E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e pensioneve/Pezullim i pagesave për pensionet fiktive



Drejtori i DRSSH Durrës, Frederik Tufa, duke folur për “standard” për raportin e auditit lidhur me dosjet e pleqërisë dhe problemet me to, ka deklaruar dje: “Në DRSSH Durrës, Auditimi i Pensioneve të Pleqërisë, që rrjedhin nga ligji me nr. 7703, datë 11.05.1993, si dhe të trajtimeve të veçanta të punonjësve të nëntokës, kontrolli u krye në DRSSH Fier, në zbatim të urdhrit të drejtoreshës së ISSH, me shkresën me nr. 1253/2 datë 06.06.2007”. Sipas z. Tufa: “Grupi i auditit të DRSSH Fier filloi kontrollin me dosjet e pensioneve të pleqërisë-shtet, të lidhura në DRSSH Durrës dhe që aktualisht janë banorë të rajonit tonë, auditimi i përfitimeve është mbështetur në dispozitat e ligjit 7703, datë 11.05.1993 dhe rregullores në fuqi”. “Përgënjeshtroj mashtrimet e një të përditshmeje lidhur me informacionin e marrë nga ne, auditimi është përqendruar në inspektimin e plotësisë së dokumentacionit që argumenton përfitimin si dhe aktet ligjore dhe nënligjore mbi bazën e të cilave është përcaktuar përfitimi”. Nga DRSSH Durrës u nisën në Auditin e Fierit për t’u kontrolluar 7620 dosje dhe nga këto 787 dosje u cilësuan me probleme në dokumentacion dhe u pezulluan. Në bazë të rezultateve të kontrollit nga Auditi Fier, DRSSH Durrës filloi menjëherë procedurat për pezullimin e pagesave të pensioneve për të gjithë përfituesit, dokumentet e të cilëve janë me probleme apo nuk justifikojnë fare përfitimin. Tufa tha se “pezullimi i përfitimit u bë mbi bazën e një akt-pezullimi, në rastet kur për dosjet e pezulluara, ka argumente apo dokumente shtesë për rigjykim ligjor të dosjes nga ana e DRSSH Durrës, është plotësuar dokumentacioni dhe është përcjellë në DRSSH Fier për rishqyrtim nga auditi”. Kështu, nga Auditi Fier u rihapën 144 dosje, pasi u bë plotësimi me dokumente shtesë dhe observacionet, nga verifikimi i auditit i kësaj drejtorie. Ndërsa për të gjitha dosjet e tjera u zbatuan procedurat për mbylljen e përfitimit ekzistues, rillogaritjen e pensionit, llogaritja dhe evidentimi i dëmit dhe marrja e masave për arkëtimin e tij. Për këto veprime është marrë kontakt me të gjithë përfituesit, dosjet e të cilëve u konstatuan me probleme gjatë kontrollit nga Auditi i Fierit. Shumë prej tyre pretendojnë se kontrolli nga auditi i ka cenuar padrejtësisht ata dhe për këtë i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe 531 dosje janë për gjykim. Drejtori Tufa tha: “Me vendim të kësaj gjykate janë rihapur 74 dosje pensioni dhe shumë të tjera janë ende në proces gjyqësor, kanë kaluar në kushte të tjera 47 dosje dhe janë në Prokurori 34 dosje për të cilat do të shprehet për vlefshmërinë e dokumenteve me të cilat janë lidhur këto pensione”. Ai deklaroi: “Kemi një koordinim midis degës së Përfitimeve, së Financës Juridike dhe Drejtorisë DRSSH Durrës, e cila po punon me korrektësi për zbatimin e të gjitha procedurave të përmendura më sipër, për t’i dhënë një zgjidhje sa më të drejtë dhe të shpejtë problemit të qytetarëve”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›