E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e fshehta të Sadamit

Gjatë fazës që i parapriu luftës kundër Irakut, Presidenti Bush tha shumë gjëra lidhur me qëllimet e Sadam Huseinit. Por pak akuza të tij prekën aq fort vëmendjen e publikut, sa fjalët që tha gjatë një takimi në Teksas më 26 shtator të vitit 2003. "Pas së gjithash, ky njeri u përpoq të vriste babanë tim", tha Bushi. Komenti i referohej një deklarate të bërë nga qeveria kuvajtiane - e pranuar nga administrata e Klintonit - sipas së cilës Shërbimet Sekrete Irakiane po komplotonin për të vrarë Presidentin Xhorxh Bush (plakun) gjatë një udhëtimi që do të bënte atë verë në Kuvajt. Që në atë kohë, disa psikologë sugjeruan se mëria e Bushit (të riut) kundër diktatorit ishte veç hakmarrje personale dhe mund të ketë qenë edhe një prej motiveve më të forta të këmbënguljes për rrëzimin e regjimit të Sadamit.

Kureshtje ngjall fakti se është dëgjuar shumë pak mbi këtë pretendim të Presidentit aktual amerikan, tani që kanë kaluar pesë vjet nga pushtimi i Irakut. Një studim i sapokryer nga Pentagoni mbi lidhjet e regjimit irakian me terrorizmin, veç e thellon edhe më shumë këtë mister.

Studimi në fjalë, i kryer nga një skuadër e specializuar e Pentagonit, u krye falë kërkimeve të imtësishme mbi një dokumentacion prej më shumë se 600 mijë faqesh, të cilat dikur u përkisnin Shërbimeve të Fshehta Irakiane. U shfrytëzuan gjithashtu edhe mijëra orë regjistrime zanore e filmike të mbledhjeve të Sadamit me njerëzit e tij më të afërt.

Studimi zbuloi se shërbimet e fshehta të Sadamit dokumentonin me besnikëri çdo plan operimi, përfshi edhe ato për të vrarë irakianët me banim jashtë shtetit apo furnizimin e ambasadave irakiane me eksploziv. Por kërkimet e Pentagonit nuk hasën asnjë dokument që të kishte lidhje me ndonjë plan për të eliminuar fizikisht Presidentin e dikurshëm amerikan. Duhet thënë gjithashtu se gjetja e dokumentacioneve, që të vërtetonin këtë tezë, ishte edhe një prej qëllimeve kryesore të studimit. "Ishte e papritur", tha një burim brenda Pentagonit, që punoi për përpilimin e raportit. "Të gjithë prisnim të gjenim ndonjë dokument, që të paktën të tregonte se një komplot i tillë u kish shkuar nëpër mend".

Gjithsesi, dështimi i kërkimeve nuk provon aspak që Shërbimet Sekrete Irakiane nuk e kanë menduar një plan të tillë. "Nuk do të mbetesha aspak i habitur sikur irakianët të kenë zhdukur çdo të dhënë, që do ta vërtetonte këtë plan - do të ishte shumë e sikletshme për ta", thotë Pol Pilar, ish-analisti numër një i CIA-s për Lindjen e Mesme.

Ndërkohë që të tjerë mendojnë se ky pretendim është i ekzagjeruar. Paralajmërimi i ardhur nga Kuvajti u mbështet tek arrestimi i një bande kontrabandistësh pijesh alkoolike të arrestuar atë verë në kufirin me Irakun. Autoritetet kuvajtiane zbuluan gjithashtu një makinë të tipit "Toyota Land Cruiser", ku qenë fshehur rreth 150 kilogramë eksploziv të lidhur me një detonator. Pas shumë ditësh në duart e agjentëve kuvajtianë, kreu i bandës së kontrabandistëve, Vali Al Ghazali, rrëfeu se ishte ngarkuar nga Shërbimet e Fshehta Irakiane për eliminimin e Presidentit Bush.

"Amnesty International" në atë kohë vuri pikëpyetje të forta mbi faktin nëse kontrabandisti ishte torturuar për ditë me radhë. Por, kur FBI-ja arriti në përfundimin se ajo bombë u ngjante edhe të tjerave të përgatitura në Irak, Presidenti Klinton urdhëroi goditjen e selisë qendrore të Shërbimeve Sekrete Irakiane me raketa "Tomahawk".

Vite më pas, Emiri i Kuvajtit nuk pranoi ta nënshkruante dënimin me vdekje të Al Ghazalit dhe u lehtësoi dënimin katër prej gjashtë të dënuarve për komplot. "Mbeti gjithnjë çështje rrethanore", tha Xhudit Jafe, një ish-analiste e CIA-s për Irakun. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të jepte komente lidhur me këtë çështje, por një zyrtar i Shërbimeve të Fshehta Amerikane tha se "ne mendojmë që qeveria e Sadamit kishte gisht" në komplotin e vitit 1993 dhe se informacionet e grumbulluara që në atë kohë e përforcojnë edhe më tej bindjen e tyre.

Ndërkohë që provat për një komplot për vrasjen e Bushit nuk qenë e vetmja gjë që po kërkonte Pentagoni. Gjithashtu nuk u gjetën as të dhëna që të provonin lidhjen mes regjimit të Sadamit dhe Al- Kaedës - një prej justifikimeve më të forta të përdorura nga Shtëpia e Bardhë për të hyrë në luftë. Raporti zbulon mjaft prova për lidhjet e ngushta të regjimit të Sadamit me grupe të tjera terroriste (kryesisht palestinezë), si edhe që mbante kontakte me disa lëvizje radikale islamike - sipas një dokumenti të vitit 1993 edhe me xhihadin egjiptian. Javës që shkoi, zv/presidenti Dik Çenei tha se dokumenti tregoi që "ekzistonte një lidhje mes Irakut dhe Al-Kaedës". Por analisti Pol Pilar vëren se grupi i kryesuar nga Ajman Al Zavahiri u shkri me Al-Kaedën vetëm një vit më pas. "Janë të njëjtat lojëra fjalësh që dëgjuam përpara fillimit të luftës", sqaron Pilar.

Ndoshta zbulimi më i rëndësishëm nga të tërë është regjistrimi i një bisede të Sadamit me ministrat e tij menjëherë pas sulmit terrorist në Qendrën Botërore të Tregtisë (në Nju Jork, viti 1993) - sulm i kryer nga një grup radikalësh islamikë, një prej të cilëve, Abdyl Rahman Jasin, ishte amerikan me origjinë nga Iraku, i cili fluturoi në Bagdad menjëherë pas atentatit. Për vite zyrtarë të lartë të administratës Bush, si Çenei apo Pol Volfovic, zëvendëssekretari i Shtetit për Mbrojtjen, e kanë akuzuar Irakun se e ka "shenjtëruar" Jasinin falë kësaj trimërie, gjë që përfshin edhe qeverinë irakiane në sulmin terrorist. Por regjistrimi i sapozbuluar tregon se Sadami dhe ministrat ishin tejet të habitur nga sulmi dhe pyesnin nëse pas tij fshiheshin "sionistët" apo vetë Shërbimet e Fshehta Amerikane.

Njëherësh tregoheshin edhe shumë mosbesues ndaj vetë Jasinit, i cili gjendej në duart e autoriteteve irakiane. "Jasini", u thotë Sadami ministrave, "është shumë i organizuar dhe duket se luan lojëra".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›