E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, siç thotë Besnik Mustafaj

MARTIN LEKA 

Për hapjen e dosjeve, për mbylljen e tyre apo për ata që etiketohen "spiunë", është folur e shkruar publikisht shumë herë që nga rënia e sistemit të kaluar. Duke qenë produkt ekskluziv i politikës, problemin e hapjes së dosjeve e kemi ndeshur të trajtuar në mënyrë periodike, sa herë politikës i është dashur ta përdorë këtë çështje me efekt të madh publik, politik e njerëzor për interesat e veta ...konjukturore apo për të mbuluar gabimet e qeverisjeve. Kësisoj, pra edhe mediat dhe mendimi i kualifikuar i ekspertëve apo dhe politikës, nuk e kanë analizuar e trajtuar problemin e dosjeve thellë e me realizëm, pa emocione e jashtë interesave pragmatiste.
Shqiptarët, si njerëz të thekur për konspiracion, jam i sigurt se problemin deri tani e kanë kapur përciptazi. Ata "vdesin" të dinë se cili është "X", "Y" apo "Z" politikan a zyrtar "spiun", që ka pasur pseudonimin "Lapsi" apo "Kotherja", "Disenjatorja" apo "Piktori", "Karafili" apo "Molla", "Luleshtrydhja" apo "Ketri" e plot e përplot emra të tjerë, që ngjajnë me një magazinë të madhe objektesh çfarëdo, kopsht botanik apo zoologjik…
Harrohet, apo më saktë nuk thellohet se përtej kuriozitetit e konspiracionit, ka diçka shumë më të madhe e konkrete. Përtej kësaj morie të emrave të kodifikuar që përmendëm më lart qëndronte një sistem shtetëror. Përtej "Lapsit", "Ketrit" apo "Karafilit" qëndronte shteti, i personifikuar në objektin njeri. Vetëm duke i parë të lidhura sistemin me personazhet që atakohen, mund të analizohet ftohtë e me realizëm gjithçka, gjer në versionin e duhur e të përshtatshëm që mund të gjendet me këtë rast: të hapen apo të mbyllen dosjet.
Gjatë këtyre viteve pas shembjes së regjimit komunist, është alternuar në cikël të plotë pushteti mes të majtëve dhe të djathtëve. Kjo do të thotë se ka pasur plot kohë në dispozicion të politikës në tërësi, të mund të merrte një vendim të përshtatshëm, duke mos e lënë evaziv dhe duke e "tjerrë" problemin si "plaka furkën". Nisur nga ky cikël i plotë i ndërrimit të pushteteve, gjithkush ka të drejtë të mendojë se gjithçka bëhet si "presion" për të ngritur hamendjet e njerëzve për spiunët, pra, për të larguar vëmendjen nga problemet reale politike dhe ekonomike. Në rastin më të keq, "spiunët" përdoren për të mbyllur zëra kundërshtarë brenda familjeve politike. Nëse në rastin e parë politika e maxhorancës e përdor këtë çështje për të sfumuar ngjarjet e Gërdecit dhe pasojat e saj, problemet e tjera legjislative apo ekonomike, në rastin e dytë, gjithnjë hipotetike, mbetet të thuhet se Berisha i njeh mjaft mirë "spiunët" që ka përreth dhe ky është një rast i mirë për t'i strukur ata në vetmi dhe për t'iu bindur shijeve të tij politike.

***
Po të mos lexoja një analizë nga Besnik Mustafaj dje në një të përditshme, nuk do nxitesha të shkruaja as një fjali për problemin e dosjeve, të bërë "bozë" tashmë. Personalisht, kam bindjen se analiza e zotit Mustafaj është një "skaner" praktik për të gjithë politikanët që merren me dosjet dhe për më tepër, për të gjithë ata që e ndjejnë veten të përfshirë në një dosje, për të gjithë ata që duan të dinë për dosjet e "spiunët". Mustafaj ka shkruar qartë e saktë edhe për ata që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë. Me ndjeshmërinë e një poeti, arsyen e një të dituri dhe forcën e një politikani, Besnik Mustafaj na tregon se nuk duhet të rrimë prej kaq vitesh mes dy rrugëve: Të hapen apo të mbyllen dosjet, por të zgjedhim njërën prej tyre.
Dhe që politikanët të mos sillen si "shtriga" duke përdorur "fantazma", ndoshta duhet zgjedhur njëri variant që propozon Besniku: T'i hapin fëmijët tanë, që ne të mos "theremi" me njëri-tjetrin!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›