"Dosjet", pas vendimit të Kushtetueses
Berisha s'i përgjigjet pyetjes për Kushtetuesen, por kujton se procesi i dënimit të krimeve të komunizmit, do të bëhet konform shtetit ligjor
Berisha: "Shteti ligjor është kusht, por, i tillë është edhe ndarja nga krimet kundër njerëzimit"
TIRANË- Ligji për lustracionin mund të zbatohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sinjalet e para, kësaj here, vijnë nga Kryeministri Sali Berisha, i cili është dorëzuar para presionit të vazhdueshëm të faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar dje respektimin e shtetit ligjor, ç'ka, në këtë rast, nënkupton zbatimin e ligjit në përputhje me vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese. Kreu i ekzekutivit nuk ka qenë i drejtpërdrejtë në përgjigjet e tij, sa i përket ligjit të lustracionit, por ka theksuar se ky do të jetë një proces i pandalshëm, duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat e shtetit ligjor.
Gjatë vizitës në ekspozitën me fotografi të disa familjeve shqiptare që mbrojtën hebrenj nga holokausti, Kryeministri Berisha nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit. Por, ai ka kujtuar respektimin e shtetit ligjor në procesin e dënimit të krimeve të komunizmit. Megjithatë qëndrimi i kryeministrit Berisha është për tu parë se sa do të zbatohet ditët në vijim, pasi deri dy ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi mos-shqyrtimin e ankesës për ligjin e dosjeve, nga ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë konflikt interesi.
"Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj, ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm. Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda, që nga inkuizicioni e deri më sot",- tha dje Berisha, i pyetur pikërisht për këtë çështje nga përfaqësues të medias.
Qëndrimi i djeshëm i Kryeministrit Sali Berisha vjen pas presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, të cilët e kanë cilësuar ligjin antikushtetues dhe, për pasojë, kanë kërkuar që gjithçka të zbatohet në përputhje me vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese. Pak kohë më parë, vetë Kryeministri deklaroi përmes në një intervistë mediatike, se zbatimi i këtij ligji çonte në kufizim të të drejtave të njeriut dhe se faktori ndërkombëtar kishte të drejtë. Por, përpos kësaj, mazhoranca, deri pak ditë më parë, ishte e vendosur të vijonte zbatimin e këtij ligji, hapi i parë i së cilës është pikërisht ngritja e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, porse gjithçka më pas mbeti në kufijtë e deklaratave, pasi presioni i ndërkombëtarëve, shoqërisë civile dhe opozitës, tashmë është i pandalshëm.