Profesorët e QSUT-së: Popull, shëndetësia është në krizë!
Alarmi për sistemin
Tashmë para shëndetësisë shqiptare është shtruar çështja e ekzistencës së saj. Kështu u shprehën shefat e QSUT-së gjatë mbledhjes së djeshme, duke renditur disa nga pikat më problematike të sistemin shëndetësor. Sipas profesor Jovan Bashës, shëndetësia shqiptare ka probleme madhore të cilat lidhen me financimin e pamjaftueshëm, organizimin problematik dhe reformat vetëm propagandistike dha pa asnjë rezultat. Gjithashtu ai thekson se problematika e shëndetësisë pasqyrohet edhe në cilësinë e mangët të shërbimit, gjendjen e mjerueshme të spitaleve dhe mungesat e shumta në aparatura. Ndërkohë ajo që pranojnë profesorët e QSUT-së pa asnjë hezitim për sistemin shëndetësor është edhe korrupsioni, si në çdo fushë të jetës në vendin tonë.
Reforma
Mjekësia shqiptare ka nevojë për reformë të thellë, reformë e cila të përfshijë të tërë sistemin shëndetësor, organizimin, financimin, mënyrën e drejtimit e deri në strukturat më të ulëta të mjekësisë shqiptare. Ky ka qenë thelbi i gjithë diskutimeve mes Profesoratit të Shëndetësisë për sistemin. Sipas Jovan Bashës, profesorët në mbledhje kanë theksuar që këto reforma të funksionojnë normalisht, i takon profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë që të japin mendime për mënyrën si duhet të zhvillohet kjo reformë. “Është për të ardhur keq, kur ne konstatojmë që mendimi i këtij Profesorati anashkalohet ose nuk merret fare parasysh nga politika, siç mjerisht ka ndodhur me një sërë rregulloresh e me Statutin e QSUT, ku nuk përmenden fare të drejtat dhe detyrat p.sh., të një shefi shërbimi”,- pohon Jovan Basha duke shtuar se QSUT përbën mënyrën më të keqe të administrimit të një institucioni shëndetësor. Gjithashtu ai pohon se në mbledhjen e profesorëve u theksua se të gjitha qeveritë shqiptare, nga 1990 e deri me sot, janë marrë pak ose aspak me problemet e shëndetësisë, duke i hapur rrugën një zhvillimi spontan e anarkik, i cili ka bërë të pakënaqur popullin për ndihmën mjekësore të marrë por edhe mjekët për cilësinë e shërbimit mjekësor që japin. Sipas tij dhe për faktin se shpesh, jo për faj të tyre, mjekët gjenden nën shënjestrën e opinionit publik, i cili gabimisht mendon se shkaktarë të kësaj gjendjeje janë ata.
Ministria: Jemi të vendosur për reforma
Revolta e profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë ka nxitur Ministrinë e Shëndetësisë të deklarojë që janë të vendosur të realizojnë reformimin e sistemit shëndetësor. Por nga ana tjetër dikasteri i Shëndetësisë, fajtor për këtë sistem ka bërë edhe disa ish-ministra të Shëndetësisë dhe drejtues të larët të këtij sistemi. “Bashkohet me vlerësimin e profesorëve, disa prej të cilëve ish-ministra dhe ish-drejtues të lartë të enteve shtetërore e universitare vendimmarrës, se gjatë 17 viteve të fundit, ka pasur probleme dhe mungesë të reformave thelbësore në sistemin shëndetësor dhe që ende shëndetësia funksionin mbi Ligjin bazë të vitit 1963”,- pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë duke shtuar se mbështesin Profesoratin në kërkesën e tyre për rritjen e kontributit financiar shtetëror e qytetar në financimet e shërbimit shëndetësor, në mbrojtjen e jetës dhe integritetit profesional të çdo punonjësi të sektorit shëndetësor. Gjithashtu burimet zyrtare pohojnë se i mbështesin profesorët edhe në kërkesën e tyre për ruajtjen e pjesës profesionale të shëndetësisë nga rotacionet politike, si dhe në nevojën për veprime konkrete në dobi të reformës.