E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria jep pretencën për “Hakmarrjen për drejtësi”

Kush janë në listën e të cilësuarve si anëtarë. Masa e dënimit që u kërkua dhe si lindi organizata

Laureta Rryçi

Tiranë - Prokuroria dha dje pretencën për të akuzuarit si anëtarë të “Hakmarrje për drejtësi”. Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë lexuar për më shumë se tri orë me radhë rreth 138 fletë, ku përfshiheshin jo vetëm provat e grumbulluara, por edhe masën e dënimit për secilin të akuzuar. Për institucionin e Akuzës, Orik Shyti duhet të dënohet me burgim të përjetshëm. Të njëjtën masë të rëndë ndëshkuese ata kërkuan dhe për Gentian Cakën dhe Altin Arapin. Ndërkohë, për vëllezërit Nikolin dhe Pasho Novruzaj u kërkuan përkatësisht 24 dhe 21 vite burg, kurse për Kreshnik Spahiun u kërkuan 22 vite burg. Masa më e lehtë e dënimit 8 vite burg, u kërkua nga Prokuroria për Gëzim Gjonin.
Dosja
Dosja, që i takon organizatës së cilësuar “Hakmarrja për drejtësi”, ka pasur fatin ndryshe nga të gjitha dosjet që mund të kenë mbërritur në dyert e Drejtësisë shqiptare. Çështja, që nisi që në vitin 1996, mund të përfundojë me një vendim të paktën të shkallës së parë vetëm pas disa ditësh. Kalvarit të udhëtimeve të kësaj dosjeje sa në një zyrë prokurori në një zyrë gjyqtari duket se do t’i vijë fundi. Pas pretencës së djeshme pritet që gjykata të ketë një vendim për të akuzuarit, edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë përfituar azil politik në shtete të ndryshme, pikërisht për shkak të këtyre akuzave.
Organizata
Gjithçka ka filluar më 12 tetor 1996. TVSH-ja i dha opinionit publik pamjet e një magazine të mbushur me armë të tipave të ndryshëm ku binin në sy predha të shumta kundërtank. Shumëkush mendoi se armët ishin të destinuara për trafikim. Më 16 tetor 1996, në kulmin e fushatës elektorale të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 20 tetorit, ministri i Punëve të Brendshme, Halit Shamata, dha një konferencë për shtyp dhe njoftoi se ishte zbuluar një “organizatë terroriste me karakter politik, e quajtur ‘Hakmarrja për drejtësi shqiptare’”. Sipas tij, kjo organizatë ishte krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti. Shamata bëri publike se shumica e anëtarëve të organizatës ishte arrestuar, se ata pranonin vetë se kishin vendosur autobombën te Supermarketi i “VEFA”-s, kishin vrarë drejtorin e Burgjeve, Bujar Kaloshin, se u ishte kapur plani i një atentati që do të kryenin atë ditë që u arrestuan etj. Në këtë datë TVSH-ja transmeton një emision special në të cilin përfshihej konferenca për shtyp, pamje të disa armëve, por sasia e tyre ishte shumë më e vogël nga ato të transmetuara në datën 12 tetor dhe e filmuar në të tjera mjedise; pamje të personave të arrestuar, dy prej të cilëve dëgjoheshin të flisnin se si i kishin kryer krimet.

Pretenca për “Hakmarrje për drejtësi”

Orik Shyti
Burgim i përjetshëm
Gentian Caka
Burgim i përjetshëm
Altin Arapi
Burgim i përjetshëm
Nikolin Novruzaj
24 vite burg
Pasho Novruzaj
21 vite burg
Kreshnik Spahiu
22 vite burg
Gëzim Gjoni
8 vite burg

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›