Dosjet, rinis debati për ligjin
Ndërsa palët kanë rënë dakord për një ligj konsensual për hapjen e dosjeve të periudhës komuniste, ende nuk po konkludohet me miratimin e ligjit për “Pastërtinë e figurave”. Relatorët e këtij projekti, Aldo Bumçi nga PD-ja dhe Arben Isaraj nga PS-ja, nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për disa pika konkrete, të cilat duket se kanë dështuar këtë proces. Duke parë këtë ngecje, pritet që gjatë javës në vijim, Komisioni i Ligjeve të nisë diskutimin e draftit të deputetit Bumçi për hapjen e dosjeve, ku pritet që deputetët e PS-së të japin edhe konkluzionet e tyre. Dy relatorët kanë arritur në takimet informale gjetjen e konsensusit për një sërë pikash, të cilat do të bëhen publike në Komisionin e Ligjeve. Por relatorët kanë ngecur në disa detaje të tjera thelbësore të ligjit, që mazhoranca e kërkon me ngulm ta miratojë. Sipas burimeve të këtij komisioni, deputetë të majtë dhe të djathtë konfirmojnë faktin se është rënë dakord se në ligj do të parashikohet një Komision Verifikimi për Figurat, anëtarët e të cilit do të zgjidhet në mënyrë të balancuar nga Kuvendi. Kryetari i këtij komisioni do të zgjidhet me konsensus. Anëtarët e këtij komisioni do të jenë njerëz me integritet, jashtë politikës dhe me karrierë të njohur në fushat e jetës publike. Deputetë të majtë shprehen se nga ana e PS-së është pranuar kërkesa për riverifikim të figurave, pavarësisht se mund të kenë kaluar me ligjin e vitit 1995, apo me dy komisionet e Bezhanit e Mezinit. Njëkohësisht është rënë dakord se do të hapen jo vetëm dosjet e Sigurimit të Shtetit, por edhe arkivat në rast se do të jetë e nevojshme. Disa nga pikat për të cilat diskutimi nuk ka arritur të gjejë një gjuhë konsensuale, është fakti në rast se dosjet do të bëhen publike ose jo. Një tjetër pikë e mbetur pezull është edhe pjesa në rast se duhet të ketë ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve apo jo. Palët ende nuk kanë rënë dakord për këtë çështje. Pavarësisht se pikat e para kanë pasur një mirëkuptim, debati ka ngecur edhe në një pikë tjetër, rrezja e veprimit. Duket se PS nuk është dakord me propozimin e PD-së për subjektet që duhet të verifikohen. PS ka kërkuar zvogëlimin e kësaj rrezeje, sidomos për postet e nivelit të dytë në administratën shtetërore. Në lidhje me këtë çështje, drafti i deputetit Bumçi ka specifikuar të gjithë administratën. Subjekti i verifikimit, sipas draftit të propozuar nga Bumçi, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, si dhe gjithë zyrtarët e sistemit të Drejtësisë.