Dosjet e ATK-së në dorë të Përmbarimit dhe ZRPP-së
Agjencia e Trajtimit të Kredive e ka filluar vitin 2010 me 12 717 dosje debitorësh të mbetura për t’u trajtuar, nga 18 969 dosje të transferuara në këtë institucion, kohë pas kohe, duke filluar që nga vitit 1998, kur ai u krijua për të trajtuar dosjet e huamarrësve të grumbulluara nga procesi kredidhënës i ish bankave shtetrore të nivelit të dytë dhe INSIG sh.a., në periudhën 1992-1997. Pra, sipas një veprimi të thjeshtë arithmetikor, pas afro 12 vitesh veprimtari të këtij institucioni, i bie që të jenë ende në trajtim rreth 67 për qind e dosjeve të transferuara në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, pas falimentimit të BTA-së në vitin 1998 dhe privatizimit të BKT-së e BK-së në vitet 2000-2002. Nga totali gjithësej i dosjeve të transferuara, 32 prej tyre i përkasin kredidhënies me objekt: “investime në banesa”, të kryera në INSIG sh.a.Për dosjet e mbetura për t’u trajtuar ende në ATK, nëse do t’i referoheshim ritmit të deritanishëm të punës në këtë drejtim, do të deshenin afro 20 vite të tjera kohë në dispozicion. Ato përmbajnë një detyrim total prej 22 miliardë lekë ose rreth 240 milionë dollarë, nga të cilat 47 përqind e kësaj shume i takon principalit; dhe pjesa tjetër është interesa, gjoba dhe kamatvonesa. Shifra të tilla të dhënash, përveç të tjerash, tregojnë se, zvarritja e shlyerjes në kohë të detyrimit i ka penalizuar e vazhdon t’i penalizojë gjithnjë e më shumë debitorët, duke ua dyfishuar këtë shumë në krahasim me masën e kredisë që marrë nga bankat. Madje ka midis tyre nga ato lloj detyrimesh, në të cilat shumë e interesave, gjobave dhe kamatvonesave është 3-4 herë më e lartë se sa principali. Ky problem ka ndodhur kryesisht me ata debitorë, të cilët janë lënë pa u dërguar në gjykatë për nxjerrjen e urdhërit të ekzekutimit dhe kalimin e tyre në zyrën e shërbimit Përmbarimor për ekzekutim të detyrueshëm. Megjithatë kjo mangësi e punës organizuese e drejtuese është zgjidhur gjatë dy viteve të fundit, duke arritur që të vihen nën trajtim ligjor 11 875 debitorë ose 93,4 për qind e të gjithë debitorëve të mbetur ende për t’u trajtuar në fillim të këtij viti. Nga këta debitorë, 10 070 prej tyre u ka dalë urdhëri i ekzekutimit dhe 5 703 nga ky grupim po trajtohen nëpërmjet zyrave të shërbimit Përmbarimor.Faktet e mësipërme tregojnë se. në një mënyrë ose në tjetrën, Agjencia e Trajtimit të Kredive e ka përmbushur detyrimin e saj, ndonëse me pak vonesë, duke i futur nën trajtim ligjor gati të gjithë debitorët e mbetur për trajtim ende në këtë institucion. Pra pasj kësaj, “topi” i arkëtimit të këtyre detyrimeve, që individë apo subjekte të caktuara kanë ndaj shtetit, është në fushën e shërbimit Përmbarimor, pse jo dhe të zyrave të rregjistimit të Pasurive të Palujtshme apo të gjithë institucioneve të tjera që administrojnë prona, pasuri dhe shërbime të ndryshme ndaj qytetarëve. Madje në nenin 10, të ligjit organik të ATK-së përcaktohet edhe detyrimi ligjor për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis këtyre institucioneve, për të mundësuar arkëtimin me çdo kusht të detyrimeve debitore ndaj shtetit. Por ky detyrim ligjor i institucioneve në fjalë asnjëherë nuk është kuptuar prej tyre si një obligim i veçant ndaj ATK-së si institucion shtetror. Për rrjedhoj Agjencia e Trajtimit të Kredive është trajtuar njëlloj si çdo kreditor