Majko: Me bazën e raketave, Shqipëria bëhet faktor
Intervista/ Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, vlerëson si pozitiv faktin që, Shqipëria, mendohet si një vend, ku mund të vendoset baza amerikane e raketave
TIRANË - Vendosja në Shqipëri e bazës amerikane të sistemit interceptues të raketave balistike me rreze të mesme veprimi, do t'i sillte vendit tonë një reputacion të ri në marrëdhëniet gjeopolitike jo vetëm në rajon, por edhe në vetë gjirin e NATO-s. Ky është vlerësimi që shpreh ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Pandeli Majko, lidhur me debatet që kanë hapur mediat amerikane mbi mundësinë e vendosjes së një baze të tillë në vendin tonë, duke deklaruar gjithashtu se, në rast se do të realizohej një gjë e tillë, vendi ynë do të kishte veçse përfitime, këto edhe në aspektin e sigurisë kombëtare.
Por, nga ana tjetër, ai shprehet se në rast se pala amerikane do të konkretizonte një kërkesë të tillë, atëherë shtetit shqiptar nuk do t'i mbetej gjë tjetër, veçse të dëshmonte edhe një herë se është një vend i denjë për të qenë anëtar i NATO-s dhe që është i gatshëm të kontribuojë në çdo mënyrë për sigurinë në botë. Për shkak se përbën një çështje të sigurisë kombëtare, Majko nuk ka pohuar nëse gjatë qeverisjes socialiste, kur ai ishte ministër Mbrojtjeje, është diskutuar për këtë çështje me palën amerikane, por as nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
Z. Majko, mediat amerikane kanë shkruar në analizat e tyre të ditëve të fundit, se Shqipëria mund të jetë një vend i sigurt që mund të mirëpresë vendosjen e një baze amerikane raketash balistike me rreze te mesme veprimi. Si ish-ministër Mbrojtjeje, cili është reagimi juaj lidhur me një ide të tillë?
Nuk e kam shumë të qartë burimin e informacionit lidhur me këtë lajm. Megjithatë, në një logjikë paraprake mendoj se vendosja e një baze raketash, apo një baze e çfarëdolloji ushtarake në Shqipëri, ecën paralel apo në një linjë me anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut.
Për më tepër, është një kërkesë e vjetër, nëse mund të shprehem kështu, që qeveria shqiptare ka bërë karshi aleatëve tanë. Mendoj se vendosja e një baze në Shqipëri do të na jepte një garanci më tepër, qoftë për sigurinë kombëtare, qoftë edhe për pozicionin gjeostrategjik të vendit tonë, dhe të faktorizimit të saj në gjirin aleancës dhe në strukturat e sigurisë rajonale.
Pra, për ju, vendosja e një baze të tillë në vendin tonë është një ide e mundshme për t'u realizuar, gjithmonë nëse do të ketë vullnet nga ana e palëve?
Vullneti i palës shqiptare në këtë rast nuk mund të diskutohet. Ne kemi treguar gjatë këtyre viteve se jemi të gatshëm që të marrim përsipër çdo sfidë, që t'u tregojmë partnerëve tanë se, pavarësisht se jo ligjërisht, jemi aleatë të tyre. Prandaj, në këtë logjikë, mendoj se nuk mund të vihet në diskutim vullneti nga ana e palës shqiptare.
Faktikisht, bëhet fjalë për një bazë raketash që, nga ana e Rusisë, po kundërshtohet fort që ajo të vendoset në Çeki.
Në një kohë që ekziston një debat i tillë, mundet Shqipëria të bëhet pjesë e kësaj loje, ku aktorët kryesorë, natyrisht, janë superfuqitë botërore dhe sa rrezikon Shqipëria në këtë mes?
Nuk dua të merrem me kontekstin e asaj që ju pyesni, pasi çdo bazë ushtarake për interesat e aleancës së NATO-s që do të vendosen në Shqipëri nga partneri jonë kryesor, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në radhë të parë do të kishte të bënte edhe me interesat e Shqipërisë.
Pra, nuk i ndaj interesat e aleatëve nga interesat e Shqipërisë. Mendoj që ne jemi një vend, në të cilin është investuar shumë nga interesat e palëve të sipërpërmendura, të cilat sot e konsiderojnë Shqipërinë palë të barabartë, së shpejti në tryezën e NATO-s. Kështu që, nuk do të doja të merresha me trajtimin nga do të drejtoheshin raketat, por do të merresha me faktin e rëndësishëm se, cilido qoftë lloji i bazës që do të vendoset në Shqipëri, kjo, në radhë të parë, të përkonte me interesat dhe detyrimet që ne marrim, duke u bërë së shpejti anëtar i NATO-s.
Meqë jemi në këtë pikë, realisht dua t'ju pyes, çfarë fitimi konkret do të kishte Shqipëria në rast se do të pranonte që në territorin e saj të vendosej një bazë, që kundërshtohet nga një superfuqi, siç është Rusia?
Unë e preka pak dhe në pyetjen e parë, por gjithsesi duhet kuptuar një logjikë shumë e thjeshtë; do të vendoset apo nuk do të vendoset një bazë raketash në Shqipëri me miqtë, me interesat afatshkurtra dhe afatgjata që ne kemi ndarë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as nuk mund të diskutohet logjika nëse fitojmë apo humbasim. Në thelb, këto vijnë të natyrshme jo në logjikën e detyrimit, por në logjikën e asaj që vjen nga marrëdhënia e partneritetit me një aleat të rëndësishëm, siç është SHBA-ja, apo me shumë aleatë, siç është rasti i Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Z. Majko, ju keni qenë për një kohë të konsiderueshme ministër Mbrojtjeje. Mund të na thoni nëse gjatë asaj kohe ka pasur diskutime midis shtetit tonë dhe palës amerikane për vendosjen e një baze të tillë në vendin tonë?
Nuk dua të hyj në diskutime, të cilat në thelb prekin gjëra, të cilat janë çështje të sigurisë kombëtare.
Intervistoi: Intervista/ Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, vlerëson si pozitiv faktin që, Shqipëria, mendohet si një vend, ku mund të vendoset baza amerikane e raketave