E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash

Për të qenë i sinqertë me lexuesin, që në krye më duhet të shpjegoj, se titullin e këtyre radhëve nuk e sajova unë. Kujtesa më shpuri disa dekada më parë, kur në libraritë e vendit tërhoqi vëmendjen një libër i shkrimtarit tonë mjaft të njohur në fushën e humorit dhe satirës, Qamil Buxheli: "Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash". Një titull ky, që e kishte fillesën prej romanit të të madhit rus Dostojevski. Atëherë në Shqipëri, as ky shkrimtar me famë të përbotshme dhe as romani i tij nuk njihej shumë, përveçse nga një rreth i ngushtë intelektualësh, të cilëve u ishte dhënë rasti dhe fati të lexonin letërsi të huaj që ndalohej për masën e gjerë të lexuesve, si edhe kritika analitike të disa veprave me vlera, që me përkthimet dhe publikimet e tyre kishin fshirë kufijtë e shteteve ku fillimisht qenë shkruar e botuar. Me bagazhin kulturor që qëndronte në një rrafsh me talentin artistik të tij, Buxheli na drejtohej me librat e veta për të na treguar se shoqëria jonë nuk ishte aq ideale sa propagandohej, se midis nesh kishte edhe nga ata, që pavarësisht epitetit mendonin, shpreheshin dhe vepronin në mënyra që binin ndesh me realitetin. Pra, kishte edhe nga ata që vërtet nuk qenë me zhvillim mendor të mangët që nga lindja (siç e shpjegojnë disa fjalorë epitetin 'Idiot'), por sillen me dashje apo të detyruar sikur janë shumë të trashë nga mendja.
Tani, kur qysh prej 20 vjetësh Shqipëria i hapi masivisht kufijtë e saj dhe u shpresua që do të krijoheshin të gjitha kushtet për të zhvilluar personalitetin e individit, ky i fundit sa vjen e pëson një regres të dhimbshëm. Jo vetëm nga diskriminimi i thellë brenda shoqërisë. Jo vetëm nga varfëria që ka hedhur rrënjë të zgjeruara. As vetëm nga deliranca e madhështisë së ca politikanëve apo nga makutëria e pamatë e tyre, si dukuri në modë që ka prekur edhe jetën publike të vendit. Përveç këtyre, ajo që gjithnjë e më tepër ka zënë vend në galerinë e një Shqipërie të tjetërsueshme është arroganca e shfrytëzimit të pushtetit dhe shpesh herë pavetëdija absolute e përdorimit të tij. Kështu, këta lloj politikanësh janë rëndom të pasuksesshëm, duke ofruar më së shpeshti kufizim se sa zhvillim. Ndërkohë që, në periudhën moderne tashmë është provuar dhe bërë e ditur se rruga më e drejtë, asnjëherë destruktive, për pasurimin e vlerave të çdo shoqërie është ajo që kërkon ngritje të vërtetë të vetvetes, veçanërisht të udhëheqësve si shembull për të gjithë qytetarët e tjerë. Në të kundërtën, duke mos u ballafaquar me realitetin, kur është e nevojshme ta bëjnë këtë për rritjen e nivelit të tyre shpirtëror, ata paraqesin paaftësi të theksuara, të atilla si ato që të pengojnë në dashuri, apo për të bërë kapërcime pozitive në jetë. Por, në rastin e liderëve, të cilët qoftë edhe aksidentalisht janë shpallur të tillë, ndryshimi në raport me qytetarët e zakonshëm është i madh dhe në përmasa të gjera, aq sa ndikon për t'u penguar përparimi i një vendi dhe për të lënë mbrapa një popull të tërë. Sidoqoftë, nga psikanalistët dhe sociologët bashkëkohorë është pohuar se ndërsa zhvillimi i Egos, çka te shumë njerëz është proces i natyrshëm që zgjat deri në pjekurinë e plotë, margjinat e vetëmburrjes: "Unë jam!" kanë të bëjnë më tepër me psikikën se sa me fizikun. Prandaj, sado vite që t'i përmbahesh ëndrrës së këndshme për pushtet dhe sidomos kur kjo i kapërcen kufijtë e normalitetit, një ditë jo shumë e largët të ballafaqon dhimbshëm me paaftësinë tënde, qoftë edhe nën justifikimin e rëndomtë për pamundësi shëndetësore, deri në largimin e turpshëm prej jetës publike.
