Skandali i firmës “TDC”, Prokuroria shmang hetimin e brendshëm
Habjon Hasani
Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka preferuar të ngelet e paragjykuar, pa dhënë asnjë lloj shpjegimi lidhur me (mos)verifikimet e saj për firmën “TDC”. “Albania” informoi ekskluzivisht rreth një javë më parë mbi ekzistencën e kësaj kompanie, ndërsa po para një jave Prokuroria i drejtoi QKR-së një kërkesë zyrtare për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë “TDC”. Por, sikurse treguan dokumente të tjera të dala nga dosja e Prokurorisë për çështjen “Gërdeci”, organi i akuzës kishte sekuestruar që në muajin tetor 2008 dokumente zyrtare, të cilat denonconin qartësisht rolin e kësaj firme në ndërtimin e paligjshëm dhe pa leje që “TDC” i bëri Fabrikës së Gërdecit. Nga tetori 2008 deri në prill 2009 (para një jave) bëhen gati gjashtë muaj. Fillimisht Prokuroria deklaroi para një jave se sapo ishte njohur me ekzistencën e kompanisë, por kur në media u paraqitën fakte që provonin të kundërtën, organi i akuzës refuzoi të komentonte mbi moshetimin e saj për gjashtë muaj. Në përpjekje për të kuptuar më shumë mbi atë që mund të ketë ndodhur me trajtimin e kësaj kompanie për gjashtë muaj në zyrat e Prokurorisë, “Albania” konsultoi ekspertë ligjorë. Sipas ekspertëve, që nga momenti i sekuestros së dokumenteve në tetor, Prokuroria duhet të kishte sqaruar çdo element që shfaqej i dyshimtë në ato dokumente. Por nuk ndodhi kështu. Ndonëse Prokuroria zotëronte një raport sekret të Policisë Ushtarake, që denonconte rolin e firmës në ndërtimin e fabrikës, Prokuroria për gjashtë muaj me radhë nuk bëri asnjë verifikim për të mësuar se kush ishin personat pas kësaj firme, apo se ku i gjente garancitë kjo firmë për të ndërtuar qetë-qetë e pa asnjë leje brenda një reparti ushtarak.
Shtylla
Si rregull, sekuestrimi dhe administrimi i provave kryhet sipas një rendi të mirëpërcaktuar. Oficerët e Policisë Gjyqësore, me një autorizim të prokurorit të çështjes, shkojnë dhe marrin në cilësinë e provës akte të caktuara duke shënuar çdo veprim dhe përshkrim që kryejnë në një procesverbal të posaçëm. Pasi marrin provat ata fillojnë shqyrtimin e tyre dhe cilindo element që ka lidhje me objektin e hetuar, prokurori i çështjes vendos për ta verifikuar. Urdhrin për verifikim e jep drejtori i Drejtorisë së Hetimeve. Këtë post në tetor të vitit 2008 e ka pasur zoti Zamir Shtylla. Në këto kushte, ka vetëm dy variante të mundshme: ose oficerët gjyqësorë dhe prokurori i çështjes kanë injoruar praninë e firmës “TDC”; ose në të kundërt, ata kanë kërkuar verifikimin e kësaj firme te drejtori i hetimeve, por çështja ka ngelur deri aty.
Për të hedhur dritë më tepër mbi atë që mund të ketë ndodhur, “Albania” i telefonoi ish-drejtorit të hetimeve, zotit Zamir Shtylla. Zoti Shtylla refuzoi kategorikisht çdo koment, duke na sugjeruar që përgjigjet t’i kërkonim te prokurorët aktualë të dosjes, pasi ai ishte dorëhequr. Ndonëse i dorëhequr, zoti Shtylla ka qenë drejtues i hetimeve në tetor 2008, kohë kur u krye sekuestroja e dokumenteve. Zoti Shtylla na tha se ishte në një seminar të rëndësishëm trajnues dhe se nuk kishte dëshirë të fliste për këtë temë.
Stojani
Në përpjekje për të marrë një përgjigje mbi heshtjen e organit të akuzës për injorimin prej 6 muajsh ndaj firmës “TDC”, telefonuam kryehetuesin aktual të dosjes, Sokol Stojani. Zoti Stojani, gjatë një bisede telefonike (që botohet e plotë) e quajti të tepërt të komentonte për mediat duke e konsideruar shpjegimin mbi këtë çështje si një risk për keqpërdorimin e fjalëve të tij apo politizimin e çështjes. Zoti Stojani i tha dje “Albania”-s se përgjigjet që kërkonte i kishte në një deklaratë shtypi të Prokurorisë së Përgjithshme, të shpërndarë pasditen e së mërkurës. Ndonëse “Albania” këmbënguli se ajo deklaratë i shpjegonte të gjitha, përveç faktit të injorimit 6-mujor të firmës “TDC”, zoti Stojani nuk e pa të arsyeshme të shpjegonte më tej. Ai as konfirmoi dhe as e mohoi një hetim të brendshëm për këtë çështje, duke ia lënë “barrën” deklaratës së zyrës së shtypit të Prokurorisë. Nëse i referohemi deklaratës së Prokurorisë, kjo çështje quhet e mbyllur pasi Prokuroria pretendoi se çdo gjë që kishte konstatuar ajo e kishte dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë.
17 Prill 2009