E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e mëdha, kush janë prokurorët që po i hetojnë

Njerëzit të cilëve iu besuan çështjet më të komentuara të 3 viteve të fundit. Dosjet “Rrëshen-Kalimash”, “Gërdeci” dhe dosja e serbo-boshnjakut Fazlliç

Tiranë - Në 3 vite, organi i akuzës është vënë më shumë se kurrë në qendër të vëmendjes. Janë të paktën tri çështje korrupsioni, të cilat kanë sjellë në vëmendje hetimin e personazheve të lidhur direkt, tërthorazi apo dhe familjarisht me krerët më të lartë qeveritarë. Dosja “Gërdeci” është ndoshta më e bujshmja për vetë faktin se pati një bilanc të tmerrshëm në viktima dhe dëme materiale. Së fundi, shfaqja e papritur e një kompanie të pahetuar (ndonëse të evidentuar prej prokurorëve), ka vënë në pikëpyetje seriozitetin e hetimeve të grupit të prokurorëve. Bëhet fjalë pikërisht për kompaninë që ndërtoi Fabrikën e Gërdecit. Në kushtet kur organi i akuzës ka injoruar për muaj me radhë “elefantin mbi tryezë”, atëherë normalisht lind pyetja se çfarë tjetër mund të jetë injoruar nga hetuesit e kësaj çështjeje? Gazeta “Albania” prej disa javësh ka rreshtuar një sërë përgjigjesh të munguara nga ana e hetimit të Prokurorisë, të cilat fillojnë që me personazhe të dëshmuar nga ish-punonjësit e fabrikës si “drejtues të procesit” e që nuk janë pyetur kurrë, e deri te mungesa e përgjigjeve për disa çështje logjike, siç janë; evidentimi i kontove bankare ku u depozituan fitimet e Gërdecit, apo injorimi total që iu bë zotit Patrik Henri, pronar i firmës “Southern Ammunition”, e cila ishte e vetmja kompani që kishte kontratë me shtetin për të operuar në Gërdec.
Kalimash
Një tjetër çështje e çuar në kolaps për shkak procedure është ajo “Rrëshen-Kalimash”. Prokuroria vonoi me shpalljen si person i pandehur për ish-ministrin Basha dhe kaq mjaftoi që gjithë hetimi të shkonte dëm, pasi Gjykata e Lartë vendosi pak kohë më parë të mos e shqyrtonte në themel çështjen. Gjithsesi, Prokuroria e Përgjithshme ka dy mundësi ligjore për t’iu kundërvënë vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila bllokoi gjykimin e ministrit Basha për shkak se ai ishte thirrur i pandehur pas skadimit të afateve hetimore. Prokurorët e çështjes janë duke shqyrtuar mundësinë e kalimit të dosjes në Gjykatën Kushtetuese. “Kjo ngelet si mundësi, pasi me këtë vendim Gjykata e Lartë i hap rrugë zbatimit të së njëjtës praktikë edhe për çështje të tjera. Pra kjo do të thotë se Gjykata e Lartë mund të operojë në të njëjtën mënyrë duke anuluar aktet e marrjes si të pandehur të personave pas skadimit të afateve hetimore. Kjo për ne është një gjë e pakuptimtë, pasi të drejtën e marrjes së pandehur Prokuroria e ka edhe gjatë gjykimit të çështjes, e jo më fazën e ndërmjetme, mes hetimeve dhe fillimit të gjykimit. Ne mund t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për ta sqaruar këtë moment. Mendojmë se kemi një armë të fortë në avantazhin tonë, që lidhet me vendimet paraardhëse të Gjykatës së Lartë, e cila asnjëherë më parë (përveç rastit ‘Basha’), nuk e ka anuluar aktin e marrjes si të pandehur kur ky akt është bërë pas skadimit të afateve hetimore”, - i tha pak kohë më parë “Albania”-s një burim nga organi i akuzës.
Mundësitë
Prokuroria e Përgjithshme ka dhe një tjetër rrugë për të rinisur gjykimin e çështjes. Kjo lidhet me një hetim të dëmeve të kryera në avancë apo në një përllogaritje të dëmit total. Prokurorisë do t’i duhej të merrej vetëm me abuzimet e konstatuara në gërmimet e dheut (të cilat vazhdojnë edhe sot), për ta përdorur si shkëndijë të rihetimit. Shifrat zyrtare të gërmimeve dhe mbushjeve të dheut, të publikuara nga Ministria e Transporteve për aksin “Rrëshen-Kalimash”, rezultojnë fiktive dhe të pavërteta, ndërsa përllogaritjet për dëmin financiar që shkaktojnë këto deklarime janë kolosale.
Një tjetër dosje e rëndë është dosja “Fazlliç”, e cila nuk e ka kaluar “zjarrin” e kalimit në gjykatë. Kjo dosje është tërësisht në varësi të përgjigjeve që do të vijnë nga pesë shtete si letër-porosi.

Dosja “Fazlliç”

Prokurorë:
Dritan Rreshka dhe Besnik Cani
Oficer i Policisë Gjyqësore:
Artur Cara
Pikat e forta: Vërtetimi i shmangies së taksave pas shitjes së kompanisë “Croun Acquisitions”
Pikat e dobëta: Varësia ekstreme nga letër-porositë të pritshme prej Bosnjës, Zvicrës, Qipros, Anglisë, për të vërtetuar veprën e pastrimit të parave Hetime të ngecura në pistën e trafikut të influencës në shitblerjen e energjisë elektrike

Dosja “Rrëshen-Kalimash”

Prokurorë

Në Prokurorinë e Tiranës:
Vexhi Muçmata, Ervin Karanxha

Në Prokurorinë e Përgjithshme:
Zamir Shtylla dhe Arben Kraja

Pikat e forta: Vërtetimi i përsëritur i veprës penale për ish-ministrin Lulzim Basha, i realizuar që nga hetimi në Prokurorinë e Tiranës

Pika e dobët: Shpallja e veprës penale pas përfundimit të afateve hetimore

Dosja “Gërdeci”

Prokurorë:
Zamir Shtylla (dorëhequr)
Sokol Stojani
Kujtim Luli,
Arqilea Koca,
Alfred Progonati
Arben Dollapi - Prok. i Tiranës

Oficerë të Policisë Gjyqësore:
Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit
Ardian Çipa, shef i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
Perlat Vatoci, oficer i trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
Bledar Çeliku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë
Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore, Seksioni i Prokurorisë Tiranë
Arjan Muçaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda
Ibrahim Hoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime e Rënda
Arben Frasheri, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime e Rënda
Hamza Plaka, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime e Rënda

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›