E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e çamëve, Bakojanis: “T ia lëmë drejtësisë greke çështjen”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, njëkohësisht kryetare e radhës e OSBE-së, deklaroi në Tiranë se “për sa i përket çështjes së pronave të shqiptarëve në Greqi, mund të them se në shtetin grek ka një sistem drejtësie dhe kushdo që ka pretendime mund t u drejtohet gjykatave”. Ajo konfirmoi gjithashtu: “Parlamenti grek do të ratifikojë gjatë javës që vjen Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. Ministrja Bakojanis, e cila ndodhet për një vizitë njëditore në Shqipëri, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Lulzim Basha, vlerësoi veçanërisht nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe shprehu mbështetjen e Greqisë për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të vendit tonë. “Shqipëria dhe Greqia janë fqinj të ngushtë dhe lidhjet e tyre janë bërë më të fuqishme nga domosdoshmëria për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe të përditshme gjatë punës së tyre për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë”, - u shpreh ministrja e Jashtme greke. Si kryetare e radhës e OSBE-së, Bakojanis vuri në dukje se “turi i zhvilluar në vendet e Ballkanit Perëndimor synon të dëshmojë se fqinjësia jonë do të jetë prioriteti i OSBE-së, e cila është në një pozitë unikale për të ndihmuar rajonin në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Unë u informova me kërkesën e Shqipërisë për të marrë kryesinë e OSBE në vitin 2012 dhe besoj se ky është një qëllim i arritshëm, në rast se Shqipëria do të ecë përpara në rrugën e saj të reformave", - tha Bakojanis. Lidhur me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ministrja e Jashtme greke siguroi se “OSBE do të bëjë gjithçka që është e mundur për të dërguar sa më shpejt vëzhguesit, sipas kërkesës së qeverisë shqiptare”. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi punën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe kontributin esencial të kësaj Prezence në zhvillimin e klimës pozitive të konsensusit politik për reformat kryesore që janë bërë në Shqipëri, të cilat, sipas saj, "kanë forcuar stabilitetin politik në vend". Ministrja e Jashtme greke vlerësoi vullnetin politik në vend për të plotësuar kriteret evropiane dhe standardet për zgjedhje, si dhe për të vazhduar me reformat e nevojshme dhe në këtë drejtim, u shpreh “optimiste që Shqipëria do të realizojë qëllimet e saj për vendosjen e standardeve evropiane”. Duke u ndalur te marrëdhëniet greko-shqiptare, ministrja Bakojanis vlerësoi progresin e dëshmuar, veçanërisht gjatë viteve të fundit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore. "Me nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, ne po mbyllim një çështje të rëndësishme humanitare, atë të varrezave të ushtarëve grekë. Gjithashtu, Shqipëria dhe Greqia kanë një partneritet të rrallë dhe këtu i referohem sidomos pakicës etnike greke në Shqipëri, e ardhmja e së cilës varet nga respektimi i të drejtave të njeriut në vend, si dhe zhvillimit të të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi",- tha Bakojanis. Në këtë drejtim, ministrja greke vlerësoi se “ligji që po zbaton Greqia për legalizimin e emigrantëve është mjaft i përmirësuar në krahasim me ligjin e mëparshëm, ndërkohë që do të merren në konsideratë edhe përpjekjet që po bën Shqipëria me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike. Lufta kundër burokracisë nuk është vetëm një problem shqiptar, por është edhe një problem grek dhe ne po mundohemi të marrim masat për të evituar burokracinë dhe ta bëjmë më të lehtë jetën për këdo”. Lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ajo theksoi se “Greqia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri, që jep një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit”. E pyetur mbi ligjin e lustracionit në Shqipëri, Bakojanis vuri në dukje se “Greqia ka shprehur shqetësimet e saj për këtë ligj, ndaj do të ndjekë shumë nga afër zbatimin e tij”. Në përfundim, ministrja iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me pengesat që po ndesh Kosova për t u bërë anëtare e OSBE-së. Sipas saj, “për t u bërë anëtare e OSBE-së kërkohet miratimi i 56 vendeve anëtare, pasi kjo organizatë punon mbi bazën e konsensusit. Kjo do të thotë që në një të ardhme të afërt, do të jetë shumë e vështirë që të pranojmë ndonjë vend të ri, sepse, siç e dini, ka pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën. Për momentin, nuk shoh ndonjë mundësi për konsensus", - përfundoi Bakojanis. Nga ana e tij, homologu Basha konfirmoi edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa shprehu planet e Tiranës zyrtare për të pasur presidencën e radhës të OSBE-së në vitin 2012. “E njoha ministren e Jashtme me kërkesën e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në vitin 2012. Ky është një objektiv i politikës sonë të jashtme për realizimin e së cilës kërkova mbështetjen e kryesisë greke në mënyrë që ky vendim të merret gjatë ministerialit të Athinës në dhjetor të vitit 2009. Pa dyshim që mbajtja e zgjedhjeve të lira, të hapura dhe transparente është vullneti i qeverisë shqiptare dhe në këtë kuadër, rikonfirmova vullnetin e qeverisë për të pritur misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri”, - nënvizoi Lulëzim Basha. Gjatë vizitës së saj njëditore në Shqipëri, Bakojanis u takua me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Parlament.

Shqipëria në BE, Greqia kërkon vazhdimin e reformave
Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, deklaroi se “Greqia mbështet liberalizimin e regjimit të vizave të qytetarëve shqiptarë, si dhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”. Bakojanis u shpreh se “Greqia mbështet procesin e liberalizimit të vizave, pasi për ne është shumë e rëndësishme që të rriten kontaktet njerëzore sa më shpejt të jetë e mundur”. Lidhur me perspektivën shqiptare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, ministrja e Jashtme greke u shpreh se “ky vendim është marrë edhe nga qeveria greke në Samitin e Selanikut, pra që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t i përkasin Bashkimit Evropian, si pjesë integrale e Evropës”. Pyetjes nëse do të mund të realizohet ky objektiv deri në vitin 2014, Bakojanis iu përgjigj duke e konsideruar këtë "si një pikëpamje optimiste". Por, sipas saj, “BE duhet të merret para së gjithash me disa çështje të hapura si ratifikimi i Traktatit të Lisbonës”.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›