tjetër. Ndaj efektiviti i këtij bashkëpunimi, deri tani, është tepër i ulët; aq sa në një vit nuk arkëtohet më shumë se 2 për qind e detyrimit gjithësej të mbetur për t’u trajtuar në ATK. Pas kësaj, gjithësekush e ka të lehtë të bëjë llogaritjen e kohës fizike që duhet për të arkëtuar një detyrim total prej 240 milionë dollarë, që figuron si çelje llogarie në 1 janar 2010.Megjithëse gjatë muajëve të fundit e kemi përmirësuar ndjeshëm klimën e bashkëpunimit me shërbimin Përmbarimor, përsëri rezultatet e pritshme mungojnë, ndonëse ATK-ja, në përgjithësi, e ka kryer e po e kryen me përkushtim detyrën që i njeh ligji në këtë drejtim. Kështu që është në pritje të punës ekzekutive të shërbimit Përmbarimor dhe institucioneve të tjera të ngarkuar me ligj për arkëtimin e detyrimeve të mbetura debitore. Megjithatë strukturat përkatëse të ATK-së vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe në kontakt të pandërprerë me debitorët dhe institucionet bashkëpunuese për rifreskimin e plotësimin e informacionit që kërkon përmbushja maksimale e detyrës. Në fund të fundit, vetëm punonjësit dhe strukturat drejtuese të ATK-së e ndjejnë realisht përgjegjësinë e mosrealizimit të detyrave të caktuara, deri në atë shkallë sa që edhe paga apo qëndrimi në punë i tyre është i lidhur me masën e arkëtimeve të kryera. Por këto sanksione do të ishin të justifikueshme në një situatë tjetër, kur në procesin e trajtimit të këtyre detyrimeve të vazhdonte të kishte ende ndikim versioni i ofrimit vullnetar të debitorëve, gjë që nuk ekziston prej kohësh. Sidoqoftë punonjësit e ATK-së vazhdojnë kontaktet me debitorët, pavarësisht reagimit të tyre arrogant, fyes e shpërfillës. “ç’është ky Feti Zeneli që na kërkon kreditë e harruara?”, thotë një “boss”, duke u hakërruar se do shfrytëzojë lidhjet e tij me qeveritarë të caktuar për t’u hakmarrë!?... “Shkoni merrrni shtëpinë në fshat”, thotë një tjetër “i fortë”, i cili ka një firmë të fuqishme ndërtimi. Dikush shëtit me “ML” e të këput “pesëdinqë të shara” po e more në telefon t’i kujtosh detyrimin që ka, siç ka shumë të tjerë që i kanë fshehur pasuritë, duke i rregjistruar në emër të familjarëve të tyre e kështu me radhë. Ndërsa shërbimi përmbarimor dhe bashkë me të edhe zyrat e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme “ngrenë duartë lartë” për këtë kategori debitorësh, që përfaqësojnë jo pak po gati 50 për qind të debitorëve gjithësej, dhe deklarojnë pa pikë përgjegjësie se: “s’kemi ç’t’ju bëjmë!... “s’kanë pasuri!...”, duke i motivuar pa dashur këta debitorë super të këqinjë, të na fyejnë e denigrojnë jo vetëm ne, por të marrin nëpër këmbë një shtet të tërë, që s’arrinë t’ju marrë me ligj paret që ju ka dhënë për t’i nxjerrë nga prapambetja ekonomike në fillim të viteve ’90. Dhe shteti në këtë rast përfaqësohet nga shërbimi Përmbarimor, i cili duhet të shoh rolin e vet në këtë proces të rëndësishëm të arkëtimit të detyrimeve debitore, që natyrisht nuk është i lehtë, por me mjaft ndikimin në mbarëvajtjen e procesit të kredidhëneis bankare dhe respektimin e të drejtave kreditore në përgjithësi. Kjo situatë nuk mund të shtyhet më tej sipas parimit: “tërhiq e mos këput”. Shërbimi Përmbarimor dhe institucionet e tjera bashkëpunuese në këtë proces duhet të kënë për një detyrë të tillë fisnike po të njëjtin vlerësim që ka dhe Agjencia e Trajtimit të Kredive, pse jo dhe të njëjtën përgjegjësi