E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, 16 lejet e para, tre muaj për t'u konfirmuar

Elbasan

ELBASAN- Lejet e para të legalizimit që duhet të ishin shpërndarë rreth 3 muaj më parë nga Agjencia e Legalizimeve në Elbasan, ende nuk kanë përfunduar në duart e qytetarëve. Shkak për këtë janë bërë disa verifikime që sipas specialistëve kanë vonuar procedurat përfundimtare. Vetë qytetarët që pritet të bëhen pronarët më të rinj të Elbasanit janë paraqitur për të lidhur kontratat, por vonesat duket se kanë lidhje me marrëdhëniet mes institucioneve.

Gjithsesi, nga drejtues të Agjencisë është premtuar se brenda muajit shkurt, 16 lejet e para të legalizimit do të jenë në duart e qytetarëve. Ndërkohë, janë dorëzuar si të përfunduara në procesin e parë rreth 5 mijë dosje nga Agjencia e Legalizimit në Elbasan. Nga ky proces kanë dalë edhe probleme me emrat, me saktësinë e tyre. Rreth 20 ankesa të depozituata pranë ALUIZNI-t kanë lidhje me korrigjimin e emrave apo mbiemrave. Sipas kreut të Legalizimeve, Ditor Musai, për këtë problem është ngritur një komision i cili do të merret me korrigjimin e emrave, pasi planvendosja dhe gjithçka tjetër janë në rregull. Probleme të tilla, sipas Musait, kanë ardhur nga volumi i madh i punës në njësitë vendore, si bashkia Elbasan ku për një kohë të shkurtër janë regjistruar 8 mijë dosje. Pritet që brenda 6 muajsh nga Agjencia e Legalizimeve në Elbasan të legalizohen rreth 5 mijë ndërtime. Por ende ka njësi që nuk kanë bërë as fazën e parë të procesit si komuna Shirgjan dhe bashkia Përrenjas.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›