E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakulteti Filologjik nuk ka suplement diplome

Zv/dekania, Valentina Duka thotë se suplementi do të shpërndahet vetëm për studentët që aplikojnë jashtë vendit

Studentët që përfundojnë studimet e larta, mbështetur në Kartën e Bolonjës, vështirë se do të pajisen me suplementin e diplomës së nivelit të parë të përkthyer në gjuhët shqip dhe anglisht këtë vit. Kështu thuhet të paktën në Fakultetin Filologjik, ku si shkak për shtyrjen edhe për këtë vit akademik të shpërndarjes së shtojcës së diplomës, është bërë vonesa në organizimin e punës. Valentina Duka, zv/dekane në Fakultetin Histori-Filologji, shpjegon në prononcimin për gazetën “Shekulli” se për të plotësuar suplementin e diplomës kërkohet jo vetëm mesatarja, programet, por edhe pedagog përgjegjës të cilët duhet të nxjerrin karakteristikat e punës për studentin, si edhe formalitete të tjera që kërkojnë kohë fizike të gjatë. “Pajisja e studentëve të Bachelorit dhe të Masterit me diplomë suplement është jo vetëm udhëzim i Ministrisë së Arsimit, por edhe i vetë filozofisë së Kartës së Bolonjës, në mënyrë që studentët të kenë të kenë mundësi transferimi kreditesh, të kenë hapësira më komode burokratike për të siguruar Master në vendet evropiane, si edhe hapësira punësimi në Shqipëri”,- pohon Duka. Kështu edhe këtë vit, shtojca e diplomës do të mungojë në arkivën e dokumenteve të studentëve. Këtë herë shkak bëhet vonesa dhe pamundësia e senateve për të organizuar në kohë punën. “Shtojca e diplomës do jo vetëm kohë fizike për t’u plotësuar, por do edhe njerëz të specializuar për ta bërë këtë punë. Shefi i departamentit nuk ka në planet mësimore, në detyrimet e tij administrative, hapësirë për të plotësuar këtë diplomë. Që të bëhet kjo gjë, unë mendoj që çdo fakultet duhet të ketë strukturën e vet përkatëse për këtë qëllim. Në muajin maj, unë nuk besoj që edhe studentët e sivjetshëm në fakultetin tonë, sepse këtë vit Universiteti i Tiranës në mënyrë masive shpërndan diploma Bachelor, të marrin diplomën e suplementit, për ato arsye që unë përmenda. Ne nuk e kemi bërë akoma objekt bisedash me shefat e departamenteve këtë gjë, pasi deri tani kemi përgatitur dosjet e masterave, meqenëse në tetor fillojnë studimet e para”. Profesoresha Duka, thotë se diskutimi i suplementit të diplomës me shefat e departamenteve është lënë gjatë muajit të ardhshëm, çka do të thotë rrjedhimisht se edhe koha fizike për të pajisur studentët me një dokument të tillë, është e pakët. Këtë vit, në Fakultetin Histori-Filologji diplomohen në bazë të Sistemit të Bolonjës rreth 400 studentë, të cilëve u shtohen edhe 120 studentë të cilët kanë përfunduar studimet gjatë vitit të kaluar, por që realisht nuk janë pajisur ende me shtojcën e diplomës. “Gjatë muajit të ardhshëm kemi lënë që shefat e departamenteve të diskutojnë Bachelorin për t’i bërë ndryshimet e nevojshme, duke parë defektet që ai ka në këto tri vite. Po kështu do diskutojmë edhe mënyrën e organizimit, kush do jetë përgjegjës dhe si do bëhet suplementi i diplomës”. Kështu thotë zv/dekania e Histori-Filologjisë, ndërsa shton se Senati duhet të rimarrë edhe njëherë në shqyrtim suplementin, për t’i dhënë mundësinë studentëve për t’u pajisur sa më shpejt me diplomën e plotësuar sipas kërkesave që parashtron Karta e Bolonjës. Sa për studentët, të cilët kërkojnë pas përfundimit të studimeve në Shqipëri të ndjekin studimet jashtë vendit, profesoresha Duka shpjegon se këta të fundit mund të paraqiten në çdo kohë në departamentet përkatëse për të marrë suplementin e diplomës. Kjo procedurë do të aplikohet fillimisht vetëm për ata studentë të cilët aplikojnë për studime jashtë vendit, si edhe ata që e kanë të nevojshme për arsye pune, kurse të tjerët, sipas zv/dekanes së fakultetit Histori-Filologji, duhet të presin me shumë gjasa muajin tetor-nëntor të këtij viti, për të bërë të tyre suplementin e diplomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›