Shoqata e gjyqtarëve dënon dhunën
U zhvillua dje ceremonia e dorëzimit të stemave të arbitrimit të FIFA-s dhe të dy arbitrave të rinj të perspektivës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendëspresidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Skënder Hyka, presidenti i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati dhe Plarent Kotherja, përgjegjës i arbitrave në sektorin e garave në FSHF. Për vitin 2009, FIFA ka emëruar si arbitër kryesor ndërkombëtar gjyqtarët Albano Janku dhe Sokol Jareci, ndërsa asistent me stemën e FIFA-s janë emëruar Emiljnao Biçaku, Ergin Doda, Arjan Mali dhe Denis Rexha. Për arbitër të futsalit, FIFA ka emëruar Kreshnik Hakramën. Gjithashtu, Federata Shqiptare e Futbollit u ka dorëzuar pllakadat si arbitri dhe asistenti më i mirë i perspektivës Remzi Sadikut dhe Gëzim Kokës. Presidenti i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati, në lidhje me dhunën ndaj gjyqtarëve ka akuzuar drejtuesit e klubit dhe forcat e rendit, për mosmarrjen e masave të duhura për organizimin e një ndeshjeje. Ndërkaq, shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku do të deklaronte se me këtë çështje do të merret Komisioni i Disiplinës pranë federatës.
Shulku
Përgjegjësi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, ka vizituar dje në Spitalin Ushtarak gjyqtarin Mentor Sopjani. Ky i fundit kishte shkuar për t’iu nënshtruar analizave mjekësore, pas dëmtimeve që kishte marrë të shtunën.
Prokurori
Një nga inspektorët e Komisionit të Disiplinës së FSHF-së ka udhëtuar dje drejt Pukës, ku ka hetuar dhe është përpjekur të grumbullojë informacion për ngjarjen e rëndë që ndodhi të shtunën. Ai ka marrë raportet e policisë, prokurorisë e mjekëve.