E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet e pronësisë, afati i ri i pranimit fillon nga 15 maji

Ish-pronarët kanë afat të ri për plotësimin dhe dorëzimin e dosjeve. Ndryshimet në ligj përfshijnë shtyrjen e kohës deri më 31 dhjetor 2008

Ervin Koçi

Në datën 15 maj rifillon pranimi i dokumenteve për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët, bëjnë të ditur burime zyrtare të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas këtyre burimeve, nga data 15 maj deri më 31 dhjetor 2008, çdo ish-pronar, i cili nuk ka dorëzuar ende dokumentacionin për pronat e trashëguara dhe të shpronësuara nga ish-regjimi komunist, ka të drejtë që t'i dorëzojë ato pranë Agjencive rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre, dokumentacionin përkatës. Kryetari i AKKP-së, Besnik Maho, u shpreh lidhur me këtë çështje se, “gjithçka mbështetet me hyrjen në fuqi të disa ndryshimeve që pësoi Ligji Nr. 9235 i miratuar nga Kuvendi dhe dekretuar së fundi nga Presidenti i Republikës”. Në ndryshimet që u bënë në Ligjin Nr. 9235, përfshihet dhe shtyrja e kohës për dorëzimin e dokumentacionit të pronave për ish-pronarët deri në datën 31 dhjetor 2008. Në bazë të Ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", të miratuar në 2006-n, parashikohej si afat përfundimtar i dorëzimit të dokumenteve për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët data 30 shtator 2007. Por ky afat u vlerësua nga shoqatat e ish-pronarëve si kohë e pamjaftueshme për ish-pronarët, për përgatitjen e dokumentacionit të plotë, i cili përfshin, përveç tapive, apo vendimeve gjyqësore të njohjes së pronave, edhe harta të ndryshme të pronave, dokumente arkivore nga Arkivi Qendror i Shtetit, nga arkivat e qarqeve etj.

Vendimi zyrtar

Duke nisur nga data 15 maj 2008, të gjithë ata pronarë që duan kthim e kompensim për tokat e zëna mund të depozitojnë dokumentacionin në zyrat e komisioneve të pronës. Me firmosjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të ndryshimeve në ligjin e pronës, pronarët nuk do të sorollaten më, por mund të depozitojnë dokumentacionet për të rifituar pronat apo kompensimin për to. E drejtë kjo që u është mohuar që nga 31 tetori i vitit të kaluar, kur skadoi afati i pranimit të dokumentacionit. Pra që nga data 1 maj pronarët do të kenë tetë muaj kohë për të përgatitur dosjet dhe për t’i dorëzuar në të gjitha komisionet e pronës. Në bazë të ndryshimeve ligjore të firmosura nga kreu i shtetit, pronarët do të kenë mundësi që të dorëzojnë dokumentacionin deri më 31 dhjetor 2008. Komisionet e tokës do të jenë të hapura për të pritur të gjitha dokumentet. E mbas kësaj date do të vijohet me procedurat e kthimit e kompensimit. Çdo subjekt, në momentin e paraqitjes së kërkesës, do të pajisjet me numrin e dosjes përkatëse, si dhe do të ketë konsultimin e ekspertëve të komisioneve përkatëse. Në çdo rast lihet e hapur mundësia e paraqitjes së një ankese në Agjencinë Qendrore në vend.

Afati i fundit

Fundi i këtij viti (2008) do të jetë dhe afati maksimal për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e pronës. Në ligjin që ka marrë dhe firmën e presidentit saktësohet se çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtën deri më 31 dhjetor për të plotësuar dosjen. Ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka detyrimin për të plotësuar kërkesat mbi të gjithë procedurën, si për njohjen, ashtu dhe për rikthimin e së drejtës. Subjektet do të kenë të drejtën të plotësojnë dosjen deri më 31 dhjetor, më pas bllokohen proceset.
Sipas përcaktimeve ligjore, agjencia rajonale duhet të japë një vendim mbi kërkesën brenda 45 ditëve. Nëse ky afat nuk sjell një vendim, çështja i kalon Agjencisë Qendrore. Ndërsa nisja e procesit të kompensimit do të jetë në varësi të realizimit të hartës së tokave të lira, si dhe të procesit për kompensimin financiar. Për këtë çështje qeveria detyrohet që brenda 6 muajve të paraqesë hartën e tokave të lira që do të shërbejnë për kompensimin.

Dokumentet që i duhen ish-pronarit për dosjen e pronës

Në momentin që një person do të nisë procedurën për të kërkuar njohjen dhe kthimin e tokës së trashëguar, do të duhet të plotësojë një formular “për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi me prokurë të posaçme (formular tip)”. Ndërsa duhet të paraqesë pranë agjencisë dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit, si dhe pozicionin gjeografik të pronës. Për këtë do të shërbejë një vërtetim pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; dokument kadastral, si dhe një vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës. Në mbështetje të kërkesës duhet paraqitur dhe dokument nga Arkiva Hipotekore dhe arshiva. Të rëndësishme konsiderohen dhe harta, plan-vendosje e vjetër e pronës, si dhe harta e plan-vendosjes së re. Dokumentet lëshohen nga institucione të ndryshme për kategori të ndryshme. Për tokat pyjore nga zyrat përkatëse në qarkun përkatës.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›