Dosjet që nuk mund të varrosë Berisha
Kur pak muaj më parë Kryeministri i Shqipërisë gradonte atë që prej dje është sërish i pandehur për dosjen “Hoxha”, veprimi ishte komentuar si sfidë që ish-presidenti i viteve 1992-1997 po vijonte t’u bënte shqiptarëve, duke rikthyer në mozaikun e njerëzve të pushtetit të njëjtat figura që i kishin shërbyer atëherë. Ai ishte njëri prej gurëve të këtij mozaiku, sepse prej rikthimit në pushtet, në shtator 2005, administrata shtetërore e Berishës është me po ato njerëz që ishin në qeverisjen e parë të demokratëve dhe që pas kaosit të vitit 1997 u arratisën për t’i shpëtuar akuzave të drejtësisë apo vetëgjyqësisë së shqiptarëve.
Tani, 11 vite pas asaj kohe, publiku shqiptar është bërë i ftohtë për përgjegjësinë personale që kanë patur këto personazhe, sepse ata ishin dhe vijojnë të jenë shërbëtorë të të njëjtit njeri, atij që bënte presidentin e gjithçkasë në vitet ’90 dhe prej tre vitesh Kryeministrin e vendit. Ndaj dhe rihapja e gjykimit për ngjarjen e 13 viteve më parë, është një sinjal për rikthimin e drejtësisë për dosjet e vjetra dhe një mesazh optimist për dosjet e krimeve të reja që janë bërë tre vitet e fundit. Si për rastësi, dosja “Hoxha” ishte hapur pesë vite më parë, kur prokuror i përgjithshëm ishte Theodhori Sollaku. Ish-këshilltari i Berishës, gjatë mbretërimit në Presidencë, u denigrua në çdo aspekt nga PD-ja, e cila nëntorin e vitit të shkuar arriti ta shkarkonte me votimin në Parlament dhe me dekret presidencial. Para se të ikte nga zyra e kryeprokurorit, Sollaku kishte në duar elementët që do të përbënin më vonë dosjet për dy prej ministrave të qeverisë “Berisha”. Sulmet ndaj tij do të shtoheshin kur për mos kompetencë, dosja, nga ish-ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Lulzim Basha, do të kalohej nga Prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe bëhej fjalë për abuzime me qindra milionë euro për rrugën Durrës-Kukës-Morin. Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është pa imunitet dhe në çdo kohë mund të merret i pandehur për të dhënë llogari mbi abuzimet me rrugën 1 miliardë euroshe. Në vjeshtën 2007, Prokuroria e Përgjithshme kishte marrë denoncimet e para për atë që do të ndodhte në 15 mars 2008 në Gërdec, kur gazetari i NYT, Nicholas Wood, kishte denoncuar te zyra e Sollakut për takimin me Mediun, kërcënimet dhe zhdukjen e kasetës.
Kjo dosje tani, me të akuzuar qeverinë shqiptare, që vrau 26 njerëz, plagosi qindra të tjerë dhe bëri trafik armësh dhe municionesh, ka elementët më të plotë që mund të ketë patur ndonjë syresh për akuzën shqiptare dhe si në rastin e dosjes për rrugën Durrës-Kukës-Morin, ajo është në duar të Prokurorisë së Përgjithshme. Shqetësimi i vetëm i publikut, nuk është se ato janë të paplota, por si në rastin e dosjes “Hoxha”, ajo janë peng i trysnisë së qeverisë për të varrosur krimet, bashkë me viktimat. Dje, fillimisht u hoq dyshimi dhe rruga është e hapur për drejtësinë.