E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet ushqimore, 2 mijë fëmijë në Korçë skanë me çfarë të ushqehen

Korçë-Pas divorcit prindërit braktisin fëmijët e tyre, duke mos u kujdesur ekonomikisht për vogëlushët e lënë në udhëkryq. Mbi dy mijë fëmijë me një prind në juglindje të vendit nuk kanë me se të ushqehen, kjo për arsyen e thjeshtë se prindërit nuk paguajnë pensionet ushqimore për ta. Shumica e këtyre prindërve, të padisiplinuar dhe ndaj fëmijëve që kanë sjellë në jetë, janë emigrantë, ndërsa duke hedhur pas krahëve zgjidhjen martesore kanë harruar bashkë me ta, jo vetëm ish- bashkëshortët, po edhe fëmijët.

Zyra Përmbarimore në Korçë është duke u fundosur nga dosjet e pensioneve ushqimore të paekzekutuara, ndërsa kreu i saj jep alarmin për zgjidhjen e këtij problemi. Problem, që duket se sjell jo pak pasoja për fëmijët, që duan të jetojnë në kushte normale, ndonëse janë me prindër të divorcuar. Shtimi i rasteve të divorceve, çon vendimet e formës së prerë të gjykatës për zgjidhje në Zyrën Përmbarimore, ndërsa punonjësit e saj duhet të ekzekutojnë vendimet për pensionet ushqimore të fëmijëve të mbetur pas këtyre divorceve me një prind, çdo muaj. Shifrat duket se vetëm për rrethin e Korçës janë të frikshme, ndërsa shtimi i tyre është i përditshëm. Mbi 2 mijë dosje janë duke u pluhurosur pranë kësaj zyre, ndërsa dhe vetë përmbarimorët ndihen të pafuqishëm të veprojnë. Sipas burimeve zyrtare, kjo bëhet e vështirë, pasi nuk mund të kontaktojnë me prindërit që duhet të derdhin çdo muaj detyrimin monetar për mirërritjen e fëmijëve të tyre.

Një pjesë e mirë e prindërve që janë kryesisht baballarë dhe që detyrohen të paguajnë çdo muaj pensionin ushqimor për fëmijët e tyre kanë shkuar në emigracion në shtetin fqinj, çka krijon probleme për ekzekutimin e vendimit. Sipas krye përmbaruesit të Korçës, Arben Kello, janë rreth 300 dosje prej volumit të madh të tyre, të cilat iu përkasin emigrantëve, të cilëve është shumë e vështirë t’iu gjendet adresa pas statusit të ri që ata kanë krijuar në emigracion. “Çështja e pensioneve ushqimore mbetet më problematikja për zyrën tone”,-shprehet Kello, duke sqaruar se ndonëse nuk mungon angazhimi, puna është e vështirë. Sipas tij, shifrat shënojnë rritje çdo ditë. “Në kërkojmë në të gjitha mënyrat, por mungesa e adresave të sakta si dhe ikja në emigracion e bën të pamundur ekzekutimin pa pasoja të këtyre vendimeve”,- thotë më tej ai. Por ndërsa emigrantët largohen drejt Greqisë, lëvizja demografike e popullsisë është një tjetër pengesë për mos gjetjen e adresës për debitorin e radhës ndaj fëmijës së tij.

Divorcet

Vitin e kaluar, mbi 600 zgjidhje martesash

Drama sociale e divorceve duket se ka prekur masivisht Korçën. Në gjykatën e këtij rrethi vetëm gjatë vitit të kaluar, numri i zgjidhjeve martesore ka kaluar numrin 600. Por duket se fëmijët janë ata që e paguajnë pas kësaj. Meqenëse nënat kryesisht marrin të drejtën e rritjes së fëmijës, baballarët duhet të paguajnë çdo muaj një vlerë ushqimore për mirërritjen e krijesës që ata kanë sjellë në jetë deri në moshën 18- vjeçare. Akti është i shprehur me vendim gjykate, të cilin e neglizhojnë, apo e harrojnë sikur fëmija i tyre të mos ekzistonte më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›