në rast të mosrealizimit të detyrave të caktuara. Nëse në këtë rast është bërë pengesë mungesa e azhornimit ligjor në përputhje me realitetin e krijuar, kjo gjë është mëse e zgjidhëshme, duke inicuar ndryshime apo nxjerrje aktesh të reja ligjore e nënligjore. Dhe nëse nuk mungon përkushtimi dhe profesionalizmi në punë, pas këtij momenti nuk ka më justifikim për situatën që është krijuar. Një i huaj do të shprehte habi po t’i thoshe që, “gati 94 për qind e dosjeve të ATK-së janë në trajtim ligjor” dhe buxheti i shtetit nuk arrin të arkëtoj as 2 për qind në vit të detyrimit që debitorët apo shtetasit i kanë shtetit të tyre për t‘ia kthyer, prej kaq vitesh. Shumë nga këta “bosa” që na bëjnë karshillëk dhe na tundin para syve lloj-lloj kërcënimesh, i njohin shumë mirë këto eksperienca, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë qënë, jo vetëm për punë po edhe për pushime në Perëndim. Dhe shteti (nënkupto Përmbarimin dhe institucione të tjera) po të dojë “ e zë lepurin me qerre” edhe në Shqipëri, ndërkohë që debitorët janë “lepuj të penguar” që nuk mund të vrapojnë si gjithë të tjerët. Ata vazhdimisht janë në kërkim të shërbimeve nga shteti, një pjesë e të cilave janë shërbime jetësore e të domosdoshme, të cilat nuk ka pse t’u ofrohen atyre qytetarëve që janë debitorë dhe nuk ofrohen për të likujduar detyrimin që kanë ndaj ATK-së. Dhe siç dihet, grupi i debitorëve të ATK-së përbëhet nga qytetarë që kanë kërkesa të ndryshme për shërbime shtetrore; disa kërkojnë të lëvizin jashtë shtetit, një pjesë duan vërtetime, çertifikata e liçensa të ndryshme nga zyrat e shtetit e kështu me radhë. Në këto kushte, pengimi, për të mos ua ofruar këto shërbime atyre pa shlyer më parë detyrimet debitore ndaj ATK-së, do t’i vinte të gjithë në radhë për të arkëtuar pranë bankave, si dikur për të marrë qumësht. Trajtim ligjor pa masa të tilla shtërnguese nuk ka. Shtetin shqiptar, më shumë se sa shumat e këtyre detyrimeve, duhet ta shqetësojë autoriteti i ulët ligjor përballë mashtruesish dhe abuzantësh të pafre, të cilët ndodhen me shumicë në grupin e debitorëve të ATK-së. Por deri tani, shtërngesat ligjore janë parë vetëm si ndryshime të akteve ligjore e nëligjore mbi bazën e të cilave funksionon ATK-ja. Por Agjencia e Trajtimit të Kredive në vetvete nuk ka ndonjë “task force” që të mund ta çojë deri në fund ekzekutimin e nisur. Shpesh gjatë takimeve që kemi patur me drejtues apo përfaqësues të institucioneve të tjera bashkëpunuese na ka rezultuar që ata nuk kanë fare dijeni për ndryshimet ligjore apo nënligjore të ATK-së, megjithëse në përgjithësi ato kanë qënë të natyrës së faljeve të plotë apo pjesore për interesa, gjoba dhe kamatvonesa. Momentalisht, debitorëte ATK-së kanë humbur një rast të art për ;likujdimin e detyrimeve të tyre, deri në fund të muajit dhjetor 2009, kur u faleshin të gjithë interesat, gjobat dhe kamatvonesat, duke u detyruar të shlyenin vetëm principalin, pavarësisht nga shuma e mbetur e tij. Megjithatë edhe periudha janar-qershor e këtij viti përmban favore jo të vogëla për debitorët, të cilët përveç principalit paguajnë edhe 20-25 për qind të interesave, gjobave dhe kamatvonesave, një shifër që pas qershorit të këtij viti shkon në 35-40 për qind, duke e rënduar edhe më shumë detyrimin dhe pozitën e tyre para ligjit.Autori i shkrimit është Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive...