E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Berisha po manipulon zgjedhjet me kartat


PS-ja vëren se procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti, nuk ka ecur sipas parashikimeve

TIRANË - Një muaj pas nisjes së procesit të pajisjes së qytetarëve me karta elektronike identiteti, Partia Socialiste vëren me shqetësim se ai jo vetëm s'ka ecur sipas parashikimeve dhe premtimeve të qeverisë, por se në shumë qytete dhe në të gjitha komunat nuk ka nisur ende. Sipas sekretarit socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, qeveria po tregohet tërësisht e paaftë të mirorganizojë këtë proces, duke rrezikuar në këtë mënyrë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Madje, socialistët shkojnë edhe më tej kur e cilësojnë këtë paaftësi si djallëzore dhe të lidhur me një skenar të mirëllogaritur politik, me qëllimin final manipulimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, duke mos lejuar qytetarët që të votojnë.


"Ne shohim me shqetësim se prapa këtij procesi të rrezikuar seriozisht fshihet një skenar politik për ta dështuar pajisjen me letërnjoftim të shtetasve, me qëllim krijimin e mundësive për manipulim të procesit të ardhshëm elektoral", - u shpreh sekretari socialist Fatmir Xhafaj.

Duke iu referuar premtimit të dhënë disa ditë më parë nga ministri Nishani, se data 15 shkurt do të ishte data kur do të fillonte procesi i aplikimit në të gjitha qytetet e vendit, PS-ja konstaton se të dhënat që vijnë nga terreni flasin për një dështim të qeverisë edhe në këtë drejtim. Në këtë aspekt, socialistët bëjnë të ditur se deri më sot, ky proces, krahas Tiranës ka filluar vetëm në 7 qytete, nga 65 të tillë në shkallë vendi, pra, vetëm në rreth 10 % të tyre.

Sipas selisë rozë, fakti që ky proces nuk është bëri i mundur ende të nisë në qytetet kryesore, tregon qartë për mundësitë e pakta që ka qeveria për të arritur këtë objektiv për zonat rurale, ku infrastruktura teknike është akoma më e dobët. Ndërkohë që, nga një monitorim i kryer prej socialistëve, rezulton se listat e dhëna nga Ministria e Brendshme për personat që s'kanë pasaportë për shumë njësi vendore, rezultojnë të pasakta dhe me shumë mungesa. Ministria e Brendshme ka bërë publike se janë rreth 730000 shtetas, për të cilët është e nevojshme pajisja me letërnjoftim elektronik dhe se ky proces do të jetë detyrues për periudhën deri më 31 mars, datë në të cilën do të fillojë aplikimi i sanksioneve për qytetarët, që nuk e kanë plotësuar këtë detyrim.


"Ne sot akuzojmë si përgjegjësin kryesor politik e ligjor për këtë situatë të papranueshme, Kryeministrin e vendit, zotin Sali Berisha, i cili në mënyrë sistematike, me një sërë deklaratash politike të papërgjegjshme, ka mashtruar opinionin publik vendas dhe partnerët ndërkombëtarë për ecurinë e këtij procesi. Ne vërejmë me shqetësim se është Kryeministri ai që po pengon këtë proces në mënyrë të qëllimshme, për të rikthyer ëndrrën e tij të votimit me certifikatat që ai i ka shumë për zemër", - tha Xhafaj në fjalën e vet. Në këtë linjë, socialistët nuk ngurojnë të bëjnë edhe një lidhje të shkurtër midis mungesës së efikasitetit të qeverisë dhe mospranimit të mazhorancës për ngritjen e komisionit ad-hoc, për monitorimin e procesit të përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare, ku natyrisht, pjesë kryesore e saj mbetet pajisja e qytetarëve me karta identiteti.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›