E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët madhorë dhe vjehrri e vjehrra e zyrtarit do deklarojnë pasurinë

Nga Armand Maho

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive tashmë do kontrollojë dhe pasuritë e fëmijëve në moshë madhore të zyrtarëve, por dhe të vjehrrit dhe vjehrrës së zyrtarit.

Detyrimi për deklarimin e pasurisë së tyre është përcaktuar në formularin e ri të deklarimit të interesave private.

“Një nga risitë e dokumentit të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjekteve të ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, detyrim i cili nuk është aplikuar deri më tani.

Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit”, - thuhet në një njoftim të këtij Inspektorati.

“Në strategjinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009, prioritet është jo vetëm evidentimi, parandalimi, shmangia e konfliktit të interesave, por edhe vendosja e sanksioneve përkatëse në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore. Në këtë kuadër, në zbatim të neneve 24 dhe 35 të ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet të personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es), për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme, ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi”, - vijon më tej njoftimi.

Gjithashtu, zyrtarëve të nivelit të lartë dhe personave të lidhur me ta do iu ndalohet të krijojnë marrëdhënie kontraktore me të gjitha njësitë e administratës publike në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, zyrtarëve të nivelit të mesëm drejtues, nëpunësve të administratës tatimore e doganore dhe personave të lidhur me ta do iu ndalohet të lidhin kontrata me institucionin publik, ku ushtron funksionin zyrtari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›