Canaj, trajneri i 14-të që largohet nga Superiorja
Gjithsej 10 skuadra, nga 12 që ka Superliga, kanë ndryshuar të paktën nga një trajner. Më shumë trajnerë në pankinë gjatë këtij sezoni ka provuar Lushnja, katër të tillë. Besa, Flamurtari e Bylisi kanë në drejtim trajnerin e tretë sezonal. Partizani, Tirana, Dinamo, Apolonia, Elbasani e tani Vllaznia drejtohen nga tekniku i dytë. “Jap dorëheqjen e parevokueshme dhe i uroj Vllaznisë të vazhdojë luftën drejt titullit kampion”. Deklarata është e Agim Canajt, trajnerit të 14-të që largohet nga drejtimi i një ekipi të Kategorisë Superiore në 22 javë të zhvilluara dhe i pesti me rifillimin e kampionatit në vitin 2009. Agim Canaj deri para humbjes fatale të Vllaznisë me Teutën (4-0) ishte pjesë e “trojkës” së paprekshme, së bashku me Sulejman Starovën e Teutës dhe Gugash Maganin e Shkumbinit. Në fakt, kundër Canajt punoi edhe ndeshja e humbur me Dinamon në “Loro Boriçi” në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Pasuesi i tij (flitet për malazezin Dervish Haxhiosmanoviç, që ka fituar kampionat e kupë me Vllazninë) do të jetë trajneri i 27-të i ulur në pankinat e 12 ekipeve të Kategorisë Superiore. Agim Canaj në stolin e Vllaznisë arriti ta kualifikojë skuadrën shkodrane në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, pasi eliminoi sllovenët e Koperit, duke sjellë në “Loro Boriçi” skuadrën e madhe italiane të Napolit. Në 22 javë kampionat (dy faza të plota), Vllaznia nën drejtimin e Agim Canajt regjistroi 12 fitore, 5 barazime, 5 humbje, duke qenë me pikë të barabarta, nga 41, me Tiranën e vendit të parë, falë golaverazhit më të mirë: 34-17 (+17), Tirana; 31-20 (+11), Vllaznia. Interesant është një fakt: edhe sezonin e kaluar në stolin e Dinamos, Agim Canaj u shkarkua nga presidenti dinamovit Besnik Sulaj, edhe pse ishte në vendin e parë.
TRAJNERËT E IKUR GJATË VITIT 2009
Mirel Josa (Elbasani)
Edmond Liçaj
(Flamurtari)
Zlatko Daliç
(Dinamo)
Ilir Daja
(Besa)
Agim Canaj (Vllaznia)