Në këtë kuptim, le t'i hedhim një sy realitetit të këtyre ditëve. Për shembull, a mund të ishte e nevojshme të provokohej një skandal si ai i javës së kaluar në Lezhë? Një ngjarje që është komentuar gjerësisht si një skandal protokollar, si një skandal kombëtar etj. Po, ashtu është. Por, përveç këtyre, paradoksi në përkujtimin e një date historike si ajo e Besëlidhjes së 568 viteve më parë, e cila evokon nevojën e bashkimit kombëtar, duhej të ndodhte ngaqë Kryeministrit tonë na ia paskej ënda t'i rezervohej të parit atij dhe vetëm atij përshëndetja zyrtare në atë aktivitet, për të bërë deklamime teatrale që do të shoqëroheshin me ca thirrje të kurdisura: "Rroftë Sali Berisha, si Skënderbeu!". Më pas, kur publikut iu bënë të qarta marifetet e përdorura, për të shmangur nga kjo ceremoni e zhvilluar në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vet Kreun aktual të shtetit të saj, paradoksi vijoi të merrte dhenë, nëpërmjet krijimit të një alibie banale, për ta lënë përgjegjësinë e skandalit në dyert e Bashkisë së një qyteti, ndonëse aktiviteti përkatës duhet të mbartte rëndësinë, vlerat dhe emocionet për mbarë popullin tonë që jeton në një shtet unik, mandej edhe përtej territorit administrativ të tij. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, duheshin hedhur në qarkullim edhe ca pretendime arrogante dhe absurde të një deputeteje të Partisë së Kryeministrit, me origjinë dhe e zgjedhur si e tillë në Qarkun e Lezhës, e cila nuk ngrinte sytë nga një letër e shkruar, duke thënë: "Topi serviri një motiv bajat që s'u lejua të fliste", "Lezha nuk mund të prishte kremtimin e saj"(?!). Fakti që këtu nuk përmend emrin e saj, sikurse nuk do të zë në gojë edhe emrat e ca kolegëve të tjerë të vet, nuk ka të bëjë me ndonjë sekret shtetëror apo qoftë edhe profesional. Jo, nuk ia vlen të përmenden emrat e tyre, sepse një nga kuptimet që i është dhënë në ditët e sotme epitetit 'idiot' është edhe mungesa e tiparit individual. Vërtet që fshehja e së vërtetës konsiderohet gjithmonë si një rrenë potenciale dhe që në çdo situatë është shumë i rëndësishëm vendimi moral për ta zbuluar këtë të vërtetë. Por, nëse dikush qënien personale në një parti politike, në një organizatë shoqërore apo në një grup të caktuar që pretendon të ushtrojë ndikim te të tjerët, e lidh me censurimin e vetvetes, atëherë ai me vetvetëdije lejon që qëllimi të justifikojë mjetin, duke humbur identitetin dhe integritetin vetjak. Rruga në mes humbjes së pavarësisë dhe identitetit, që sidomos personat e publik duhet patjetër ta kalojnë është jo e rëndomtë. Ajo paraqitet si një provokim i madh dhe te ne jo shumë prej tyre e kalojnë me sukses.
