E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Lapardha, komuna: Policia të ruajë magazinat

Magazina në Lapardha të Beratit

BERAT Komuna Otllak i kërkon policisë të ruajë ish-magazinat bujqësore në Lapardha. Pas vdekjes tragjike të fëmijës 4-vjeçar nën gërmadhat e njërës prej 3 magazinave në këtë fshat dhe plagosjes së dajës së tij, e vetmja mënyrë për të shmangur ngjarje të tjera të rënda është parë ruajtja e tyre nga forca të rendit. Sipas banorëve të Lapardhasë, ngjarja e ndodhur paraditen e së martës i ka lënë ata të tronditur. Në lidhje me tri magazinat gjigante, por të amortizuara nga koha dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme, ende nuk është zgjidhur çështja e pronësisë. Kjo ka bërë që ato të qëndrojnë gjysmë në këmbë, pa u shembur plotësisht, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e fëmijëve që luajnë brenda tyre. Vdekja e 4-vjeçarit Franko Bejdo dhe plagosja e dajës së tij, Haxhi Ngjeli, ka detyruar autoritetet e komunës dhe ato të prefekturës që ti bëjnë një analizë të thellë tragjedisë në fshatin Lapardha. Vetë banorët kanë kërkuar shembjen urgjente të magazinave, ndërsa nga komuna është deklaruar se deri në një vendim për to të ketë ruajtje. Në lidhje me ngjarjen, Policia e Beratit ka deklaruar se shkaktar është bërë vetë dora e njeriut, pasi aty janë sharruar hekurat e tarracës së tavanit dhe janë marrë tullat duke u dëmtuar muret mbajtëse. Ditën e djeshme është kryer në qytetin e Urës Vajgurore ceremonia për të përcjellë në banesën e fundit të miturin. Ai po luante me kushëririn e tij moshatar në fshatin e dajave kur u shënua tragjedia. Në përpjekje për ta shpëtuar, mbeti i plagosur daja 30-vjeçar, i cili dhe dje ka vazhduar të marrë mjekim në spitalin e Beratit. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›