E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionerët që prishin zgjedhjet deri në 8 vjet burg

Luis Tanushi

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore shqyrtoi dhe miratoi dje paketën e amendamenteve të Partisë Socialiste për ashpërsimin e dënimeve që parashikon Kodi Penal ndaj atyre që manipulojnë zgjedhjet. Tashmë paketa do të prezantohet dhe shqyrtohet nga Komisioni Parlamentar të Ligjeve javën e ardhshme. Propozimet e PS-së synojnë një rritje të ndjeshme të dënimeve, sidomos për komisionerët dhe ata që votojnë dy herë me dokumente false, dhe kjo ka gjetur konsensusin e mazhorancës.

Konkretisht, falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të dhënave, që dihen se janë të pasakta zëvendësimi i të saktave me të rreme, futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet, ndërsa kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje, apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë, pajisjeve apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe kur kryhen nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në shtatëqind mijë lekë.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me shkeljen e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e komisionerëve. Kjo vepër penale do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet dhe kur votohet më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, apo për persona të tjerë duke paraqitur dokumente identifikimi të rremë apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur komisionerët do e tolerojnë ata do dënohen me burgim nga tre muaj deri në një vit.

Për të parandaluar premtimet elektorale apo shitjen e votës, ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një subjekti zgjedhor ose kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, do dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Edhe pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Në Kod janë parashikuar edhe masa për parandalimin e presioneve ndaj administratës publike apo ndaj studentëve. Sipas shtesave në kod, detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në aktivitete zgjedhore do dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Ndërsa detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të një subjekti zgjedhor, i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë, dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit. Duke marrë shkas nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe vendore që u paraprinë nga incidente të shumta midis militantëve apo edhe kandidatëve, mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që të saktësojnë në Kodin Penal se kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një subjekti politik ose kandidati si edhe për të marrë pjesë ose jo në votime dënohet nga tre muaj deri në dy vjet, kurse kanosja, përdorimi i dhunës. ose dhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit, komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Pengimi i zgjedhësit për të votuar do dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në një vit.

Braktisja e detyrës nga komisionerët

Komisioni për reformën ka tentuar që ti japë zgjidhje edhe fenomenit të njohur të braktisjes së detyrës nga komisionerët duke lënë në baltë materialet zgjedhore. Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose anëtarët e grupeve të numërimit dënohet me burgim nga 6 muaj deri në dy vjet. Kur komisionerët do të zhdukin materialet zgjedhore, ose kur sjellin pasoja të rënda për procesin e votimit ose shkaktojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve, do të dënohen me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›