E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha ka material shtrëngues për Edi Ramën

 

Shkodër / Ridvan Dibra

LSI zhvilloi dje në qytetin e Shkodrës një takim të zgjeruar, ku prezantoi dhe dy kandidatët e saj në këtë qytet, Sokol Axhemin dhe biznesmenin Seit Fishta. Gjatë fjalës së tij, kryetari i LSI-së Ilir Meta akuzoi kreun socialist se është i kapur nga kryeministri Berisha, duke shkatërruar në këtë mënyrë të majtën.
“Të gjithë shqiptarët e kuptojnë se kush e ka përçarë dhe e do të përçarë të majtën, për hir të një pushteti të korruptuar. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë se kë ka nën kontroll Sali Berisha, ka nën kontroll Edi Ramën, apo ka nën kotroll Ilir Metën? E kuptojnë se ndaj kujt ka material shtrëngues Sali Berisha, që sa herë bërtet o i merr Kodin, o i merr ligjin për Prokurorinë, o i merr ligjin për Gjykatat, i merr çfarë të dojë. Të jeni të bindur se beteja jonë është në kulmin e saj të fitores, dhe ndaj jeni gati në Shkodër për të fituar zgjedhjet”, tha Meta. Kryetari i LSI-së duke folur për përpjekjet që bën PS-ja për të detyruar përfaqësues të LSI-së ta braktisin këtë parti, tha se Rama po përdor të gjitha format korruptive. “Me lejet e ndërtimit dhe me ato 15 milionë eurot që nuk do t’i deklarojë, kujton se do blejë LSI-në. Ky mjeran që nuk ka kuptuar asgjë nga politika, që nuk ka kuptuar asgjë nga shpirti dhe nga dinjiteti i popullit të Shkodrës dhe i popullit të Shqipërisë. Është ky hipokrit i pashembullt që në vend të kërkojë falje për firmat që ka hedhur, daja i tij, anëtar i byrosë politike dhe babai i tij anëtar i Komitetit Qendror dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor për ekzekutimin e shumë artistëve e shumë shqiptarëve, bën si i persekutuar nga regjimi komunist”, tha Meta. Sipas tij, është po ky hipokrit i pashembullt, i cili bën sikur i qan zemra për të majtën, por që e ka përçarë të majtën për ambiciet e tij për para dhe për pushtet. Që vjen dhe bën sikur qan kur takon veteranët, por që nuk u ka kërkuar falje akoma që në librin e tij “Refleksione”, e cilëson LANÇ si luftë civile dhe kërkonte nxjerrjet e jashtë ligjit të Partisë Socialiste, dhe ai po e nxjerr nga ligji Partinë Socialiste se i ka shuar të gjitha vlerat e saj pozitive, i ka hequr edhe flamurin dhe e ka zëvendësuar me ato xhufkat e ylberit”. Por Meta i cilësoi të dënueshme sjelljet e politikanëve që nuk njohin interesat kombëtare të vendit, siç është rruga Durrës-Kukës. “Unë nuk jam si ata të cilëve nuk i bën zemra që të shkojnë dhe të vizitojnë rrugën Durrës-Kukës, të cilët bëjnë sikur kanë hallin e korrupsionit të Berishës në këtë rrugë, por kjo nuk është fare e vërtetë, sepse po të kishin hallin te korrupsioni, do të na kishin dhënë firmat ne për të hetuar korrupsionin e Gërdecit, sepse ai është korrupsioni më i madh i Sali Berishës, korrupsion që vrau shqiptarët”, tha Meta. Sipas tij, në 28 qershor, shkodranët do të dinë të mos lejojnë rotacionin e pushtetit brenda kastës, rotacionin e pushteti për të mbuluar përgjegjësinë e viktimave të secilës palë sikurse ndodhi me Karaburunin, dhe siç ndodh me Gërdecin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›