Nisin punimet për doganën e Muriqanit
SHKODËR-Pranë pikë kalimit kufitar të Muriqanit kanë nisur punimet për ngritjen e doganës së re, e cila do të jetë e para në Shqipëri dhe Ballkan që do funksionojë si një doganë e përbashkët mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky objekt është projekt i KE-së dhe financohet prej tij me një vlerë mbi 1 milion e 114 mijë Euro. Punimet mbikëqyren nga dy supervizorë italianë, përfaqësues të KE-së dhe një supervizor përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare, deri tani janë gërmuar mbi 8000 metër kub dhera, përveç ndërtimit të rrugës provizore 250 metra e gjatë. Rruga, mësohet se është ndërtuar për të mundësuar vazhdimin pa probleme të qarkullimit të qytetarëve e automjeteve. Me ndërtimin e kësaj pike doganore dhe të Urës së Re të Bunës, mundësohet plotësisht qarkullimi pa kufizim i mallrave dhe tregtisë nga të dy anët e kufirit, përmes pikëkalimit kufitar të Muriqan- Sukobinës, në ndryshim nga akualisht kur mundësohet vetëm lëvizja e njerëzve. Sipas projektit, do të ketë rrugë të veçantë për lëvizjen e këmbësorëve, rrugë të veçantë për autoveturat dhe rrugë të veçantë për automjetet e transportit të mallrave.