyet e lartpërmendura. Për momentin meqë nuk është se nuk është tërësisht në dorën tonë, pasi duhet një vullnet i përbashkët për ta bërë këtë, kemi bërë aq sa është e mundur që përmes amendamenteve të propozuara ne të pasqyrojmë sa më shumë këto propozime në Kod. Ky është një proces i hapur, mbetet që të shikohet në ditët në vijim se si do të reflektohet më tej,- deklaroi Xhafaj, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me demokratët për një Kod të ri Penal.
