E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj, mes Ramës e Metës

Humnera e krijuar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka krijuar hapësira të favorshme, që lëvizja e Erjon Veliajt, G99, të rreshtohet me partitë e tjera të së majtës. Pavarësisht se që nga momenti që është krijuar, G99 ka bërë opozitë ndaj qeverisë aktuale, protesta e ditës së premte, kur kreu i G99-s dhe Edi Rama ishin krah përkrah, treguan se tashmë Veliaj ka hedhur hapat e para për t’u konsideruar një parti politike, që kërkon vendin e vet brenda këtij kampi opozitar. Ndërsa në vazhdim, dy ditë pas protestës, Veliaj është bërë më i ashpër se kurrë me liderin e LSI-së, Ilir Meta, duke vazhduar në të njëjtën linjë me kryesocialistin Edi Rama. Veliaj, ashtu siç ka deklaruar, do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Por një lëvizje qytetare e sapokrijuar nuk mund kurrsesi t’ia dalë e vetme në këto zgjedhje e me këtë sistem të ri zgjedhor. Si e tillë, promovimi duke qenë përkrah liderit të opozitës i jep më shumë hapësira G99-s. Nga ana tjetër, edhe kreu socialist nuk del i humbur. Këtë arriti ta tregojë më së miri në protestën e së premtes, ku Rama dhe Meta i qëndronin larg njërit-tjetrit, por përkrah kreut socialist, për herë të parë në një protestë që kur është krijuar G99 qëndronte Erjon Veliaj. Njëkohësisht, për herë të parë në një protestë të opozitës, Veliajt iu dha hapësira e të mbajturit fjalim përpara protestuesve.

Ndërsa Rama e ndjen se bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim është shumë i largët, ka menduar që të paktën pranë tij të afrojë një tjetër lëvizje me karakter qytetar, kjo edhe për karshillëk ndaj ish-aleatit të tij, por edhe për të treguar se Meta vazhdon të mbetet i vetëm. Në këtë mes, ai që fiton më shumë është Erjon Veliaj, i cili duke qenë krah Edi Ramës promovohet më shumë në ambientet e së majtës. Kryetari i Partisë Socialiste bëri të qartë dy ditë më parë se tashmë nuk është i interesuar për një bashkim me kryetarë, por me qytetarë, sikundër është edhe karakteri i G99-s. Madje, në dy ditët e fundit pas protestës, Veliaj në disa komunikime me mediat i ka mëshuar mjaft qëndrimit që mban edhe PS-ja ndaj kreut të LSI-së. Në sinkron me Ramën, edhe Veliaj konsideroi se në protestën e ditës së premte ishte LSI ajo që donte të kontrollonte protestën, duke ironizuar këtu edhe vetë kreun e kësaj partie. Mandej, ashtu si Rama, edhe Veliaj është shprehur se Meta është pre e ambicieve të tija politike për t’u bërë Kryeministër. Por nga sinkronizimi mes deklaratave të Ramës dhe Veliaj u pohua qartë se protesta e dy ditëve më parë u karakterizua nga protagonizmi i palëve, nga madhësia e banderolave, numri i tyre, por mbi të gjitha te mesazhi që ato mbartnin, të cilat përfaqësonin qëndrimet politike të Ilir Metës dhe të Edi Ramës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›