Rrëfehet Balliu: Në Delvinë na masakruan
Ka hematoma në gjithë trupin, por njolla e zezë që ka pas kokës është vërtetë e frikshme. Shkëlqim Balliu, gjyqtari nga Poliçani që u dhunua në sfidën Butrinti-Memaliaj, është i shokuar nga keqtrajtimi çnjerëzor që i është bërë në këtë ndeshje nga lojtarët e Butrintit dhe tifozët. “Çfarë t’ju them! Na masakruan. Ne përpiqemi të bëjmë punën, por e kemi vërtetë shumë të vështirë. Na rrahën barbarisht pa asnjë shkak. Në një moment më goditën në sy me grusht dhe për disa çaste mendova se e humba shikimin. Ishte një tmerr i vërtetë. Nuk dinim se si të vepronim dhe se ku të shkonim, pasi askush nuk na doli në mbrojtje”, ka thënë Balliu për “Panorama”. Ish-shefi i gjyqtarëve në FSHF, Sulejman Mema, i caktuar si delegat i FSHF-së në ndeshjen e Kategorisë së Parë, Burreli-Sopoti, është dhunuar nga tifozët e Burrelit pas përfundimit të ndeshjes 1-1 më 11 nëntor të vitit 2006. Mema rrezikoi seriozisht jetën, për shkak të dëmtimeve që pësoi në kokë. Edhe në atë ndeshje ishte gjyqtar Mentor Sopjani.