E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Guardian: Bosnja po kërcënon stabilitetin e Ballkanit

Londër
Alarmi: Kërcënime që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90

Tensioni në Ballkan po rritet për shkak të së ardhmes së Bosnjës, shkruante me shqetësim ditët e fundit gazeta e përditshme britanike “The Guardian”, duke vënë në dukje se liderë të kohës së ish-Jugosllavisë kanë shkëmbyer këto kohët e fundit, në jo pak raste, kërcënime dhe fyerje armiqësore të atyre përmasave që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90. Gazeta e mirënjohur britanike, me këtë rast, u referohet kërcënimit të fundit të Presidentit kroat në largim e sipër, Shtipe Mesiç, për intervencion ushtarak të Kroacisë, në rast se Republika Srpska vendos të shkëputet nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës (B-H), dhe kundër-kërcënimeve përkatëse të Kryeministrit të kësaj republike, Millorad Dodik.
Dodiku e quajti provokacion të rëndë deklaratën e Mesiçit, duke e akuzuar këtë të fundit për luftënxitje, ndërkohë që me forcë reagoi edhe Beogradi, thekson “The Guardian”, duke kujtuar se kjo luftë verbale po zhvillohet, ndërsa Bosnjë-Hercegovina po përgatitet të zhvillojë gjatë këtij viti, zgjedhjet parlamentare. Sipas gazetës në fjalë, diplomatët dhe analistët presin që zgjedhjet e ardhshme në këtë vend, në këtë mënyrë, rrezikojnë të paraprihen nga shpërthimi i një “nacionalizmi zemërak dhe destabilizues” që do të mund ta thellojë edhe më krizën politike në Bosnjë-Hercegovinë. Kryeministri Dodik është i vendosur që, në masën më të madhe të mundshme, ta ruajë ndarjen nacionale të Bosnjë-Hercegovinës dhe t’i kundërshtojë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e një shteti funksionues me pushtet qendror të efektshëm. Mesiçi, nga ana e tij, e akuzoi atë (Dodikun) se po përpiqet të ripërtërijë politikën e dështuar serbe të para 10 vjetëve, qëllimi i së cilës ishte krijimi i një Serbie të Madhe. “Dodiku po zhvillon një luftë politike sfilitëse të pandërprerë me forcat ndërkombëtare që ende e kontrollojnë Bosnjën, pothuajse 15 vjet që nga mbarimi i luftës”, thekson gazeta britanike, duke e mbyllur shkrimin me citimin e Mesiçit se “Dodiku shpreson se bashkësia ndërkombëtare do të lodhet, më në fund, me Bosnjën dhe do ta pranojë organizimin e një referendumi për mbijetesën e Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, i cili do të realizojë përfundimisht ëndrrën për Serbinë e Madhe”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›