Dy vetëhelmime në Lushnje, një i vdekur, një rëndë
Lushnje- Brenda pak orësh në spitalin e Lushnjes kanë mbërritur dy urgjenca vetëhelmimesh. Një person humbi jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se pasditen e enjtes ka mbërritur në repartin e reanimacionit, Nasi Kola, 51-vjeç, nga komuna e Gorresë. Sipas burimeve spitalore, babai i tre fëmijëve kishte gëlltitur helm, në rrethana të panjohura nga familjarët. “51-vjeçari kishte pirë fostoksinë dhe nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të sasisë së madhe të helmit në gjak”,- thanë mjekët, duke shtuar se ai ndërroi jetë duke u gdhirë dita e djeshme. Të afërm të familjes thanë se viktima ka tentuar edhe një herë tjetër vetëhelmimin, por nuk ka mundur dot ta finalizojë vendimin, sepse është mbajtur në kontroll. “Duket se këtë radhë ai i ka shpëtuar syrit të familjarëve dhe ka pirë helmin vdekjeprurës”,- thonë ata. Viktima, sipas të njohurve, ishte i alkoolizuar, por askush nga familja nuk di të sqarojë motivin e vetëflijimit të tij. Pak orë nga urgjenca e parë, në gjendje kritike për jetën ka mbërritur një grua nga Çerma, e cila kishte tentuar vetëhelmimin në shtëpinë e saj. Esma Patozi, 60-vjeç, është gjendur e vetëhelmuar në rrethana ende të pa sqaruara mirë nga policia. Ajo është dërguar menjëherë në repartin e reanimacionit dhe po mbahet në kontroll nga mjekët . “Gruaja ka pirë shumë helme, që përdoren nga fermerët për spërkatjen e bimëve bujqësore dhe gjendja e saj shëndetësore është kritike”,- thonë mjekët, të cilët nuk dinë rrethanat e këtij akti. Mjeku i reanimacionit, Mihal Petushi, është i shqetësuar për shtimin e numrit të rasteve të tilla. “Në reanimacion konstatojmë raste të shumta vetëhelmimesh, që iu përkasin moshave të ndryshme. Vendimmarrja nga viktimat është fatale dhe kjo tregon se njerëzit kanë arsye serioze që arrijnë deri këtu”,- thotë ai.