E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit shqiptar



Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendosën ditën e djeshme kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në nderim të të rënëve të kombit. “Natyrisht, kjo ditë është një ditë e shënuar, është një simbolikë e qëndresës dhe e vetëmohimit për interesa të mëdha kombëtare. Kjo është arsyeja që ne e respektojmë shumë këtë ditë, të gjithë së bashku për të projektuar një Shqipëri moderne, e cila ngrihet në radhë të parë mbi sakrificat e këtyre njerëzve që nderojmë sot”, është shprehur Presidenti Topi. Më pas, Presidenti Topi bëri vizita në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari, në familjen e dëshmorit të rënë në luftë kundër pushtuesve fashistë më 7 prill, 1939, Mujo Ulqinakut dhe në familjen e Skerdilajd Llagamit, i rënë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, duke qenë një nga luftëtarët e UÇK-së. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, së bashku me drejtues të lartë të shtetit, bëri homazhet në varrezat "Dëshmorët e Kombit", në përkujtim të 5 Majit, ditës së Dëshmorëve të Atdheut. Në përkujtim të Ditës së Dëshmorëve, kryetarja Topalli zhvilloi një vizitë edhe në shtëpinë e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, ish-deputetit të Partisë Demokratike, vrarë më 12 shtator 1998.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›