E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, aksion për bllokimin e qumështit me bidona plastikë

Në ditën e parë të kontrollit u asgjësuan rreth 50 bidona me qumësht, të cilët më pas u groposën

BERAT - Në qytetin e Beratit ka nisur "lufta" me shitësit e qumështit, të cilët kryesisht u përkasin zonave rurale të fshatrave periferike. Sipas specialistëve të sektorit veterinar, kjo punë ka nisur prej disa muajsh, kohë kur është bërë sensibilizimi i opinionit dhe vetë personave që ushtrojnë këtë aktivitet, por fenomeni nuk u eliminua. Në Berat ka disa pika tregtimi të qumështit nga tregtarë privatë, që konsiderohen si të papërshtashme dhe jashtë kushteve higjieno - sanitare, aq më keq që qumështi masivisht tregtohet në bidonë plastikë, të cilët nuk kanë asnjë element sigurie.

Aksioni ka nisur i mirëkoordinuar dhe i mbështetur nga policia bashkiake dhe për rrjedhojë në ditën e parë u grumbulluan rreth 50 bidona plastikë, të cilët ishin destinuar për t'u shitur në vendet e përditshme.

Sipas përgjegjësit të sektorit veterinar në bashki, Lavdosh Toska, ky nuk është thjesht një aksion, por një detyrë funksionale që buron nga ligji. "Fenomeni i tregtimit të qumështit në vende të papërshtashme dhe me bidona plastikë është një fenomen negativ, pasojat e të cilit i vuan konsumatori. Qarku i Beratit ka pasur shkallën më të lartë të të prekurve nga sëmundja e rrezikshme e brucelozës, sëmundje që vjen për shkak të produkteve blegtorale jashtë standardit, përfshi edhe qumështin, kjo detyrë bëhet më evidente", - deklaron për "Shekulli"-n specialisti Toska. Gjithçka është ideuar nga Drejtoria e Bujqësisë e Ushqimit, Drejtoria e Shëndetit Publik në bashkëpunim me bashkinë e qytetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›