“Dosjet, i kënaqur që Kushtetuesja i rrëzoi dhe qeveria e pranoi”
Genc Mlloja
Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, duke analizuar zhvillimet e fundit politike në vend, e cilëson ligjin “Për pastërtinë e figurave” si arbitrar dhe antikushtetues. Ai shprehet i kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit, por dhe me qëndrimin e qeverisë që ka pranuar vendimin e saj. Sipas tij, nëse qeveria do të kundërshtonte vendimin e Kushtetueses, ky do të ishte një hap prapa për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Duke i dhënë një rëndësi të veçantë këtij ligji, ambasadori danez në Tiranë shprehet se, “ajo që është e gabuar me ligjin e Dosjeve nuk është dëshira për t’u ndarë me të kaluarën. E gabuar është ndarja me të kaluarën duke shkelur Kushtetutën”.
Kriza globale ka goditur të tërë botën në mënyra të ndryshme. Si ka ndikuar ajo në vendin tuaj dhe në marrëdhëniet e tij me jashtë?
Sigurisht që edhe Danimarka është prekur. Qeverisë i është dashur të garantojë financiarisht bankat dhe shumë kompani kanë falimentuar, ose kanë shkurtuar personelin. Papunësia është në rritje. Por nga sa thuhet, ne mbase jemi më mirë se shumë vende të tjera evropiane. Në kohët e mira qeveria ka punuar për të shlyer detyrimet si dhe për të prezantuar reformat sociale dhe të tregut të punës, të cilat e bëjnë shoqërinë tonë më elastike dhe më të adaptueshme ndaj kërkesave të një bote të globalizuar.
A është reflektuar ajo dhe në marrëdhëniet shqiptaro-daneze?
Jo, të paktën ende jo në kuptimin negativ. Me sa di unë investimet daneze në Shqipëri nuk janë pakësuar apo frenuar. Fatmirësisht, ne danezët, në përgjithësi, reagojmë ndaj problemeve si diçka që duhet zgjidhur dhe i shohim ato si mundësi. Kjo na vë në lëvizje. Megjithatë, është gjë tjetër se çfarë do të ndodhë kur kriza do të godasë me të vërtetë Shqipërinë. Kjo do të varet nga ajo sesi recesioni do të përballohet këtu.
Danimarka ka zbatuar shumë projekte në Shqipëri. Por kam vënë re se ju keni treguar interes të veçantë në grantet e vogla, përfshirë ato në bujqësi dhe kulturë. Pse ndodh kështu dhe si reflektohet kjo në Shqipëri?
Danimarka dhe danezët janë të parët kur bëhet fjalë për t’u dhënë ndihmë të huajve, për sa i përket parave dhe cilësisë. Por kjo është një përpjekje që bëhet pa bujë dhe pa rënë në sy. Ne japim ndihmë, sepse duam të bëjmë një dallim, sepse duam thjesht të ndihmojmë. Ndihma jonë nuk është funksion i Marrëdhënieve Publike. Danimarka përpiqet të fokusohet në zona ku mund të marrë maksimumin nga përpjekjet e veta. Aty ku ne mund të sjellim një ndryshim të qëndrueshëm dhe të drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve në nevojë. Shpesh pak fonde mjaftojnë për të kryer një ndryshim të madh, duke bërë të mundur që njerëzit të ndihmojnë vetveten. Grantet e vogla janë një shembull i mirë. Duhet të nënvizoj se, megjithëse kemi ende aktivitete zhvillimi në Shqipëri, në fokusin tonë është më tepër zhvillimi i lidhjeve të rregullta politiko-ekonomike midis dy vendeve tona.
Decentralizimi i pushtetit është një fushë tjetër me interes për ju. A ecën ky proces në Shqipëri sipas parashikimeve tuaja?
Po, në përgjithësi, mendoj se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Megjithatë, nëse lexoni raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, publikuar ditën e mërkurë, i cili rendit shumë fusha problematike, disa prej tyre serioze, duhet të merrni shkas për reflektim dhe veprim të menjëhershëm. Mbi të gjitha, Shqipëria së shpejti do jetë një anëtar i NATO-s dhe një vend aspirues i BE-së. Në të dyja rastet, bileta hyrëse kërkon respektimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë.
Mund të na thoni, në vija të përgjithshme, pak fjalë rreth përpjekjeve të bëra për të nxitur bashkëpunimin tregtar shqiptaro-danez?
Për të qenë i sinqertë, kjo është një betejë e vështirë. Problemi kryesor është imazhi i Shqipërisë jashtë. Duke jetuar këtu, e di që në të shumtën e rasteve ai është i pamerituar, por kjo, fatkeqësisht, nuk e ndryshon faktin se Shqipëria ka një problem me imazhin. Meqë ra fjala në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Danimarkë, ajo që ne përpiqemi të bëjmë është të paraqesim një tablo më realiste dhe më të saktë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ende nuk kam takuar ndonjë të huaj që nuk është çuditur, për të mirë, nga përvoja personale në Shqipëri dhe me shqiptarët, përfshirë dhe mua. Por pengesa e parë është të sjellësh biznesmenët dhe të tjerët këtu. Nëse arrijmë deri aty, do të gjendemi në pozitën fatlume ku do të mund të tregojmë një grup të vogël kompanish të respektuara daneze, të cilat janë shumë aktive dhe bëjnë biznes të mirë në Shqipëri. Kjo ndihmon shumë.
