BSH: Rritet treguesi i besimit për industrinë dhe ndërtimin
Treguesit e besimit për sektorin e industrisë dhe ndërtimit janë rritur në 3-mujorin tretë të vitit 2009, ndryshe nga treguesit e besimit të tek konsumatorët që ka tregues në rënie. Vrojtimi i fundit i bërë nga Banka e Shqipërisë vëren se Treguesi i Tendencës Ekonomike (TTE) u rrit me 3.6 pikë në tremujorin e tretë të vitit 2009, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke regjistruar vlerën 88.5. Kjo përbën rritjen e dytë të njëpasnjëshme tremujore të treguesit, i cili shënoi vlerën e tij më të ulët historike në tremujorin e parë të këtij viti. Niveli aktual i TTE qëndron 11.5 pikë më poshtë se mesatarja e tij afatgjatë. Kështu, në tremujorin e tretë të vitit 2009, treguesi i besimit të industrisë (TBI) është rritur me 6.2 pikë përqindjeje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndryshimi i TBI në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti është përkatësisht -14.4 dhe +2.2 pikë përqindje. Niveli i TBI qëndron poshtë mesatares së tij afatgjatë me një diferencë prej 8.3 pikësh përqindje. Vlerësimi i bizneseve për prodhimin industrial, balanca e të cilit u rrit me 11.7 pikë përqindjeje, dha kontributin kryesor në rritjen e treguesit të përgjithshëm të industrisë. Balanca e vlerësimeve të bizneseve të industrisë për situatën e punësimit, megjithëse mbetet në nivele negative, shënoi një kthesë drejt rritjes pas prirjes së theksuar rënëse që nga tremujori i katërt i vitit 2008. Në sektori i ndërtimit, treguesi i besimit (TBN) është rritur me 3.4 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2009, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Përmirësimi i treguesit të agreguar në këtë sektor është shkaktuar nga zhvillime kryesisht pozitive në komponentët përbërës të tij. Kontributin më të madh në përmirësimin e treguesit të besimit të ndërtimit e ka dhënë rritja e balancës së prodhimit, e cila u rrit me 9.5 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kërkesa në ndërtim është vlerësuar më pak negativisht në tremujorin aktual, balanca u rrit me 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Situata e punësimit është vlerësuar negativisht në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me një tremujor më parë. Edhe pse treguesi i besimit të ndërtimit shënoi zhvillime pozitive gjatë tremujorit të tretë të vitit, vlera e tij ndodhet nën mesataren afatgjatë. Ndërsa treguesi i besimit të shërbimeve (TBSH) ka regjistruar një rritje të lehtë me 0.6 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2009, duke qëndruar aktualisht 4.7 pikë përqindjeje më poshtë mesatares së tij afatgjatë. Bizneset kanë rritur vlerësimin për ecurinë e ekonomisë dhe situatën e punësimit në sektorin e tyre, balancat janë rritur përkatësisht me 5.6 dhe 3 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë të vitit. Por, besimi i konsumatorit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, pësoi një rënie të lehtë me rreth 1.8 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Treguesi i besimit konsumator, edhe pse në nivele negative, ndodhet rreth 2.2 pikë përqindje mbi mesataren e tij afatgjatë. Zhvillimet negative në treguesin e agreguar u shkaktuan nga kombinimi i zhvillimeve me kahe të ndryshme në katër komponentët përbërës të tij.