Ndërsa, pavarësisht kësaj mungese, të vetëdijshme apo të ndikuar nën trysni, një shfaqje e dukshme e të shprehurit të atyre, që quhen sinonimisht me të folurën e përditshme të popullit tonë si 'sherr - budallenj' është shfryrja e inatit. Inatit, si emocion zakonisht i trashëguar, i cili për disa konsiderohet së brendshmi, se ndihmon mbijetesën e tyre. Për të tillët, inati apo zemërimi shfaqet hapur, sidomos kur u rrezikohet "territori" gjeografik dhe ai psikologjik. Është ky emocion që i nxit të reagojnë me rezistencë, qoftë kjo edhe e pa argumentuar apo e paarsyetuar. Në këtë fushë, politikanët tanë në përgjithësi tregohen me gisht. Por, vitet e fundit, këtë terren me sa duket e kanë pushtuar ministrat dhe deputetët e mazhorancës qeverisëse, që nën hijen e grisur të Kryeministrit kërcejnë menjëherë si të trullosur ndaj kundërshtarëve të tyre, pa iu nënshtruar ndonjë analize të hollësishme të të menduarit dhe të vlerësuarit. Le t'i referohemi një episodi të freskët, të këtyre ditëve. Ngrihet Kryeministri, i cili për të mbuluar sado pak dështimet dhe mashtrimet e vazhdueshme të tij, që po çojnë në largimin e pakthyeshëm edhe të shtresës së ish-të përndjekurve dhe të ish pronarëve prej mbështetjes së tyre ndaj Partisë Demokratike, dhe lëshon bataretë mbi Presidentin e Republikës, partia e ardhshme e të cilit parashikohet të tërheqë rreth vetes edhe këto shtresa. Por, kur ky i fundit detyrohet t'i kujtojë publikut karrierën e Berishës si komunist i devotshëm që nga viti 1968, si edhe të vërtetën përse nuk e dekretoi Ligjin e deformuar të Lustracionit, që Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi si të papajtueshëm me Ligjin tonë Themelor, shumë shpejt (pa kaluar as pak orë) ca krisma të thata nisën të dëgjohen andej nga selia blu. Topi na qenka shndërruar në kamxhik i Ramës(?!) - ulëret një deputet i djathtë. Ndërsa, një tjetër i sërës së tij pandeh të lëshojë, me duart që i dridhen nga i njëjti shqetësim, ca shigjeta në drejtim të Kreut të opozitës. Rama, përpara se t'i afrojë ish-të përndjekurit e inatosur - çirret deputeti i mjerë me një vaj të vjetër përpara kamerave - duhet t'u kërkojë atyre falje për krimin e të atit, që në vitin 1988 firmosi ekzekutimin e Hivzi Nelës(?!). Ndonëse ky "i zgjedhur i popullit" mban në xhep një diplomë juristi, nuk di, ose nuk do ta dijë, apo ta mbajë mend, që Presidiumi i Kuvendit Popullor (anëtar i të cilit ishte edhe Kristaq Rama) si organ kolegjial në krye të shtetit nuk dublonte vendimet gjyqësore, por mund të ushtronte ose jo të drejtën e faljes së jetës. Nejse, deklarime të tilla bajate, tërë marrëzira dhe mllefe për humbjet dhe rrëzimin e shpejtë, të mundshëm të tyre nga pushteti, përsëri e përsëri theksojnë se sa e domosdoshme është që qendrat më të larta të trurit tonë të rregullojnë dhe modelojnë qendrat më të ulëta (emocionale) të tij, se sa e rëndësishme është që për të funksionuar me sukses në botën tonë të ndërlikuar duhet të zotërojmë aftësinë që jo vetëm ta shprehim hidhërimin, por edhe ta pranojmë atë. Atëherë, përse plot politikanë te ne me konsekuencë e ulin veten kaq shumë? Po të kërkosh nëpër fjalorë të ndryshëm dhe në internet shpjegime të tjera për epitetin 'idiot' do ta marrësh vesh që kuptimi i tij ka evoluar edhe te nocioni i tërheqjes së personave vazhdimisht dhe ekskluzivisht nga interesat vetjake. Pra, a nuk është pjesa më e madhe e tyre që zotëron në rrugë të jashtëligjshme vila luksoze, resorte të ndryshme dhe depozita të fryra bankare, brenda apo jashtë vendit? Dhe, për të arritur pasuri të tilla nuk u mungon guximi. Nuk u mungon, edhe ngaqë funksionarët e institucioneve përkatëse s'kanë ndërmend të rrezikojnë postet e tyre po qe se do të publikonin ballafaqimin e këtyre aseteve me deklarimet e të ardhurave vjetore legale të atyre që i mbron nga shiu apo breshëri çadra e korracuar e pushtetit. "Gjysma e deputetëve tanë janë hajdutë", këtë titull do t'i vë artikullit tim të ardhshëm - po i thosha dje një pak të njohuri, i cili m'u kthye me lutje për të mos e bërë atë. Sepse, siç tha ai, menjëherë do të ballafaqohesha me akuza për sabotim të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Nuk më mbeti veçse të tallesha pakëz, duke e siguruar se po të ndodhte ajo që më bënte me dije ai, atëherë do të bëja menjëherë një përgënjeshtrim, duke shkruar: Jo! Gjysma e deputetëve nuk janë hajdutë". Vura re se, pas këtij shpjegimi, bashkëfolësi im tundi kokën i qetësuar dhe i kënaqur. Ja edhe një idiot më shumë, mendova. Dhe pa e zgjatur bisedën më tej u largova për të hedhur këto radhë nën titullin e mësipërm.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›