E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është analisti, por reporteri

Një studim për gjendjen e lirisë së shtypit në SHBA në vitin 1945 nxirrte disa përfundime interesante ndër të cilët edhe konstatimin se liria e të shprehurit rrezikohej nga zhvillimi i medias. Për këtë raporti bazohej në të dhëna empirike dhe në atë kohë kuptohet nuk bëhej fjalë për internet, televizion e radio, por vetëm për gazetat, revistat dhe librat. Përfundimi ishte tronditës: megjithëse shtohet numri i mediave në treg, numri i atyre që shprehin opinionet në të vjen duke u zvogëluar.

Ndoshta në këtë paradoks ka lindur edhe ideja që forumi këtë radhë të merrej me analistët/opinionistë/editorialistë/komentatorë etj.

Megjithë numrin gjithnjë e në rritje të gazetave dhe stacioneve televizive një numër gjithnjë e më i kufizuar opinionistësh ftohen dhe japin mendim për një gamë të gjerë problematikash.

Mos hapja e lojës dhe shëtitja në bulevardin e opinioneve vetëm të një grupi njerëzish ka nxitur në vite pakënaqësinë e lexuesve/shikuesve dhe ndoshta edhe xhelozinë e atyre që nuk janë ftuar në këtë xhiro. Analistët janë kthyer në një sekt që kanë frikë nga demokratizimi i hapësirës së opinionit. A mund të fajësohet kush për këtë gjendje?

Problemi më i madh është brenda gardhit të profesionit. Në gazetari këtu ekziston miti i analistitt/opinionistit. Ata paguhen më shumë. Botuesit dhe kryeredaktorët janë në një mendje që ja vlen të paguash me pagë shumë të mirë një njeri që shkruan atë "që ndodh në kokën e tij" dhe jo 10 reporterë që shkruajnë çfarë ndodh në terren. Statusi që kanë arritur analistët është i lakmueshëm (jo vetëm nga ana financiare) dhe po shërbejnë si model për reporterët e rinj.

Ëndrra e të riut është të vijë dita që të japë edhe ai mend, të shkruajë dhe të quhet analist/opinionist!

Një shembull po nga SHBA. Dy reporterët e rinj të gazetës Uashington Post, Karl Bernshtajn dhe Bob Ëoodëard, njëri 26 dhe tjetri 28 vjeç e mbyllën karrierën në gazetari duke mbetur reporterë. Në gazetari në Perëndim ekziston miti i reporterit dhe jo ai i analistit.

Nëse do të vlerësohej sa dhe si duhet reporteri, mjaft opinionistë me një karrierë shumë të mirë gazetarie do të preferonin sot e gjithë ditën të punonin si reporterë. Dhe shembulli më i mirë ndoshta është Fatos Baxhaku- me shumë përvojë i suksesshëm si drejtues medie, i suksesshëm si analist/opinionist, por preferon të vijojë me zanatin e gazetarit duke dhënë një mësim të vyer për profesionin.

Duke perifrazuar një sllogan mjaft të njohur: nuk është analisti, por reporteri, mor budalla!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›