Reforma Zgjedhore, PD PS janë ende larg konsensusit
TIRANË- Mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord dje për disa shtesa në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me reklamat gjatë periudhës zgjedhore duke rrezikuar shtyrjen e përfundimit të reformës zgjedhore. Partia Socialiste i paraqiti përfaqësuesve të mazhorancës draftin e ekspertit Bledi Çuçi, sipas të cilit, do të ndalohet çdo lloj reklame apo njoftimi të pushtetit qendror apo vendor që nga dekretimi i datës së zgjedhjeve. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se socialistët e argumentuan kërkesën e tyre në bazë të propozimit të paragrafit 79 të Opinionit të Përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSCE/ODIHR ku thuhet se reklamat e institucioneve publike duhet të jenë politikisht neutrale dhe nuk kanë qëllime te fushatës.
Socialistët u shprehën brenda mbledhjes se blerja e reklamës shtetërore nuk ka asnjë bazë ligjore dhe nuk rregullohet me asnjë ligj specifik duke e bërë këtë aktivitet të dyshimtë dhe nga ana kushtetuese. Sipas tyre, në nenin 4 të saj parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit ndërkohë që aktiviteti në fjalë është një aktivitet publik i pa normuar me ligj. Duke qenë se një aktivitet i tillë nuk ka asnjë rregullim dhe ndikon direkt në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhje, ndalimet apo kufizimet e mësipërme janë të justifikueshme, proporcionale dhe një adresim i problemeve konkrete në vend duke e sjellë garën elektorale në një nivel të barabartë. Theksojmë se ndalime të ngjashme, madje më të forta janë parashikuar në shumë legjislacione të tjera të botës si Kanada, Australi, Britani, Irlandë, Gjermani, Itali, por edhe në disa shtete të lindjes,- theksuan përfaqësuesit e PS-së.
Por përfaqësuesit e djathtë u shprehën kundër këtij propozimi me argumentimin se afati ligjor i propozuar për ndalimin e njoftimeve qeveritare apo të njësive vendore është tepër i madh duke rrezikuar që të dëmtojë veprimtarinë e këtyre institucioneve. Demokratët u shprehën se nuk mund të ndalohen reklamat që nëntë muaj përpara datës së zgjedhjeve, siç përcakton edhe Kodi Zgjedhor për detyrimin që ka kreu i shtetit për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Sipas burimeve nga mazhoranca, përfaqësuesit e djathtë e cilësuan të panevojshëm saktësimin në Kod të çështjes së reklamave të institucioneve shtetërore.
Sipas tyre, Kuvendi mund të hartojë një ligj ku të përcaktojë qartë afatet, subjektet që preken, rastet përjashtimore dhe të gjithë problematikën që lidhet me reklamat shtetërore. Kodi aktual nuk përcakton një datë për ndalimin e reklamave shtetërore gjatë periudhës zgjedhore. Sipas nenit 4, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se nëntë muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. E njëjta pikë zbatohet edhe në rastin e dekretimit të zgjedhjeve vendore. Mësohet se palët nuk kanë gjetur konsensusin në lidhje regjistrimin e kandidatëve, më konkretisht nëse zv ministrat apo funksionarë të tjerë të lartë do të duhet të japin dorëheqjen para se të kandidojnë. Ekspertët e dy palëve kanë kërkuar më tepër kohë për të gjetur shembuj për ti pasqyruar më pas në Kodin tonë zgjedhor.
Propozimi
Neni 77/1
1. Ndalohet çdo lloj reklame dhe njoftimi qeveritar, në nivel qendror dhe vendor, që nga dita e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës, deri në fillimin e fushatës zgjedhore.
2. Bëjnë përjashtim nga ky rregull vetëm reklamat dhe njoftimet qeveritare që lidhen me çështjet e mëposhtme:
a) Shëndetin publik dhe çështje të sigurisë;
b) Njoftime të ndryshme që lidhen me informacion për çështje zgjedhore;
c) Njoftime, publikimi i të cilave detyrohet nga ligji;
d) Njoftime për vende të lira pune;
e) Njoftime për kontrata publike, përfshirë të gjithë fazat që kërkojnë njoftim;
3. Në çdo rast reklama apo njoftimi qeveritar nuk duhet të ketë në përmbajtje të tij logo, simbole partiake dhe imazhe të titullarëve të institucioneve përkatëse.
PS: Afati i Komisionit mund të shtyhet
Partia Socialiste deklaroi se reforma zgjedhore mund të shtyhet përtej muajit mars ku dy palët do të duhet të miratonin në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pas përfundimit të tryezës ndërmjet PD dhe PS me asistencën e ekspertëve të OSBE/ODIHR/it, deputeti Damian Gjiknuri deklaroi se nuk është gjendur ende konsensusi për disa çështje, të cilat, sipas tij, do të kërkojnë kohë shtesë për diskutimin në rang ekspertësh. Kuptohet në funksion të ecurisë mund të kemi dhe shtyrje, brenda një afati të arsyeshëm që gjithmonë është pranvera e këtij viti, theksoi deputeti Gjiknuri. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore sqaroi qëndrimin e forcës që ai përfaqëson. Partia Socialiste në lidhje me median ka propozuar që nga dalja e dekretit të Presidentit të lejohen vetëm ato reklama publike të cilat kanë një interes të mirëfilltë publik siç janë njoftimet për punësim, për tenderë apo elementë të tjerë që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e procesit zgjedhor. Por, të ndalohet reklama e tipit propagandë, promovim aktivitetesh qeveritare sepse ajo ndikon direkt në perceptimin e zgjedhësve për forca të caktuara politike dhe mbi të gjitha është një aktivitet që shpenzon para publike, sqaroi sekretari për çështjet zgjedhore në PS. Duke hedhur poshtë propozimin e demokratëve për të mos e saktësuar në Kodin Zgjedhor këtë çështje, Gjiknuri tha se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë ligj të posaçëm që e rregullon publikimin e reklamave qeveritare për periudhën zgjedhore.
