Kandidatet e PS-së në Korçë: Berisha thelloi analfabetizmin dhe papunësinë
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Mimi Kodheli, Alfred Dalipi, Olta Xhaçka dhe Irena Kallço, kanë zhvilluar një takim me gra e vajza të qytetit të Ersekës. Gjatë fjalës së tyre në këtë takim kandidatët theksuan rëndësinë e madhe që Partia Socialiste i ka dhënë pjesëmarrjes së gruas në jetën politike të vendit. “Në këto 4 vjet qeveria i ka lënë në analfabetizmi dhe papunësi gratë e vajzat shqiptare, ndaj më 28 qershor duhet votuar Partia Socialiste, si forca e denjë qeverisëse. Kjo nuk ka mjaftuar që ju të mund të jetoni më mirë, kjo nuk ka mundur që ju të mund të edukoni fëmijët tuaj siç duhet, kjo nuk ka mjaftuar që të kuroni veten tuaj, fëmijët tuaj ashtu siç duhet, dhe kjo jo për fajin tuaj, por të një politike që nuk na nxori dot nga tranzicioni për gati 20 vjet", - tha kandidatja Mimi Kodheli.
Leskaj: “Berisha dështoi për liberalizimin e vizave”
Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, është takuar me banorët e fshatit Bradashesh në Elbasan. Leskaj i ka siguruar banorët se me programin e ri të hartuar nga ekspertë vendas e të huaj, PS-ja do të nxjerrë Bradasheshin dhe të gjithë fshatrat e Shqipërisë nga varfëria. Leskaj ka siguruar se në vitin 2010 do të bëhet i mundur liberalizimi i vizave me qeverisjen e PS-së, pasi Sali Berisha dështoi me këtë premtim, të cilin e bëri në vitin 2005 dhe tani e ripërsërit dhe pse nuk e realizoi në katër vite: "Fëmijët tanë duhet të lëvizin nëpër Europë dhe të punojnë me dinjitet, si njerëz të lirë të një vendi europian me viza, gjë që i është refuzuar për fat të keq edhe ditët e fundit qeverisë tonë për shkak se nuk ka plotësuar standardet. Ne kemi treguar se jemi një alternativë, sepse kemi bërë një program shumë serioz, jo-elektoral, por qeverisës", - tha Leskaj.
10 Qershor 2009