Ruçi: “Të largojmë me votën qeverinë që gënjeu shqiptarët”
Kandidatët për deputetë të PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi e Piro Lutaj, janë takuar me banorë të fshatit Hekal në Mallakastër, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Gramoz Ruçi tha se ka ardhur koha që të ndëshkohet me votë qeveria që mashtroi dhe gënjeu shqiptarët. “T'i japim fund një pushteti që prej kohësh nuk ka punë me popullin e vet që duhet t’i japë llogari, për nderet që iu bën Fazllicëve me shokë, por njëkohësisht për telashet që i ka bërë popullit të vet, që duhet t’i japë llogari me votë moralisht, politikisht, administrativisht dhe, pse jo, penalisht. T'i japim fund një pushteti që gënjen, një pushteti që mashtron, një pushteti që vret e pret, një pushtet që ka vetëm një emër, të një njeriu të vetëm, atë të Sali Berishës, që ka një fytyrë të vetme, përsëri të të njëjtit njeri, të Sali Berishës".
Blendi Klosi: “Qeveria zhgënjeu të përndjekurit”
Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, në kuadër të takimeve elektorale me banorët, është ndalur në fshatin Perlat të Komunës Sukth, ku është takuar me komunitetin e ish-të përndjekurve politikë që jetojnë në këtë fshat. Sekretari Organizativ i selisë rozë tha se qeveria “Berisha” i zhgënjeu të përndjekurit, pasi nuk u mbajti premtimet që u kishte bërë. Klosi u ka kërkuar banorëve që të votojnë Partinë Socialiste, si forcën e vetme që mishëron ndryshimin për ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka zhytur Sali Berisha: "Qeveria e Sali Berishës ka pasur një program mashtrues si për të përndjekurit, si për demokratët, ashtu edhe për socialistët. Qeveria e Sali Berishës ka pasur një program mashtrues për të gjithë qytetarët. Të përndjekurit e kësaj zone, ashtu si të përndjekurit e gjithë Shqipërisë, në 20 vjet nuk morën shpërblimin për mundin e tyre, sepse Sali Berisha erdhi në pushtet, jo për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe jo të asaj klase që e ka mbështetur këto 20 vjet, por edhi në pushtet për t'i ndërtuar kësaj zone TEC-in e tmerrshëm me qymyr", - tha Klosi.
Baraj: “Mjedisi i pastër, premtimi i pambajtur i Berishës”
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, akuzoi dje në një konferencë për shtyp qeverinë “Berisha” se dështoi në mbajtjen e premtimit të saj për garantimin e një mjedisi të pastër. “Katër vjet më parë Sali Berisha i pa shqiptarët në sy dhe premtoi përmirësimin e cilësisë së jetës për secilin prej nesh. Berisha dështoi. Berisha premtoi të ndërtonte impiante të pastrimit të ujërave të zeza përgjatë të gjithë vijës bregdetare. Berisha dështoi. Sot, në asnjë prej qyteteve bregdetare nuk funksionon një impiant që pastron ujërat e zeza. Ujërat e ndotur, vazhdojnë të kontaminojnë një pjesë të madhe të lumenjve, liqeneve dhe plazheve në Shqipëri. Berisha ka dështuar dhe u ka kthyer kurrizin shqiptarëve dhe më 28 qershor do të jetë radha e shqiptarëve për t’i kthyer kurrizin Sali Berishës dhe politikës së vjetër. Më 28 qershor shqiptarët do të kenë mundësinë të votojnë politikën e re, Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Politika e re për ndryshim jep shpresë dhe mundësi për të gjithë. Politika e re ofron ide të reja, vizion të ri dhe një ekip të ri për t’i sjellë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndryshimin që meritojmë”, - tha Baraj.
10 Qershor 2009