E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: Studentët të votojë në vendbanimet e tyre

Autori i Lajmit: Suela Topi
Projektligji për “Gjendjen Civile” ka rikthyer debatet e ashpra në Komisionin e Ligjeve mes mazhorancës dhe opozitës. Socialistët edhe pse ishin parimisht pro këtij ligji kanë kundërshtuar nenin 14 të draftit, i cili sipas tyre hedh në erë procesin zgjedhor. Sipas nenit 14 të draftit për projektligjin për gjendjen civile institucionet shtetërore ligjërohen të bëjnë regjistrimin e shtetasve me të drejtë vote edhe në qytetet ku ata banojnë përkohësisht, por ku nuk figurojnë të kenë pasaportizimin e tyre. Sipas deputetëve të majtë në Komisionin e Ligjeve ky nen cënon rëndë zgjedhjet pasi favorizon manipulimet politike me listën ende të papublikuar të zgjedhësve, ndonëse kanë kaluar të gjitha afatet si dhe bie në kundërshtim me Kodin Zgjehdor. Me gjithë këmbënguljen e opozitës për të gjetur konsensus lidhur me nenin problematik 9 deputetët e mazhorancës në komision kanë votuar parimisht “pro” këtij ligji, ndërkohë që të majtët kanë qëndruar në mbledhje, por nuk morën pjesë në votim. Edhe më herët në disa seanca kuvendore Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin për lëvizjet demografike të stimuluar që mazhoranca po bën për të manipuluar zgjedhjet. Kështu sipas PS-së, Qeveria jo vetëm po regjistron në Tiranë apo rrethe të tjerë zgjedhës të cilët kanë vendbanime të tjera, por po le të paqartë mënyrën e votimit në kryeqytet të zgjedhësve të cilët janë pajisur me karta identiteti në zyrat e gjendjeve civile në qytetet ku ata figurojnë si banorë.
Debate
Opozita akuzon mazhorancën se po përdor për qëllime elektorale projektligjin për Gjendjen Civile duke shtuar artificialisht numrin e zgjedhësve për zona të ndryshme. “Ka shkelje kushtetuese në nenin 14 i cili kërkon në mënyrë të detyrueshme që listat e votimit, përveç personave që banojnë pranë qendrave të votimit të shtohen me studentë dhe persona të tjerë të cilët janë me banim të përkohshëm pranë njësive të pushtetit vendor. Për këtë arsye ne nuk mund të votojmë pro një ligji i cili për ne ka shumë efekte elektorale në zgjedhjet e 2009-ës”,- tha deputeti socialist, njëkohësisht relatori i draftit, Blendi Klosi. Këto argumenta të tij nuk janë pranuar nga përfaqësuesit e mazhorancës. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali pohoi se diskutimi i kësaj pike mund të bëhet gjerësisht në momentin e diskutimit nen për nen dhe jo të mbahen qëndrime kategorike. Madje ai e konsideroi qëndrimin e socialistëve si një sinjal për votë kundër. “Mos vallë duhet të dyshojmë se nuk do të ketë votë pro nga opozita. Vetëm në këtë mënyrë mund të merren kushtet e Klosit”, - tha Rusmali. Por ky qëndim u kundërshtua ashpër jo vetëm nga socialistët por dhe nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho i cili i konsideroi si të drejta vërejtjet e Klosit. Ndërsa deputeti Bashkim Fino sqaroi se vërejtet e socialistëve ishin konkrete. Debate shkaktoi dhe një tjetër pyetje e socialistëve, saktësisht ajo e deputetit Pandeli Majko sipas të cili duhet të diskutohej nëse ishte e pranueshem që ligji kryesor për zgjedhjet e 2009-ës të diskutohej nga një person që mund të jetë në listën e kandidatëve për deputet. “Zoti Teliti do kandidoni në zgjedhjet e 2009-ës. Ju keni kandiduar për kryetar bashkie i Durrësit, aktualisht keni ardhur për të mbrojtur ligjin më të rëndësishëm të infrastrukturës zgjedhore që do kryhet në 2009-ën. Ka një ligj për konfliktin e interesave, prandaj po iu pyes do kandidoni në zgjedhjet e 2009-ës”, - iu drejtua Majko Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti i cili ishte i pranishëm në Komision. Pyetja e Majkos mori kundërpërgjigje të menjëhershme nga Rusmali sipas të cili Teliti ishte i pranishëm në komision në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile dhe vendimet e tij pas 6 muajsh nuk kishin lidhje me diskutimin. “Se çka ndërmend pas 6 muajsh është problem i tij as i ligjit dhe as i komisionit dhe për më tepër ju e dini se kush kandidon në zgjedhjet e qershorit e di vetë Edi Rama dhe Sali Berisha. Kështu që është e kotë të pyesim individët”, - tha ai. Pas këtyre debateve Komisioni kaloi në parim draftin vetëm me votat e mazhorancës ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Pritet sot diskutimi nen për nen.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›