E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF vendos: Tirana e para pas fazës së 2-të

 

Jetmir Halilaj

Përfundimisht është Tirana në krye të tabelës së klasifikimit. FSHF ka publikuar zyrtarisht kalendarin e fazës së tretë dhe pasi i është rikthyer me kujdes edhe njëherë rregullores, ka vendosur që bardheblutë të jenë skuadra e vendit të parë. Ky vendim është kontestuar ashpër nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët nuk janë aspak dakord me interpretimin e rregullores dhe pretendojnë se ajo ka shumë vakume ligjore dhe sipas interpretimit të tyre, Vllaznia duhet të jetë në krye. Krerët e FSHF-së janë përpjekur ta zgjidhin këtë problem me konsensus, duke i ftuar të dyja palët në diskutim, por nga takimi i djeshëm në Federatë, nuk është arritur asnjë akord dhe pala shkodrane e ka kontestuar zgjedhjen e Tiranës si kryesuese në tabelë, çka kondicionin edhe kalendarin. Kjo, pasi në javën e fundit vendi i parë pret në fushën e saj vendin e dytë dhe e thënë ndryshe, Vllaznia do të luajë në Tiranë kundër bardhebluve, çka favorizon Tiranën. Vetë drejtuesit e Federatës, kanë qenë të turbullt në lidhje me këtë pikë, madje iu janë dashur 24 orë për të dalë me një version zyrtar të kalendarit. Përfundimisht është marrë për bazë golavarazhi i përgjithshëm i këtyre skuadrave deri në këtë pikë të kampionatit, duke qenë se golavarazhi dhe pikët e marra mes njëra tjetrës në ndeshjet direkte është i njëjtë. Formula e kampionatit shqiptar është kopjuar nga formula e kampionatit kroat, por rregullorja që përcakton vendet në klasifikim, është kopjuar nga italianët. Ka një ndryshim thelbësor në këtë mes, pasi në rregulloren italiane është e përcaktuar se goli në fushën kundërshtare ka vlerë, çka nuk është e shkruar zyrtarisht në rregulloren shqiptare të futbollit. Në këtë pikë kapen drejtuesit e Vllaznisë, të cilët i kanë kërkuar Federatës, që t’i përmbahen rregullores kroate të futbollit, nga e cila kanë kopjuar formulën e kampionatit. Përveç kësaj, drejtuesit e klubit shkodran ankohen edhe për faktin që në rregulloren shqiptare, nuk thuhet askund se rregulli për përcaktimin e vendeve në rastet kur ekipet kanë pikë dhe golavarazh të njëjtë në ndeshjet direkte, është i vlefshëm pas përfundimit të fazës së dytë. Ata pretendojnë se ky rregull është i vlefshëm vetëm në rastet kur është mbyllur i gjithë sezoni. Nga kampi bardheblu janë të kënaqur sepse në 11 ndeshjet e mbetura do të luajnë 8 në fushën e tyre (përfshi edhe takimet derbi me Partizanin e Dinamon), ndërsa te Vllaznia ka zemërim e mllef, pasi ndeshjen e fundit shkodranët do ta luajnë në kryeqytet përballë tiranës, një nga pretendentet për titull.

Shorti
Drejtuesit e Vllaznisë janë të nervozuar edhe për faktin që FSHF nuk mori parasysh edhe pikën e fundit (e) të nenit 26, pra të hidhej short. “Nëse nuk duan të shkojnë deri kaq larg, të paktën si zgjidhje të fundit të kishin vendosur për short, që është dhe pika e fundit e nenit”, janë shprehur shkodranët nëpërmjet një komunikate për shtyp.

Italianët
Drejtuesit e FSHF-së janë konsultuar dje me homologët e tyre italianë, nga ku kanë marrë edhe rregulloren, e cila përcakton renditjen e skuadrave. Sipas Federatës shqiptare, pala italiane ka mbështetur versionin dhe zgjidhjen e FSHF-së, duke pretenduar se rregullorja është shumë e qartë dhe se Tirana duhet të jetë në krye.

Neni 26
Renditja e ekipeve bëhet në bazë të pikëve të grumbulluara.
Në rast pikësh të barabarta ndërmjet dy ose më shumë skuadrave veprohet duke mbajtur parasysh rregullat e mëposhtme:
a) Pikët e grumbulluara si rrjedhojë e takimeve direkte ndërmjet këtyre skuadrave.
b) Diferenca e golave të shënuar e të pësuar në takimet direkte.
c) Diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë gjithë kampionatit.
d) Numrit më të madh të golave të shënuar gjatë kampionatit.
e) Me short.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›