Por kur investitorët e mundshëm të shikojnë sesi mbrohet prona, sistemin gjyqësor, korrupsionin, ndërhyrjen politike, mjedisin etj., në përgjithësi nëse investimi i tyre do të jetë i sigurt, atëherë shumë investitorë do ta humbasin interesin. Ne shikojmë përparim në nxitjen e bashkëpunimit tregtar, megjithatë duhet shumë punë dhe sikurse thashë është një betejë e vështirë.
Kryesisht varet nga qeveria e Shqipërisë për ta ndryshuar atë.
Ajo që mungon, në të shumtën e rasteve është zbatimi. Çdo i huaj që vjen në Shqipëri menjëherë do të vërë re se rregullat e trafikut rrugor dhe të kufizimit të pirjes së duhanit injorohen haptas. Dikush mund të mendojë se këto janë gjëra të thjeshta për t’u zbatuar. Autoritetet duhet të marrin parasysh se çfarë lloj sinjalesh dërgon kjo kur është fjala për zbatimin e ligjeve më të komplikuara.
Dhe mungesa e kapaciteteve administrative po bëhet një çështje gjithnjë e më e rëndësishme. Kapaciteti administrativ ka një rëndësi të madhe për mundësinë e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane dhe transatlantike. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar shikon shumë njerëz të zotë, shpesh të arsimuar nga ne, që zëvendësohen nga të njohurit e politikës ose shikojmë që njerëz të aftë të pushohen sepse bëjnë punën e tyre. Sa herë që kjo ndodh, e largon Shqipërinë një hap larg integrimit.
Ambasada daneze tashmë po provon një mënyrë të re për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe për të nxitur marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Të shtunën më 14 Mars “Ditën e Verës”, do të sjellim dy grupe rroku danezë për të luajtur për rininë shqiptare. Kjo është pjesë e një aktiviteti që quhet “Rrok në Bllok”, të cilin po e bëjmë në bashkëpunim me ambasadën holandeze dhe çeke, të cilat gjithashtu do të sjellin grupe muzikore nga vendet e tyre. Bashkia e Tiranës po siguron të gjitha pajisjet, skenat etj. Duke u fokusuar tek rinia, shpresojmë të investojmë për të ardhmen.
Disa ngjarje (një prej të cilave Ligji i Dosjeve) ka përfshirë ndihmën e ndërkombëtarëve përsa i përket procesit të reformimit, veçanërisht të gjyqësorit në Shqipëri. Si e shikoni ju këtë?
Para së gjithash, jam shumë i kënaqur që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin dhe që qeveria e ka pranuar këtë fakt. Sipas mendimit tim, do të ishte për të ardhur keq po të ndodhte ndryshe. Do të ishte një hap i madh prapa për integrimin evropian dhe transatlantik. I kuptoj shqiptarët e shumtë që janë të etur për drejtësi pas regjimit vrasës të Hoxhës. Është njerëzore. Dhe është plotësisht e justifikueshme. Por ndarja me të kaluarën nuk bëhet duke përdorur të njëjtat metoda që na e kujtojnë atë. Nuk korrigjohet një gabim duke kryer një tjetër. Ajo që është e gabuar me Ligjin e Dosjeve, nuk është dëshira për t’u ndarë me të kaluarën. E gabuar është ndarja me të kaluarën, duke shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është baza e ligjit dhe e rendit dhe nëse ju e shkelni Kushtetutën, atëherë keni hequr sundimin e “shtetit të së drejtës”. “Shteti i së drejtës” është themeli i çdo shoqërie demokratike sikurse dhe të asaj të BE-së dhe NATO-s.
Përveç kësaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar ka hasur vështirësi për të kuptuar se pse ishte i nevojshëm një tjetër ligj lustracioni. Sidomos një i tillë i kaluar vetëm me shumicën qeverisëse. Mua, Ligji i Lustracionit më duket arbitrar.
Si përfundim, çfarë do të ketë të re këtë vit programi politik midis dy vendeve?
Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s në prill. Kjo ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet midis vendeve tona. Ne do të bëhemi një familje. Do të thotë që ne zotohemi që do të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit, do të thotë që në momentin e fundit danezët mund të vdesin për Shqipërinë dhe shqiptarët mund të vdesin për Danimarkën. Danimarka e merr shumë seriozisht këtë. Jam i bindur se Shqipëria bën të njëjtën gjë. Përgjegjësia që Shqipëria ka marrë mbi vete aktualisht në zonat e nxehta të luftës është inkurajuese dhe për t’u lavdëruar. Por të jesh një anëtar i NATO-s s’do të thotë gjithashtu të jesh për standarde politike, siç janë shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut etj. Në këto fusha Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Në shtypin shqiptar ka patur kritika për rolin e ndërkombëtarëve. Disa analistë argumentojnë se ndërkombëtarët ndërhyjnë shumë në politikën shqiptare. Ajo që unë shikoj është se ndërkombëtarët bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar Shqipërinë, që të integrohet sa më shpejt në familjen euroatlantike. Por ndërkombëtarët përqendrohen tek faktet, e jo tek fjalët. Dhe ajo që vlen në NATO dhe në BE është “çfarë bëni dhe jo çfarë thoni se mundeni apo se do të bëni”. Kur Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s në pak javë, ajo do të bëhet pjesë e një familjeje, e cila do të jetë edhe më këmbëngulëse kundrejt përmbushjes së kërkesave politike dhe ushtarake nga ana e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.